EXPRESS

Marigona Qerkezi me zë hyjnor prek qiellin e Prishtinës

Ka pak rëndësi se ku interpreton. Zëri i saj është hyjnor. Ka ardhur në Prishtinë nga skena që ëndërrohen prej shumëkujt si ajo e “Royal Opera House” e një koncert i magjishëm do të ishte përshkrimi më i thjeshtë për atë që solli sopranoja, Marigona Qerkezi, të hënën mbrëma, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës – “Rame Lahaj”.

Vërtet motoja “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” i shkon për shtat koncertit me sopranon e skenave botërore, Marigona Qerkezi. Ëndrrat për të jehuar opera në kryeqytet e bëjnë atë të vendoset vend e pavend, gjithkund ku ka ca metra hapësirë, ndonëse nuk e rrethojnë muret. Kjo ka qenë skena për sopranon e shquar të skenave përrallore në botë e institucionet me reputacion.

Vendi ka zëra të shquar lirikë që bëjnë karrierë në shtëpi të mëdha operistike botërore. Por, nuk u jepet mundësia dot. Kthehen duke sjellë copëza të këtyre veprave operistike, të cilat në vend mezi realizohet një e ngjashme në vit. Sjellin edhe tingullin e tyre lirik në perlat shqiptare, si dëshmi e vlerësimit të thesarit të vendit, por edhe si dhuratë për publikun. 
Këtë e ka bërë edhe sopranoja e shquar në botën e këndimit lirik.

Midis repertorit të zgjedhur ka kënduar veprën “Sinfonia” të Aulon Naçit që e ka sjellë si rrëfim mallëngjyes si dhe “Margjelo” të Prenk Jakovës si homazh për këngën shqipe. 

“Pas gjithë këtij programi të përzgjedhur kam dashur ta mbyll me një vepër që është shumë pranë zemrave tona”, ka thënë ajo para se ta këndojë këtë këngë me të cilën e ka përmbyllur koncertin.

Edhe për KOHËN ka thënë se ka qenë e pashmangshme kënga shqipe në këtë program.

“Ka qenë një program mjaft i pasur nga kompozitorë të ndryshëm, nga periudha të ndryshme stilistike dhe përveç veprave të cilat i kam interpretuar të plota në skenë, disa të tjera do t’i interpretoj në të ardhmen, kam zgjedhur që gjithsesi të interpretoj diçka nga kompozitorët tanë. Pjesa e parë sipas renditjes në program ishte e kompozitorit Aulon Naçi, një simfoni të cilën ka vite që e interpretoj në vende të ndryshme dhe jam e lumtur ta interpretoj për herë të parë në Prishtinë. Gjithashtu përmbylljen e kam bërë me një perlë shqiptare, siç është ‘Margjelo’”, tha Qerkezi.

Pas hapjes më 23 korrik me koncertin tradicional “Nexhmije Pagarusha” e pastaj edhe rrugëtimin në disa qytete me të njëjtin program, të hënën mbrëma në hapësirat e jashtme të Bibliotekës Kombëtare ka vijuar programi i edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”.

Dallimi i kushteve nga ku interpreton Qerkezi në koncertin në Prishtinë është si nata me ditë. Imazhet e saj në role si Norma, Manon, Leonora e të tjera kanë qenë parashfaqja e koncertit. Me të nisur e ka ridëshmuar suksesin e saj në skenën ndërkombëtare. E ka hapur me veprën “Après un rêve” nga Gabriel Fauré si hyrje e lehtë, emocionale, pa shpërthime. Të tilla kanë qenë edhe “O mio babbino caro” nga opera “Gianni Schicchi” e Puccinit e “Casta Diva” nga opera “Norma” e Bellinit.

Rikthimi në skenë i sopranos Qerkezi ka qenë ndryshe, në këngën e saj e në pamje. Veprat janë prej atyre qe i ka perfeksionuar kaherë si pjesë të produksioneve të plota në të cilat ka luajtur. Kësaj here, jo me Orkestër të plotë, por thjesht me tinguj pianoje. “Vissi d’arte” nga “Tosca” e Puccinit është sjellë si rrëfim prekës e thellësisht emocional. Zëri i saj kalon lehtësisht nga notat më të larta e deri në ato tejet të ulëta pa kontraste, gradualisht.

Qerkezi ka sjellë ndjesinë e lojës së saj në skenat operistike me aktrim në skenë. Ka thënë se këtë koncert do ta kujtojë gjatë.

