Kulturë

Lucia Pietroiusti, kuratore e “Autostrada Biennales” me fokus në ekologji

Lucia Pietroiusti: “’Autostrada Biennale’ është unike: ndërsa edicionet vijnë e shkojnë, ajo që ndërtohet mbetet. Infrastruktura kulturore thelbësore vazhdon të qëndrojë dhe të rritet”

Lucia Pietroiusti: “’Autostrada Biennale’ është unike: ndërsa edicionet vijnë e shkojnë, ajo që ndërtohet mbetet. Infrastruktura kulturore thelbësore vazhdon të qëndrojë dhe të rritet”

“Edicioni i ardhshëm do të jetë komplet me një fokus shumë më të madh dhe kemi parë që kjo është një zgjedhje e duhur dhe jemi shumë të lumtur që lajmi është ndarë dhe ne zyrtarisht kemi filluar punën me kuratoren”, ka thënë Vatra Abrashi, njëra nga drejtueset e “Autostrada Biennale”, për përzgjedhjen e Lucia Pietroiustit kuratore të edicionit të ardhshëm të “Autostrada Biennales”

Hapi i parë drejt kapitullit unik të radhës për “Autostrada Biennale” është hedhur, megjithëse edhe ky kërkon përkushtim e punë të madhe nga ekipi i ngjarjes që po bën nam në skenën ndërkombëtare. 

Zyrtarisht Lucia Pietroiusti është kuratorja e edicionit të gjashtë të bienales së artit bashkëkohor që mbahet në verën e vitit që vjen. Temat ekologjike janë praktikë e veprimtarisë së saj në skenën ndërkombëtare. E po ato kanë qenë edhe vizioni i drejtuesve të “Autostradës...” për edicionin e radhës. Ata që e përcjellin bienalen e dinë se çdo vepër në edicionet e ngjarjes është e kuruar me kujdes. Të vendosura nëpër Qendrën Historike të Prizrenit e nëpër hangarë, veprat kryesisht rezonojnë duke komunikuar me gjuhë bashkëkohore nëpër ambiente tradicionale. Vitin e ardhshëm ngjarja zhvillohet prej korrikut në shtator. Koncepti kuratorial, bashkë me listën e artistëve dhe programet publike pritet të bëhen publike gjatë këtij viti. Bienalja ka bërë me dije se edhe në edicionin e radhës mbështetet në përvojën dhe trashëgiminë e edicioneve të kaluara. 

Vatra Abrashi, njëra nga drejtueset e “Autostrada Biennale”, ka thënë se e kanë orientuar kërkimin e tyre te kuratorët që çështjet ekologjike i kanë praktikë dhe qasje të tyre. 

“Është kuratore që me vitet të tëra punon me ekologjinë, temat ekologjike në art i ka trajtuar ndër vite, kështu që kjo është qasja jonë për edicionin e ardhshëm, megjithëse gjithmonë e kemi pasur për temë ambientin, mbrojtjen e mjedisit, ekologjinë. Edicioni i ardhshëm do të jetë komplet me një fokus shumë më të madh dhe kemi parë që kjo është një zgjedhje e duhur dhe jemi shumë të lumtur që lajmi është ndarë dhe ne zyrtarisht kemi filluar punën me kuratoren. Po e presim në mars të vijë me hulumtimin e parë kuratorial”, ka thënë Abrashi në një bisedë për KOHËN. 

Është shprehur se vizioni i “Autostradës...” dhe i kuratores Lucia Pietroiusti është i përbashkët. 
“Me kuratoren nuk jemi takuar, por kemi qenë duke hulumtuar dhe duke ia përcjellë praktikën dhe punën e saj. Ka kohë që jemi duke e përcjellë punën e saj si kuratore. Në momentin që kemi vendosur ta thërrasim, kemi parë që ajo është shumë afër me rrethin e njerëzve tanë, me kuratorët e mëhershëm, me artistët të cilët kemi punuar. Kemi marrë 'feedback' të mirë për punën e saj profesionale e për atë si njeri”, ka thënë Abrashi duke theksuar përputhshmërinë e praktikës së kuratores në atë që kanë synuar të rrëfehet me art në edicionin e gjashtë të ngjarjes. 

“Kemi pasur takime online dhe e kemi parë që ajo që ne duam ta shtyjmë në edicionin e ardhshëm është shumë e përafërt me praktikën e vizionin e saj. Kemi parë përputhshmëri të madhe se nga duam ta drejtojmë edicionin e ardhshëm bashkë me Lucian. E kemi parë që është zgjedhje e duhur dhe ajo ka qenë e lumtur, e ka pranuar ftesën”, ka vazhduar ajo më tej. 

