Kulturë

“Autostrada Biennale” zgjerohet me homologë si pikënisje e re për dialog

“Autostrada Biennale” zgjerohet me homologë si pikënisje e re për dialog

Drejtorë e përfaqësues të Bienales së Stambollit, asaj të Berlinit, të Lubjanës, por edhe të organizatave të tjera nga regjioni, do t’i bashkohen “Autostrada Biennales” në aktivitetet përmbyllëse të edicionit të pestë. Është një takim i menduar si “një pikënisje e re për dialog - një mundësi për të reflektuar mbi pyetjet që ky edicion ka hapur dhe për të imagjinuar çfarë mund të arrihet kur krijohen lidhje përtej kufijve institucionalë dhe modeleve tradicionale”

Sikur hapja që qe madhështore, edhe mbyllja e edicionit të “Autostrada Biennale” –  ngjarja tremujore me nam të artit bashkëkohor që ka zënë vend në Prizren – do të kurorëzohet me dy ditë aktivitete me bienalet prestigjioze evropiane. Institucionet homologe, pjesë e Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve, në të cilin “Autostrada…” është anëtarësuar tetorin e kaluar, me ngjarjen nikoqire krijojnë dialog si mundësi për të reflektuar në bashkëpunim e krijim të marrëdhënieve afatgjata. 

Aktivitetet e mbylljes së “Autostradës…” parashohin edhe performanca prej atyre që kanë qenë pjesë e programit të edicionit të pestë, që u hap më 5 korrik. Por kryengjarja e një prej aktiviteteve më të rëndësishme të edicionit është bashkëpunimi rajonal i bienaleve në kuadër të Shoqatës Ndërkombëtare të Bienaleve (IBA). 

“Ky takim është menduar si një pikënisje e re për dialog –  një mundësi për të reflektuar mbi pyetjet që ky edicion ka hapur dhe për të imagjinuar çfarë mund të arrihet kur krijohen lidhje përtej kufijve institucionalë dhe modeleve tradicionale”, është paralajmërimi i aktiviteteve me 3 dhe 4 tetor.

“Autostrada...” u bë anëtare e saj gjatë Asamblesë së 11-të të Përgjithshme të saj të mbajtur në Lyon të Francës. Bashkëthemeluesja e Bienales, Vatra Abrashi, ka thënë se kjo ngjarje, e ngjarje si këto, e vendosin Kosovën në hartën ndërkombëtare të skenës së rëndësishme kulturore.  I sjell të mira edhe skenës artistike të Kosovës në nivel ndërkombëtar për të qenë në një vend me bienalet shumë serioze në botë dhe të merret ‘Autostrada...’ si shembull në shumë raste të qasjes së saj se si punon me hapësirat, me komunitetin, me artistët, si i kthen hapësirat e ndryshme për komunitetin dhe si i transformon ato, si punojmë gjatë gjithë vitit në ‘Autostrada...’. Këto janë krejt aspektet që po shikohen me shumë vëmendje nga bienalet e tjera dhe po e marrin si shembull rastin e ‘Autostrada Biennale’ dhe qasjen që ne e kemi”, është shprehur ajo duke thënë se rezultati i këtij anëtarësimi ka qenë i menjëhershëm. 

“Menjëherë pas anëtarësimit ka ardhur rezultati që ne bashkërisht kemi planifikuar një program publik ku në kuadër të mbylljes do të vijnë drejtorë e përfaqësues të Bienales së Stambollit, asaj të Berlinit, të Lubjanës, por edhe të organizatave të tjera nga regjioni për të qenë pjesë e programit. Kjo është arritje e jashtëzakonshme për shkak se shumica prej tyre për herë të parë vijnë për ta parë Bienalen, por edhe për të qenë pjesë e programit”, ka thënë Abrashi në një bisedë për KOHËN. 

Është bërë e ditur se takimi është menduar si pikënisje e re për dialog. Abrashi ka thënë se programi me IBA-në përfshin dy panele diskutimi. 