“Ishte një mbrëmje shumë e bukur, shumë e veçantë dhe që me siguri do të mbetet shumë gjatë në zemrën time. Një rikthim për publikun tim të dashur, një paraqitje e parë në pesëvjetorin e këtij festivali madhështor. U kënaqa shumë, shpresoj që edhe publiku e ka shijuar aq sa unë, ose edhe më shumë, pse jo”.  

Ka kohë që sopranoja Marigona Qerkezi aterron nga një shtëpi prestigjioze operistike në tjetrën. Këtë muaj është ndalur në një nga më ikoniket në botë – në “Royal Opera House” të Londrës. Ka jehuar me një prej kryeroleve, si Leonora nga “Il Trovatore” e Verdit. Me katër shfaqje ka debutuar në shtëpinë historike të operës.

Kontrastet midis këtyre dy paraqitjeve janë të mëdha, por Qerkezi është shprehur se dashuria e publikut dhe vullneti për të interpretuar i shumëfishohet në vendin e saj.

“Erdha e freskët nga performancat nga ‘Royal Opera House’ në Londër prej rolit të Leonorës. Është magjia e punës dhe asaj që kam zgjedhur ta bëjë gjatë gjithë jetës që dashurinë e publikut e mbaj gjithmonë në vete dhe e kam të freskët atë të publikut londinez. Ajo m’u shumëfishua dhe u thellua shumë me publikun tim, i cili gjithmonë është i veçantë. Ajo dashuri mbizotëron sikur edhe vullneti për të interpretuar këtu, pavarësisht gjithë të tjerave, por që të përbashkët e kanë dashurinë për vendin”.

Në radhë, pianistja e organistja amerikane Jess Rucinski ka interpretuar “Sonatine, Ill Animé” nga Maurice Ravel. Ritmet janë harmonike që çakordohen shpesh, por kur ritmi ngadalësohet e gjejnë vetveten. Ka ndarë emocionet e saj për të interpretuar për të parën herë në Prishtinë, ndonëse, siç ka thënë, ka qenë e lidhur me Festivalin në mënyrë indirekte.

“Ishte shumë bukur. Më pëlqeu kjo hapësirë midis qytetit. Ishte kënaqësi të shihja se sa shumë njerëz erdhën dhe se sa shumë e vlerësojnë Marigonën. Për mua, edhe pse nuk kam qenë kurrë në Kosovë dhe kisha vetëm lidhje indirekte me Festivalin, ndihem shumë e mirëseardhur me njerëzit me të cilët kam punuar dhe jam takuar”, tha Rucinski.

E sapo duartrokitjet e ngritja në këmbë e krejt publikut kanë shënuar ritualin e nderimit të një performuesi në skenë, ato kanë qenë vendimtare që sopranoja Marigona Qerkezi e tenori Rame Lahaj, në bis, për herë të parë ta ndajnë skenën bashkë. Dueti i bukur midis tyre ka qenë një arie nga opera “Tosca” e Puccinit, me të cilën vepër Qerkezi së shpejti debuton në Operën Mbretërore të Danimarkës.

“Një ide shumë organike do të thosha sepse kisha dëshirë të madhe ta kisha Ramen qoftë edhe për pak minuta. Zgjodha një pjesë që natyrisht ai e ka interpretuar shumë herë, unë do të shkoj ta debutoj në Teatrin Mbretëror në Kopenhagë, siç është ‘Tosca’. E bëmë hyrjen e dy personazheve kryesore dhe publiku shpresoj që e shijoi”.

Sopranoja nga Kosova me nam në skenat e operës në katër anët e botës ka dëshmuar kaherë mjeshtërinë e këndimit lirik. Kjo është bileta e saj për paraqitjet skenike në teatro, si: “La Scala”, “Neë National Theatre Tokio”, Operën Shtetërore të Berlinit, “Palm Beach Opera” dhe shumë më shumë. Të gjitha paraqitjet e saj janë prej atyre ku Qerkezi sjell role kryesore.

Debutimin profesional operistik sopranoja e pati në moshë të re. Ka ngjitur skenat në Slloveni, Itali, Britani të Madhe, Holandë, Kroaci, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Shqipëri, Zvicër, Turqi, Mal të Zi, Oman, Japoni, Finlandë, Dubai, Shtetet e Bashkuara e Britania e Madhe. E presin ende skena të shumta. Ndërsa në Prishtinë ishte edhe në dhjetorin e kaluar në koncertin e organizuar nga Opera e Kosovës ku pati interpretuar bashkë me tenorin e shquar në botë, Saimir Pirgu, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Ajo premton të kthehet sërish. Se në vendin e saj këndon jo veç me zë, por edhe me zemrën plot.