Ka pasur diçka rastësore në “kryqëzimin” e dy emrave të shquar të skenave botërore, por raste si ky zor që përsëriten dot. Sopranoja Elbenita Kajtazi, s’ka nevojë për fort prezantim. Publiku e njeh dhe pret prej saj pikërisht atë që dha në koncert të dielën mbrëma. Tenori venezuelas, Jorge Puerta, iu përgjigj një ftese në moment të fundit. Rezultati: një mbrëmje e magjishme ku shndrisin dy yjet e botës operistike. “Mbrëmja e operës” ka qenë një uverturë e qëlluar drejt gala-mbrëmjes me të cilën kulmon edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”
Vigjilencë Islami
Kur dy zëra që kanë jehuar nëpër botë bashkohen në një skenë, ajo që dihet apriori është se magjinë e tyre do ta sjellin edhe në një aso të improvizuar nën qiellin e hapur si ajo e “Mbrëmjes së operës” para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me koncertin e parafundit të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”. Çdo sfidë mbetet nën hije, kushtet kanë pak rëndësi dhe emrat janë: Elbenita Kajtazi e Jorge Puerta. Programi: një rrugëtim në perlat e repertorit operistik me “ndalesa” në ato të muzikës shqipe. Koncerti: një mbrëmje e magjishme.
Ka qenë tenori venezuelas ai që e ka hapur mbrëmjen. Pak çon peshë fakti se ai ishte “zgjidhje” e momentit të fundit. Puerta është emër i lindur për skenë dhe në kuadër të Festivalit, ky është debutimi i tij para publikut në Kosovë.
Sopranoja Elbanita Kajtazi, s’ka nevojë për fort prezantim. Publiku e njeh dhe pret prej saj pikërisht atë që dha në koncert të dielën mbrëma. Me elegancë, zë kumbues e të pasur emocionalisht, secilën vepër që e interpreton e mbështjell me pasion.
Erdhi edhe me tri vepra të repertorit shqiptar: “Vet ke mbet’” nga Gjergj Kaçinari, një këngë shqiptare me karakter lirik, që shpreh mall, vetmi dhe nostalgji pas largimit të një njeriu të dashur, e me “N’mes dashurive” nga Tonin Zadeja, një romancë shqiptare që trajton dashurinë si forcë që mbetet mbi gjithçka. Ka sjellë edhe arien “Dielli ka përendu” të operës së parë shqiptare “Mrika” të kompozuar nga Prenk Jakova, që ka ton lirik dhe shumë tërheqës, e që paraqet ndjenjat e Mrikës, një vajze mirditore midis dashurisë dhe fatit të saj tragjik.
Edhe
“Mbrëmja e operës” me dy zërat e botës në Prishtinë
Për të çdoherë është emocion i veçantë të interpretojë në shtëpi, mes më të dashurve të saj.
“Emocionet janë gjithmonë shumë të veçanta kur performoj në Kosovë, por prapëseprapë është një profesion që e bëj tash e shumë vjet edhe arrij ta kem atë qetësinë që i duhet një këngëtari përpara se me performu. Ndërsa pas koncerteve natyrisht që është një emocion i papërshkrueshëm, sepse takon të gjithë njerëzit, e sidomos në Kosovë janë të gjithë njerëz që i njeh, që je rrit me ta edhe sidomos profesorët e fakultetit dhe shumë të tjerë. Është emocion shumë i bukur”, ka thënë Kajtazi pas koncertit.
Përveç repertorit shqiptar, ka interpretuar edhe arie dhe vepra madhështore operistike duke shfaqur teknikë të lartë vokale me veprat si “Zueignung”, Op. 10 nr.1 , një “lied” apo këngë e njohur gjermane nga Richard Strauss. Nis me përulësi dhe përfundon me një shpërthim emocional triumfues dashurie. Aria “Chi il bel sogno di Doretta” e operës “La rondine” nga G. Puccini, në të cilën Doretta rrëfen ëndrrën e saj për dashurinë e vërtetë, duke zgjedhur ndjenjën mbi pasurinë, hapet nga tingujt e thyer në piano “arpeggio” nga Jess Rucinski, duke vënë në pah teknikën e mrekullueshme të frymëmarrjes nga sopranoja, pastërtinë e notave të larta që mbërthejnë skajet më të thella të shpirtit e të dashurisë, që është edhe mesazhi i aries. Nga Puccini ka interpretuar edhe arien “Si, mi chiamano Mimi” të operës “La Boheme”. Është ajo ku Mimi prezanton veten me thjeshtësi, një portret shumë njerëzor i një vajze të ndrojtur që gjen lumturinë në gjërat e vogla.