“Do të jenë dy panele të diskutimit ku bashkërisht do të shohim se si mund të bashkëpunojmë jashtë fondeve të ndryshme tradicionale, si mund të jemi në solidaritet, si mund të shkëmbejmë sa më shumë, si mund të krijojmë programe të ndryshme. Besoj se do të jetë një mundësi e mirë në shkëmbimin e informatave kuptimplotë për ne, por edhe për partnerët lokalë, për të krijuar bashkëpunime të ndryshme”, ka treguar ajo. 
Ka bërë të ditur se diskutimi i ditës së parë të programit, pra më 3 tetor, është i mbyllur. 
“Përfaqësuesit e bienaleve dhe partnerëve të tjerë diskutojnë për çështje që konsiderohen shumë të rëndësishme se si mund të bashkëkrijojnë programe të rëndësishme shkëmbimi, të rezidencave e të prodhimit të veprave të artit”, ka treguar bashkëthemeluesja e “Autostradës...”. 

E më 4 tetor komuniteti artistik e qytetarët kanë rastin të dëgjojnë përvoja të ndryshme të mysafirëve të “Autostradës...” dhe jo vetëm. 

“Dita e dytë është bashkëpunimi ndërsektorial që do të jetë më i gjerë, është i hapur për publik, ku profesionistë të profileve të ndryshme vijnë për të qenë pjesë e diskutimit si një lloj tryeze e rrumbullakët. Do të diskutojmë se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi i sektorëve të ndryshëm, duke trajtuar çështje të ndryshme me rëndësi, qoftë në art, edukim, teknologji. Do të jetë pak më diverse, më e hapur pjesa e dytë e diskutimit”, ka thënë Abrashi. 

Pos pjesëmarrësve të organizatorëve të ngjarjeve prestigjioze si Bienalja e Stambollit, Bienalja e Berlinit, Bienalja e Arteve Grafike e Lubjanës, mysafirë do të jenë edhe institucione e nisma kulturore të Shqipërisë, Greqisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës. 

Sipas Abrashit, aktiviteti i programit përmbyllës të edicionit të 5-të vjen edhe si akt politik e krijues, në kohën kur shoqëria globale po përballet me shumë trazira.  Por edhe si tregues se ku qëndron bienalja nga Prizreni. 

“Është shumë e rëndësishme në këtë kohë kur po ndodhin trazira të ndryshme të ulemi dhe të diskutojmë se cilat janë mundësitë tona, si mund të jemi më solidarë me njëri-tjetrin, si mund të krijojmë programe të cilat i ndihmojnë njëri-tjetrit, cilat do të prodhojnë rezultate më të qëndrueshme, të gjitha këto aspekte janë shumë të rëndësishme. Duke e parë se si po shkon ky program, do të vazhdojmë më tutje të krijojmë e ndërtojmë edhe programe të tjera”, është shprehur ajo.

Ka bërë të ditur se dy performanca risillen nga autorët e tyre: “Music Requisites” nga Silva Agostini në hapësirat e Parkut të Trajnimeve dhe Inovacionit në Prizren, si dhe vepra “Tuning In – The Neighborhood” nga Tao G. Vrhovec Sambolec në rrugën “Marin Barleti”. 

Më 5 tetor, që do të jetë dita e mbylljes së edicionit të sivjetmë të “Bienales”, publiku do të ketë mundësinë e fundit për të parë veprat. Abrashi ka thënë se deri tash ka shkuar gjithçka mirë me edicionin e pestë, ndërsa ka pasur numër të madh të vizitorëve në ekspozitat e saj publike. 

“Jemi shumë emocionalë, sepse po shkon shumë mirë. Këtë vit e kemi zgjeruar, ‘Bienalja’ është për tre muaj dhe gjithë shtatorin ua kemi dedikuar shkollave. Çdo të diele kemi pasur punëtori me fëmijët, ka pasur interesim shumë të madh. Ka pasur interesim të organizatave ndërkombëtare që kanë ardhur posaçërisht për ‘Autostrada Biennale’, ka pasur artistë e kuratorë nga rajoni, por edhe qytetarë. Neve na gëzon jashtë mase që ky edicion po mbyllet me vizitueshmëri të lartë. Po e mbyllim me shumë suksese, por edhe me nostalgji. Por jemi shumë të lumtur që po mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme që besoj se do të jetë me rezultate afatgjate”, është shprehur ajo.

Në mbyllje të edicionit të pestë të “Autostrada Biennale” do të ketë edhe ngjarje muzikore, duke shënuar fundin e kapitullit të pestë në frymë festive.