Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Metal ulur! – vlerësim formal për skenën joformale

Albumi – “Frisson” – “Self”

Më 6 mars 2021 u promovua albumi i dytë i shumëpritur i grupit të zhanrit metal “Frisson” (shqip: Rrëqethje), në “Kino Armata” nga ora 19:00

Prapavijë për grupin

“Frisson” (KS) u formua në Prishtinë, Kosovë, në vitin 2013 nga Ilir Brajshori (vokal/ kitarë) dhe Lum Havolli (bateri/ perkusione), Galdon Reçica (kitarist) dhe Shpëtim Smolica (basist). Grupi është përqendruar në krijimin e një tingulli unik që ndërthur një larmi ndikimesh të zhanrit metal në një gjuhë muzikore kompakte. Kjo rezulton në një formë muzikore me bazë në groove dhe seksion të ritmit të rrjedhshëm, të ekuilibruar me struktura melodike. Po ashtu, përdorimi ekspresiv i vokaleve kanalizohet përmes teksteve lirike mbi çështjet e ndryshme të shoqërisë së Kosovës bashkëkohore.

Pas publikimit të albumit të parë “Exit Denied” që u mbajt në Prishtinë, Kosovë - 2015, ata shpejt kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë skenës muzikore, duke përfshirë zhanret që nuk kanë lidhje me metalin. Ata konsiderohen si një ndër grupet më serioze në skenën joformale të Prishtinës gjatë fundit të valës së dytë dhe prej valës së tretë të kësaj skene post 2018. Grupi funksionon si një ekip me një mori kontribuesish në shumë nivele të menaxhuar dhe organizuar nga Ylber Havolli.

Në grup, përveç të tjerash, performuesit janë pjesë e gjeneratës më të re të industrisë kreative të programerëve, dizajnerëve dhe inxhinierëve tingullorë të skenës joformale muzikore në Kosovë.

Koncert metal ulur – promovimi i albumit të dytë “Self”

“Frisson” si një ndër grupet e spikatura të valës së 3-të të skenës joformale të pas luftës së ‘99-s, shpalosi programin e albumit të dytë me një nga performancat më profesionale të viteve të fundit.

Ky grup, si një prej shembujve më eklatantë të një grupi joformal të ekosistemit muzikor të Kosovës, i ka të gjitha elementet e një grupi që përfaqëson nivelin më lartë etik të profesionalizmit muzikor në punë. Kjo përfshin çdo aspekt të prezencës skenike të përgatitur me kujdes, duke filluar nga koncepti vizual me ndriçim të duhur dhe ndriçues të veçantë e deri tek elementet menaxhuese dhe të marketingut që i takojnë skenës së mirëfilltë botërore.

Në kushte jo të zakonshme, me përkufizim të pjesëmarrjes së 80 personave në distancë, grupi dhe publiku treguan një nivel të ri të kulturës së dëgjimit, si dhe të prezencës skenike.

Është ironike që platforma e dëgjimit të muzikës së re të “Frisson-it” ka qenë ulur si pasojë e masave kundër pandemisë kur një analizë e materialit muzikor të tyre tregon që përkushtimi dhe niveli i vetëdijes kompozicionale që ka albumi i ri për zhanrin meriton të dëgjohet pikërisht ashtu: me vëmendje të plotë dhe qasje serioze, ulur.

“Self” – “Vetja”

Muzika e këtij albumi i ka të gjitha elementet e zhanrit metal bashkëkohor post modern, ku qasja polistilistike brenda zhanrit metal vërehet te gati secila këngë. Kjo do të thotë që sikur shumë grupe, mund të cekim bendin shumë të njohur francez “Gojira”, ky lloj i muzikës metal, brenda kompozimit formal dhe harmonik, qëllimshëm kombinon estetika të ndryshme të metalit që nga vitet ‘90 e deri më sot.

Këtu mund të gjejmë të kombinuara elemente të groove, death-metal, deathcore, hardcore dhe black-metal të ndërthurura në një hibrid tingullor që ka sens të qartë dhe balancë në mes të momenteve më vallëzuese/ argëtuese dhe atyre më komplekse.

Image

Muzika e këtij albumi i ka të gjitha elementet e zhanrit metal bashkëkohor post-modern, ku qasja polistilistike brenda zhanrit metal vërehet te gati secila këngë

Për nga përmbajtja konceptuale dhe e tekstshkruarjes, albumi njëlloj sikur albumi i parë “Exit Denied” është një kombinim në mes të përvojave personale dhe kritikave shoqërore e politike. Ndryshe nga albumi i parë, këngët kësaj radhe janë më koncize, por edhe më të gjata dhe më komplekse në formë.

Ia vlen të ceket që në këtë album janë mbledhur dy gjenerata të ndryshme të inxhinierëve tingullorë për produksionin tingullor. Këta inxhinierë jo vetëm që kanë përvojë në industrinë e muzikës, por specifikisht e njohin këtë zhanër i cili është një prej zhanreve më të vështira për t’u prodhuar, përfshirë këtu incizimin, miksimin dhe masterimin.

Ky ekip i dy gjeneratave përfshin një ndër pionierët e muzikës elektronike i cili ka përvojë dhe është njohës i zhanrit, Driton Pllana (Toton), Dren Suldashi dhe Galdon Reçica (kitaristi i grupit). Dreni dhe Galdoni si pjesë e gjeneratës së re të inxhinierëve tingullorë në Kosovë, me këtë album paraqesin përpjekjen e vazhdueshme të kësaj skene për ta ngritur nivelin e produksionit tingullor në këtë zhanër dhe ky album e bën pikërisht atë.

