Procesi intensiv hulumtues e kuratorial i udhëhequr nga kuratorja italiane, Lucia Pietroiusti, i zhvilluar në fundmars ka rezultuar në përzgjedhjen e një grupi artistësh të përzgjedhur për të marrë pjesë në edicionin që do të zhvillohet në verë të vitit të ardhshëm. Në vizitën e radhës, Pietroiusti vjen bashkë me këta artistë për t’u njoftuar me kontekstin e vendit për zhvillimin e idesë së veprave të tyre, ndërsa vetë kuratorja me zhvillimin e mëtejmë të temës, konceptit e përzgjedhjen e artistëve të “Autostrada Biennale”
Kapitulli i radhës i “Autostrada Biennale” po merr formë. Një prej ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor që organizohet në Kosovë dhe jep efekt ndërkombëtar, ka hyrë në ciklin e formësimit për edicionin e ri. Procesi intensiv hulumtues e kuratorial i udhëhequr nga kuratorja italiane Lucia Pietroiusti i zhvilluar në fundmars ka rezultuar në përzgjedhjen e një grupi artistësh të përzgjedhur për të marrë pjesë në edicionin që do të zhvillohet në verë të vitit të ardhshëm.
Në vizitën e radhës, Pietroiusti vjen bashkë me këta artistë për t’u njoftuar me kontekstin e vendit për zhvillimin e idesë së veprave të tyre, ndërsa vetë kuratorja me zhvillimin e mëtejmë të temës, konceptit e përzgjedhjen e artistëve. Siç ka bërë me dije bashkëthemeluesja e bienales, Vatra Abrashi, gjithçka parashihet të jetë gati në shtator kur do të publikohen të gjitha materialet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në bazë të diskutimeve duket të dalë shumë bukur, por po mendojmë të lansojmë konceptin e temën më herët, po besoj që në shtator veç dalim me temën”, ka thënë ajo në një bisedë për KOHËN.
Por deri aty, ekipin e edicionit të gjashtë të bienales e pret shumë punë. Vizita e parë ka qenë thelbësore për ndërtimin e edicionit të ardhshëm, por sipas Abrashit, vizita gjashtëditore në Kosovë, e para ndonjëherë për kuratoren Pietroiusti, ka qenë tejet produktive.
“Viti përpara bienales, vërtet nuk është vit i bienales, por ka shumë përgatitje. Që nga momenti kur e kemi zgjedhur kuratoren, e cila edhe e ka pasur vizitën e parë, jemi përgatitur që kjo vizitë të jetë sa më produktive, të takojë sa më shumë artistë, partnerë, ta vizitojë Prizrenin, të njihet me kontekstin. Ka qenë shumë intensive, por asaj i ka bërë shumë përshtypje konteksti, shndërrimi i ‘Autostrada Hangar’ në institucion, e gjithë puna që është bërë më parë”, ka theksuar ajo duke shtuar se kuratorja është frymëzuar tej mase nga përvoja në terren.
“Është frymëzuar jashtëzakonisht shumë nga vizitat që kemi pasur në Prizren, në objektet e trashëgimisë kulturore dhe gjithë rrugëtimi aty e ka frymëzuar shumë. Tërë kohën vinte me ide”, ka treguar Abrashi.
Vizita shënon fillimin e dialogut të gjerë të saj me qytetin, artistë e institucione kulturore. Nga hapësirat e “Autostrada Hangar”, tashmë i konsoliduar si institucion i artit bashkëkohor, deri te shtresat historike dhe kulturore të qytetit të Prizrenit dhe jo vetëm, përvoja dëgjimore e Pietroiustit u shndërrua në reflektim për vizionin e saj për edicionin e ardhshëm të cilin e ka mbi supe për nga ana përmbajtjesore.
Gjatë qëndrimit gjashtëditor, kuratorja ka zhvilluar takime të shumta me artistë, arkitektë, kuratorë dhe punonjës kulturorë, jo vetëm në Prizren, por edhe në Prishtinë. Vizitat në institucione qendrore si Biblioteka Kombëtare dhe Galeria Kombëtare, si dhe takimet me figura të rëndësishme të skenës artistike, përfshirë kuratorin e edicionit të kaluar Erzen Shkololli, i kanë shërbyer asaj si panoramë e peizazhit kulturor në vend.
Në këtë fazë, bienalja nuk përjashton as mundësinë e zgjerimit gjeografik, duke përfshirë edhe Prishtinën si hapësirë potenciale ekspozimi. Një lëvizje që do të vinte pas prekjes artistike të bienales në kryeqytet për së fundi herë në edicionin e katër të kuruar nga turkja Övül Ö. Durmusoglu dhe polakja Joanna Warsza nën temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”.
“Kuratores i ka lënë përshtypje edhe konteksti në Prishtinë, nuk ka diçka konkrete ende”, ka treguar Vatra Abrashi.
“Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” (2023), nga Hera Büyüktaşçıyanm ishte vepra e ekspozuar në ish-Tulltore ndërkohë që në edicionin e tretë, po ashtu të kuruar nga kjo dyshe, kishte zënë vend “Fusha e lulediellit” (2021) nga Agnes Denes.
Vizioni e ideja për edicionin e gjashtë është ende në proces. Ndërkohë që grupi i parë i artistëve është identifikuar, një thirrje e hapur për artistët për të dërguar portfoliot e tyre në adresën e “Autostradës...” vazhdon të mbetet e hapur. Nuk bëhet fjalë për një formë aplikimi a përzgjedhjeje, thjesht për një pikëpamje për njohje e potencialisht edhe ftesë, nëse artisti a artistja i përshtatet praktikës e konceptit të saj në ndërtimin e sipër për edicionin e gjashtë të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
“Nuk është formë aplikimi për bienale, por e dërgimit të portfoliove të artistëve nga vendi e jashtë tij nëse dikush përshtatet me kontekstin e konceptin e kuratores dhe dëshiron ta ftojë atë. Kjo formë ishte aplikuar edhe në edicionin e parë me kuratorin nga Tajvani. Kemi marrë shumë portfolio nga Kosova, nga regjioni dhe të gjitha ato i kemi ndarë me kuratoren. Ajo është duke i shikuar, duke u njoftuar dhe jemi shumë të lumtur që e kemi bërë. Nuk është domosdoshmërisht përzgjedhje, por më shumë njohja me artistët e regjionit”, ka thënë bashkëthemeluesja e bashkëdrejtuesja e “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi.
Vizita e dytë e kuratores italiane, Lucia Pietroiusti në Kosovë pritet të ndodhë në fillim të muajit qershor. Me këtë rast ajo do të njihet edhe me programin gjeneral të “Autostradës...” duke parë nga afër edhe ngjarjet që organizon e që mbledhin institucione ndërkombëtare me peshë të botën e artit.
Abrashi ka thënë se ajo edhe do të shohë nga afër programin, edhe do të njoftohet me kontekstin e vendit për të ardhur me ide të reja.
“Në programin në të cilin jemi duke u bërë gati me ‘Allianz Foundation’ jemi duke u përgatitur për Samitin që e mbajmë në kuadër të programit në të cilin jemi bashkë me partnerët tanë në Stamboll, në Palermo, Spanjë dhe në Belgjikë. Në këtë rast kuratorja do të vijë edhe t’i njoftojë këta partnerë, por edhe me grupin e parë të artistëve të cilët veçse janë përzgjedhur për të qenë pjesë e edicionit në bazë të hulumtimit të parë që kuratorja e ka bërë gjatë vizitave”, ka thënë ajo.
Për ngjarjen, Abrashi ka lajmëruar se do të zhvillohet më 4, 5 e 6 qershor. Dita e parë do të jetë e mbyllur, ndërsa dy të tjerat do të ketë ngjarje të ndryshme ku ftohet edhe publiku.
Paralelisht me përgatitjet për edicionin e ardhshëm, “Autostrada Biennale” vazhdon aktivitetin e saj gjatë gjithë vitit, me programe edukative si punëtoritë javore për fëmijë duke krijuar lodra dhe objekte sipas dëshire, prej druri.
“Makinat për përpunim të drurit janë të certifikuara për sigurinë e fëmijëve. Muaji i parë është përfunduar me grupin e parë e tash përgatitje për maj. Do të vazhdojë edhe programi veror”, ka njoftuar Abrashi.
Në janar të këtij viti, Lucia Pietroiusti u zyrtarizua si kuratore e edicionit të gjashtë të bienales së artit bashkëkohor që mbahet në verën e vitit që vjen. Temat ekologjike janë praktikë e veprimtarisë së saj në skenën ndërkombëtare.
Kuratorja britaniko-italiane, Lucia Pietroiusti, jeton dhe vepron midis Londrës dhe Holandës. Në deklaratën e saj të publikuar nga Bienalja, ajo shprehej se ngjarja ka riformësuar jetën kulturore në Kosovë ndërsa shprehej mirënjohëse që është pjesë e edicionit të ardhshëm.
Historia e bienales ka nisur me kuratorin Manray Hsu nga Tajvani në vitin 2017 nën temën “E ardhmja e kufijve”. Më 2019 italiani Giacinto Di Pietrantonio kuroi edicionin e dytë nën temën “Revolucioni jemi ne”. Polakja Joanna Ëarsza e turkja Övül Ö. Durmuşoğlu udhëhoqën bienalen me temën “Çka nëse një rrugëtim” sikurse edhe në edicionin pasues duke sjellë qasjen poetike me temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”.
Edicioni i fundit u mbajt vitin e kaluar prej 5 korrik deri më 5 tetor. U kurua nga Erzen Shkololli nën temën “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës”.
Si edicionet e kaluara, edhe i gjashti po ndërtohet si ekspozitë e madhe ndërkombëtare e si vazhdim i dialogut artistik me rrëfimet e saj universale.