Në program ka pasur edhe arien e operës “Rusalka”, “Mesicku na nebi hlubokem” e njohur si “Kënga e Hënës” të Antonin Dvorak, ku Rusalka i drejtohet hënës dhe i kërkon që t’i çojë një mesazh princit të saj të dashur, një moment lirik i operës.
“Mendoj që festivale të tilla i duhen sa ma shumë vendit tonë, por tash po bëhet një punë shumë, shumë e mrekullueshme në këtë drejtim. E përgëzoj Ramën, e përgëzoj për vullnetin që e ka, për dashurinë që e ka edhe që nuk heziton të japë aq shumë energji për këtë festival, sepse sjell gjëra shumë të bukura”, ka thënë Kajtazi.
Në Prishtinë ka ardhur pas një sezoni të ngjeshur. Ai i ardhshmi është njësoj i shënuar edhe me role debutuese.
“Është një sezon jashtëzakonisht i ngjeshur edhe s’kam pasur kohë as të postoj, se tash angazhimet janë shumë të mëdha edhe si nënë edhe s’po mundem shumë me i menaxhu disa gjëra, por janë disa debutime shumë të mrekullueshme, sezonin e ardhshëm do ta debutoj rolin e Suor Angelicas, rol të cilin e kam pritur me padurim, e kam pritur deri tani pjekurinë e duhur që i duhet këtij roli. Do të jetë në Leipzig, pastaj do të jem edhe në Angli dhe në Hamburg që i kam edhe shumë role të tjera”, ka thëne ajo.
Në “Opera Night” dyshja Elbenita Kajtazi dhe Jorge Puerta janë ngjitur në skenë edhe në duet. Kanë sjellë “Parigi, o cara” nga “La Traviata” e Verdit, një nga duetet më prekëse operistike, ku Alfredo dhe Violetta ëndërrojnë të largohen në Paris për të filluar një jetë të re, por Violetta e di se po vdes dhe se kjo ëndërr nuk do të realizohet, si dhe “O soave fanciulla” nga “La Boheme” e Puccinit, që është një duetet më të bukura të operës për dashurinë midis Rodolfos dhe Mimit.
Nuk kanë pasur fort kohë për përgatitje por kjo s’ka lënë asnjë shenjë.
“Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Jorgen e kam takuar vetëm para një dite, sepse ka qenë një tjetër tenor i planifikuar, ai është sëmurë fatkeqësisht, por Jorge është një tenor i mrekullueshëm, kështu që nuk është vështirë të përshtatesh, është jashtëzakonisht lehtë kur e ke një koleg të tillë, që është i mrekullueshëm në çdo aspekt, edhe shumë i dashur, shumë i sjellshëm. Ka qenë me të vërtetë shumë bukur”, ka thënë Kajtazi.
Mbrëmja si udhëtim nëpër veprat artistike dhe të operës, duke kaluar nga ato shqiptare, italiane deri te kulmet e repertorit operistik francez, çek dhe italian, vuri në pah edhe veçoritë e tenorit venezuelas.
Puerta, dallohet për qetësi dhe teknikë të lartë të qëndrimit në skenë, duke kënduar herë pas here symbyllur, pa lëvizje të mëdha. E, kjo është vërejtur që në hapje me një nga romancat më të njohura italiane, “Ideale” të Francesko Paolo Tostit, ku personazhi me nostalgji dhe pasion i këndon dashurisë ideale. Ka kënduar edhe shtatë vepra të tjera solo sipas programit, dhe një më shumë si bis. Në repertor ka pasur “Te quiero dijiste” nga Maria Grever, këngë kjo e njohur meksikane që flet për momentin kur dëgjon për herë të parë fjalët “Të dua”. Këngët “Besos en mis suenos” nga Augusto Brandt dhe këngën “Jurame” nga Maria Grever kanë ardhur po ashtu me romantizëm, pasion dhe përkushtim. Me ndjeshmëri ka interpretuar edhe arien e operës “L’Arlesiana”, “Lamento di Federico”, nga Francesco Cilea, ku Federico vajton për dashurinë e humbur dhe këndohet me dëshpërim, pikëllim dhe vetmi.