 “Autostrada...” nuk njeh kufij. Temat e edicioneve të saj janë rrëfime universale

Historia e bienales ka nisur me kuratorin Manray Hsu nga Tajvani në vitin 2017 nën temën “E ardhmja e kufijve”. Më 2019 italiani Giacinto Di Pietrantonio kuroi edicionin e dytë nën temën “Revolucioni jemi ne”.  Polakja Joanna Warsza e turkja Övül Ö. Durmuşoğlu udhëhoqën bienalen me temën “Çka nëse një rrugëtim” sikurse edhe në edicionin pasues duke sjellë qasjen poetike me temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”. 

Edicioni i fundit u mbajt vitin e kaluar prej 5 korrik deri më 5 tetor. U kurua nga Erzen Shkololli nën temën “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës”. 

Të gjithë janë kuratorë me reputacion në skenën ndërkombëtare të artit. E “Autostrada...” veçse ka bërë emër në të. Me punë e përkushtim ka arritur të tërheqë artistë e kuratorë me nam nga e gjithë bota. “Autostrada...” nuk njeh kufij. Temat e edicioneve të saj janë rrëfime universale. 

“Jemi shumë të lumtur që reputacioni i bienales ka ndikuar që kuratorë të mëdhenj e pranojnë pa hezitim ftesën për të qenë pjesë e bienales. Bashkërisht na hedh para një përgjegjësie të punojmë sa më shumë, jo vetëm për një edicion të suksesshëm, por për gjithçka që ky edicion do t’i sjellë vendit tonë e artistëve, komunitetit dhe jo veç Prizrenit, por gjithë vendit. Edhe vetëm me lansimin e lajmit kemi tërhequr vëmendje, mediat ndërkombëtare po shkruajnë dhe janë të interesuara të vijnë ta përcjellin bienalen”, është shprehur bashkëthemeluesja e “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi. 

Kuratorja britaniko-italiane Lucia Pietroiusti, jeton dhe vepron midis Londrës dhe Holandës. Në deklaratën e saj të publikuar nga Bienalja, ajo shprehet se ngjarja ka riformësuar jetën kulturore në Kosovë ndërsa shprehet mirënjohëse që është pjesë e edicionit të ardhshëm. 

“Duke parë drejt vitit 2027, duam të rikujtojmë rëndësinë e sjelljes së butësisë në tryezën e përbashkët; të vendosim besimin tonë në kapacitetin e artit për të krijuar hapësirë për jetë, gëzim, përjetim dhe ndërlidhje, në një kohë të shënjuar nga frika. Edicioni i gjashtë ndjek një rrugë të hapur nga themeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, dhe i mbështetur nga puna e jashtëzakonshme e kuratorëve të edicioneve të mëparshme", shkruhet në deklaratën e saj. 

Bienalen e konsideron unike dhe model për ngjarje të tilla. 

“’Autostrada Biennale’ është unike: ndërsa edicionet vijnë e shkojnë, ajo që ndërtohet mbetet. Infrastruktura kulturore thelbësore vazhdon të qëndrojë dhe të rritet. Ky është një model për festivale të përkohshme që janë të përkushtuara ndaj mbështetjes së ekosistemit më të gjerë kulturor. Jam e nderuar të udhëheq rrugëtimin e saj gjatë dy viteve të ardhshme”, shkruhet më tej në deklaratën e kuratores. 

Ndërsa në atë të themeluesve Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, shkruhet se angazhimi i kuratores Pietroiusti rezonon me praktikat e eksploruara ndër vite të Bienales. 

“Jemi të lumtur ta ndajmë lajmin se Lucia Pietroiusti do të jetë kuratore e edicionit të gjashtë të ‘Autostrada Biennale’ në vitin 2027. Angazhimi i saj afatgjatë me artin bashkëkohor dhe mendimin ekologjik rezonon thellë me pyetjet dhe praktikat që i kemi eksploruar ndër vite. Mënyra e saj e punës përtej institucioneve, disiplinave dhe konteksteve përputhet ngushtë me përkushtimin e ‘Autostradas’ ndaj artit si hapësirë për lidhje, kujdes dhe përgjegjësi të përbashkët”, shkruhet në deklaratën publike.
Lucia Pietroiusti angazhohet në hulumtim dhe eksperimentim në ndërthurje të artit, ekologjisë dhe sistemeve. Ajo e udhëheq programin për hulumtim dhe emergjenca në “Hartwig Art Foundation” në Amsterdam, ku është e angazhuar në përgatitjet për “Hartwig Museum”, i cili pritet të hapet në vitin 2028. Në biografinë e saj shkruhet se ajo deri në gushtin e kaluar drejtonte programin “Ecologies in Serpentine” në Londër, ku themeloi projektin “General Ecology” më 2018. Publikimet e saj më të fundit përfshijnë librin  “The Shape of a Circle in the Mind of a Fish” (2025), në bashkëpunim me Filipa Ramos. Së bashku me Ramos, ajo ka qenë gjithashtu kuratore e “Songs for the Changing Seasons”, “Vienna Klima Biennale” (prill–korrik 2024), si dhe e “Persones Persons” në edicionin e tetë të “Biennale Gherdeïna” dhe e shumë ngjarjeve të mëdha të artit në botë.