Albumi “Self” është një prej albumeve më të reja dhe ka një ekuilibër dhe qartësi tingullore shumë më të mirë dhe kualitative se që kemi parë deri më tash në këtë zhanër. Kjo është shumë vështirë për t’u arritur, por pa dyshim që ky ekip bashkë me grupet e tjera do ta perfeksionojnë edhe më tutje me punë të vazhdueshme.

Aspekte të vazhdimësisë estetike dhe të zhanrit

Ky grup si pjesë e valës së tretë të skenës joformale, bashkë me grupet e valës së parë e të dytë të pasluftës shpalosin dy aspekte kyç për zhvillimin e ekosistemit muzikor të Kosovës. Aspekti i parë është zhvillimi dhe profesionalizmi i skenës joformale konform të gjitha kritereve dhe përgatitjes së koncerteve për publik. Aspekti i dytë është liria për zhvillimin e veprimtarisë artistike pa ndërprerje apo ndërhyrje politike qe 20 vjet e ka mundësuar vazhdimësinë e zhvillimit të një stili.

Kjo e dyta është një veçori e zakonshme e zhvillimit të ekosistemeve muzikore në botë; grupet muzikore të një vendi nuk inspirohen vetëm nga grupet muzikore të jashtme, por gjithashtu edhe nga grupet e vendit të tyre.

Nëse marrim parasysh këtë vazhdimësi stilistike/ muzikore, aspektet e prezencës skenike dhe organizimin, “Frisson” është vazhdimësi e grupit “Madgod”.

“Frisson” si shumë grupe të zhanreve të tjera ka pasur rastin të rritet dhe të marrë shembuj nga një grup i zhanrit të njëjtë dhe pas disa vjetëve të valës së dytë të skenës joformale ka filluar dhe vazhdon të njëjtën qasje të këtij zhanri post modern të metalit.

Veti të tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e shëndoshë të një skene vendore për arsye të identitetit muzikor dhe në vete është një prej formave të zhvillimit dhe ripërtëritjes të vetive specifike trashëgimore brenda zhanreve që zhvillohen në Kosovë.

Autori dhe “autoriteti” në të ardhmen e ekosistemit muzikor

Koncerti i “Frission-it”, siç ndodh me koncertet e skenave joformale, nuk ishte vetëm i tyre. Publiku është pjesë e koncerteve aq sa janë edhe vetë performuesit dhe në këtë koncert u tregua se sa i qëndrueshëm është modeli i kësaj skene që po zhvillohet në Kosovën e pasluftës dhe sa besnik dhe i kulturuar është publiku kosovar.

Të mos harrojmë që është fakt objektiv që skena joformale nuk është përkrahur aq sa duhet; disa herë edhe është neglizhuar. Disa edhe mund ta arsyetojnë që ndoshta nuk duhet të përkrahet, por të zhvillohet vetë, por fakti është që kjo skenë ka nevojë për mbështetje.

Kjo mbështetje duhet të jetë më komplekse, ku skenave nuk u jepet vetëm ndihme sporadike e as i formave klasike të subvencionimit të projekteve momentale, por duhet të investohet në aspektet kyç që i pamë në këtë koncert. Këto aspekte përfshijnë: aspektet menaxheriale të cilat mungojnë më së shumti në të gjitha skenat në Kosovë e sidomos në atë joformale, ku në mungesë të menaxhmentit bendet e humbin qëndrueshmërinë dhe mbesin pre e momenteve në të cilat mund të mbështeten nga ndonjë projekt apo vetëfinancim (siç ndodh në shumicën e rasteve) dhe në mungesë të mbështetjes shuhen.

Aspekti i dytë është ai i strukturimit me Labels, menaxher dhe burime njerëzore, gjë që mund të marrim si shembull suksesi nga investimet dhe mbështetjet që u janë bërë skenave në rajon, veçanërisht asaj të Maqedonisë së Veriut përmes PIN Conference.

Ky investim mund të jetë afatshkurtër, mjaftueshëm që të ndërtojë strukturën bazë, sepse mbështetja e Labels-it është model i vetëqëndrueshëm. Pas fillimit të veprimtarisë, Labels mund të vetëfinancohen nga puna dhe kontratat me bende dhe festivale. Këto Labels do të jenë “agjencitë” ndihmëse për autorët e skenës joformale dhe do t’i lidhin ata me publikun vendor, si dhe me atë të jashtëm.

Përveç këtyre aspekteve, këto skena kanë nevojë për ngritje të kapaciteteve teknologjike me investim në pajisje që mungojnë në Kosovë për të ngritur nivelin e produksionit tingullor.

Ky model i dhënë nga “Frisson” në një mënyrë apo tjetër do të vazhdojë e ky grup do të vazhdojë të ngrejë nivelin e skenës së cilës i përkasin. Topi tash bie në anën tjetër të fushës. Institucionet tash duhet të kuptojnë kompleksitetin dhe laramaninë trashëgimore të Kosovës dhe që si çdo aspekt tjetër në industrinë kreative, kjo skenë ka po ashtu zëra të rëndësishëm të mozaikut kulturor të Kosovës.

Autori, Dr. Liburn Jupolli është drejtor i CMMDPM-së (Center for Modern Music, Digital Production and Management)

CRI - Centre de Recherche Interdisciplinaire - Paris, France - Alumni

NBU-New Bulgarian University - Alumni

UBT - University of Business and Technology

ljupolli.com

Artikuj të ngjashëm