Kontraste emocionesh ka pasur te “Pourquoi me reveiller” të operës franceze “Werther” nga Massenet sikurse tek ariet “Ch’ella mi creda” të Puccinit dhe “Dio! Mi potevi scagliar” nga opera “Othello” e Verdit, që është një nga monologët më dramatikë, ku Othello ndihet i tradhtuar dhe i shkatërruar nga xhelozia.
Edhe
“New Generation” me zërat e rinj si paralajmërim për skenën operistike
Jorge Puerta është vlerësuar nga kritika ndërkombëtare për interpretimet e tij në role si Andrea Chénier, Rodolfo, Cavaradossi, Pinkerton dhe Don José, duke performuar në disa prej teatrove më të njohura të operës në Evropë dhe në Amerikën Latine. Shquhet për zërin e tij ekspresiv dhe praninë e fuqishme skenike.
“I gjithë procesi për ta realizuar këtë program është shumë sfidues, edhe kur ke kohë. Por kur gjithçka ndodh në një kohë kaq të shkurtër, adrenalina dhe emocionet janë edhe më të mëdha, sidomos duke qenë se është hera ime e parë këtu. Gjithashtu, e di se karriera e Rame Lahajt është e jashtëzakonshme, jo vetëm si këngëtar, por edhe për themelimin e këtij fondacioni dhe për kontributin e tij në zhvillimin e kulturës në këtë vend të bukur. Kjo më prek shumë emocionalisht. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij rrugëtimi dhe e këtij projekti. Shpresoj të kthehem, por me më shumë kohë, për ta shijuar edhe një shëtitje nëpër Prishtinë. Faleminderit, sepse e ndiej dhe e marr gjithë atë përkujdesje dhe dashuri nga të gjithë ata që janë të përfshirë në organizimin e këtij eventi. Mezi pres të rikthehem dhe të vazhdojmë t'i ndajmë këto momente së bashku”, ka thënë Puerta.
Ky ka qenë bashkëpunimi i tij i parë me sopranon shqiptare, Elbenita Kajtazi.
“Ndonjëherë punojmë në të njëjtin teatër, por asnjëherë në të njëjtën kohë. Ajo gjithashtu ka qenë pjesë e Teatrit Muzikor të Essenit në Gjermani. Sezoni im atje sapo ka përfunduar. Është një kënaqësi e madhe, sepse ajo është një artiste shumë profesioniste. Më pëlqen shumë mënyra se si këndon dhe e kam ndjekur prej kohësh. Prandaj është një gëzim i veçantë që rrugët tona artistike u kryqëzuan në këtë skenë dhe u bëmë bashkë për të sjellë këtë koncert të bukur. Ka qenë vërtet një kënaqësi të ndajmë skenën dhe ta realizojmë së bashku këtë koncert të mrekullueshëm”, ka thënë ai.
Ka premtuar se herën tjetër kur të ketë mundësinë të vijë në Prishtinë, do të sjellë në repertorin e tij edhe vepra shqiptare.
“Ishte hera e parë, ishte një kohë shumë e shkurtër, por ju premtoj se kur të rikthehem, patjetër do të përfshij disa nga këto pjesë në repertorin tim. Elbenita interpretoi vetëm disa prej tyre sot, dhe unë u dashurova menjëherë me këtë lloj muzike. Ju premtoj se, kur të vij sërish, do ta mbaj këtë premtim dhe patjetër do të interpretoj edhe muzikë nga këtu“, ka thënë tenori i shquar. Ka veçuar edhe interpretimin e veprave operistike në ambient të hapur. Për të është normale dhe jep tjetër ndjesi.
“Nuk është hera e parë që marr pjesë në festivale të tilla, kam performuar edhe në Austri dhe në Zvicër. Sigurisht, nuk është e njëjta gjë si të këndosh në një sallë me akustikë, pa mikrofon dhe pa përforcim të zërit, që është ajo që ne artistët e duam më shumë. Megjithatë, kjo nuk është një përvojë e pazakontë për mua. Sonte ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Moti ishte i përkryer, as shumë nxehtë, as shumë ftohtë. Nuk e di, kishte diçka të veçantë. Ishte vërtet një natë shumë e bukur për ta ndarë këtë koncert me publikun e mrekullueshëm këtu në Kosovë”, ka thënë ai.
