Një traditë urbane, e cila ka për qëllim zhvillimin muzikës jazz në kryeqytet, u rikthye me edicionin e dytë në hapësirat e qendrës “Defy Them”. “Prishtina Jazz Cats” mblodhi muzikantët vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët ndërtuan një ngjarje, e cila për skenën muzikore erdhi si një hapësirë ku shpaloset kreativiteti artistik nëpërmjet tingujve. Për synim ka edhe krijimin e një platforme që i zbulon dhe inspiron gjeneratat e reja dhe afinitetin e tyre për jazz muzikën.
Ky sesion joformal solli për publikun një kuintet të larmishëm me instrumente që e identifikojnë jazzin. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja janë vendet prej të cilave vijnë pesë anëtarët e grupit, të përbërë nga Dukagjin Muhaxheri në alt saksofon, maqedonasi Ivan Ivanov në tenor saksofon, amerikani Rick Bassett në piano, Visar Kuçi në bas kitarë dhe Nesim Maxhuni në bateri.
Gjuha universale e muzikës dëshmoi dhe njëherë se formacionet e tilla krijojnë bashkëpunime që ofrojnë performanca të arrira e të mirëpritura.
Iniciativa e muzikantit Visar Kuçi për krijimin e këtij eventi të titulluar “Prishtina Jazz Cats” ka ardhur si nevojë e shprehjes artistike për këtë zhanër.
“Ideja e këtij ‘jam session’ është me ju ofru hapësirë muzikantëve të rinj të jazz-it, të cilët nuk e kanë mundësinë me u shfaq dhe ideja ka qenë mos me qenë nëpër lokale të natës, në vende të zakonshme, por me qenë me një vend që është më shumë si qendër kulturore, siç është ‘Defy Them’”.
Zbarkimi nga praktika tashmë të vendosura në skenën argëtuese të Prishtinës, të cilat rëndom imponojnë mbledhjet nëpër lokale të ndryshme, sesioni i “Prishtina Jazz Cats” i bëri bashkë të gjithë admiruesit e muzikës në ambientet e qendrës kulturore “Defy Them”, e cila tash e një kohë është nikoqire e ngjarjeve të tilla si misionare e zhvillimit të zhanreve alternative në Kosovë, bashkë me përkrahjen e talenteve të reja.
Ideja mbi të cilën funksionon ky format është hapja e mbrëmjes nga një grup i caktuar, ndërkaq gjatë natës inkurajohen edhe të pranishmet që të bëhen pjesë e performancës.
Por, veçantia e kësaj mbrëmjeje ishte edhe pjesëmarrja e Rick Basset, kompozitor nga Amerika, i cili në “Prishtina Jazz Cats” kontributin e tij e dha me lojën në piano dhe prezantimit të tri veprave të tija origjinale.
Për Bassettin, performimi me këta muzikantë nuk ishte diçka e re. Sesionin e ka quajtur si ngjarje joformale, e cila i duhet publikut në Kosovë pasi që, sipas tij, interesimi për jazz-muzikën është i madh.
“Mendoj se ka një audiencë të kënaqshme për jazzin në Kosovë. Një hapësirë e tillë është shumë inkurajuese për të gjithë entuziastët e këtij zhanri. Mendoj se është një treg i pazbuluar ende. Sa herë që gjendem në një event të tillë shoh se ka shumë njerëz, kështu që shpresoj të vazhdojë të rritet kjo audiencë”.
Saksofoni, instrument thelbësor në jazz, mori skenën me tingujt e tij të maturuar me ngjyra të ngrohta nëpërmjet lojës së maqedonasit Ivan Ivanov duke krijuar një atmosferë intime, e cila përputhet në harmoni me ritmin e muzikës.
Për Ivanov, skena e jazzit në Kosovë ngjason me atë në Maqedoninë e Veriut, por, sipas tij, duhet të ndiqet një hap i ri, i cili për skenën jazz mund të ofrojë lehtësime.
“Dua të them që një gjë e mirë që ka ndodhur në Maqedoni kohëve të fundit është formimi i një bendi shtetëror dhe mendoj që kjo ide do të ishte e mirë edhe për Kosovën, do të shërbente si shembull i mirë. Ka shumë njerëz që e duan jazzin, është mirë që vijnë njerëz dhe e mbështesin këtë zhanër”.
Në repertorin e kësaj mbrëmjeje kanë qenë edhe kompozimet origjinale të amerikanit Bassett. Disa prej tyre u luajtën për herë të parë në një ambient të tillë.
“E veçanta, e bukura e kësaj mbrëmjeje është që këto kompozime nuk i kemi luajtur kurrë më herët dhe është si test i mirë, sepse kemi me incizu album me Rick-un, preferohet që para incizimit me luajtë në ndonjë vend në mënyrë që me i hulumtu pikat kryesore të kompozimit, me shiku reagimin, dinamikat, format etj”.
“Jazz Jam Session” në “Defy Them” përtej aftësive teknike të artistëve, gjithashtu solli spontanitetin dhe bashkëpunimin që e karakterizon muzikën jazz. Shërbeu si një kujtim për fuqinë e performancave live në bashkimin e njerëzve në një ngjarje që synohet të bëhet tradicionale, të martën e parë të muajit.