Tenorin venezuelas e pret një sezon i ngjeshur prej shtatorit dhe thotë se mezi pret të nisë.
“Në shtator do të mbaj një koncert në Aranjuez, pranë Madridit. Më pas do të udhëtoj në Vilnius të Lituanisë, ku do të interpretoj në operën ‘Aida’. Viti i ardhshëm do të jetë shumë i veçantë dhe emocionues për mua, sepse do të bëj debutimin tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të interpretoj ‘Turandot’ në Dallas dhe më pas ‘Tosca’ në Operën e Atalantës. Gjithashtu ‘Othello’ në Zvicër. Më pret një sezon i mrekullueshëm dhe shumë emocionues, ndaj mezi pres të nisë. Tani, megjithatë, do të përpiqem të shijoj pak pushime. Kjo ishte edhe arsyeja pse munda të vija këtu. Por, siç e dini, ne rrallë arrijmë të kemi pushime vërtet çlodhëse, sepse gjithmonë mund të lindë një mundësi e re ose një telefonatë e minutës së fundit. Duhet të jemi përherë gati”, ka thënë Puerta.
Jess Rucinski, përveç si korepetitore u paraqit edhe solo në piano, duke interpretuar kështu dy vepra të njohura pianistike dhe duke treguar aftësi interpretuese të larta me qetësi, fluiditet dhe liri që përcillej te publiku përmes tingujve, por edhe përmes fotografive artistike të njeriut, natyrës e gjelbërimit të shfaqura në ekranin e madh në sfond. Interpretoi veprën që bashkon virtuozitetin me ndjenjën e thellë poetike, “Fantasie-Impromtu” në C-sharp minor, Op. 66 nga Chopin si dhe preludin dramatik, Prelude Op. 23 nr.4 nga S. Rachmaninoffi.

Mexosopranoja dhe profesoresha universitare, Merita Juniku, ka thënë se “Opera Night” qe një mbrëmje e mrekullueshme.
“Koncerti ‘Opera Night’ me dy solistë të shkëlqyer të skenës ndërkombëtare sopranon Elbenita Kajtazi dhe tenorin Jorge Puerta ishte i mrekullueshëm me program të bukur”, ka thënë Juniku.
Koordinatori i festivalit, Besmir Vokopola, ka thënë se Festivali e menaxhoi anulimin për pjesëmarrje të tenorit Charles Castronovo.
Edhe
Elbenita Kajtazi në “sezonin e Verdit” nis vitin me duartrokitje në Hamburg
“Sigurisht që sot patëm mundësinë të dëgjonim dy zëra vërtet të mrekullueshëm, kishim sopranon tonë të mirënjohur, Elbenita Kajtazi, e cila solli një repertor vërtet shumë të pasur, duke udhëtuar nga kompozitorët shqiptarë tek ata që janë kolosët e repertorit klasik, dhe po kështu me një ndryshim të vogël në program, patëm kënaqësinë të kishim tenorin Jorge Puerta, i cili iu përgjigj menjëherë kërkesës sonë të minutës së fundit, pasi që tenori Charles Castronovo për arsye shëndetësore, nuk mundi të ishte prezent. Këto janë disa situata tipike që mund të ndodhin në botën e operës dhe të lirikës, sepse zëri është shumë delikat. Por menjëherë ne u mobilizuam, nëpërmjet kontakteve tona dhe sigurisht u përpoqëm që të sillnim një tenor të po të njëjtit nivel dhe në fakt mbrëmja e sotme besoj e tregoi shumë mirë që edhe tenori të cilin e sollëm, jo vetëm që i përmbushte të gjitha vlerat, por edhe na bëri që të shijojmë një zë vërtet të rëndësishëm”, ka thënë ai.
“Opera Night”, ka qenë një mbrëmje dedikuar artit lirik. I paraprin gala-koncertit “Rame Lahaj and Friends” të mërkurën. E deri atëherë dy zërat e shquar, jehojnë në pritje të yjeve të tjerë.