Hyn te ngjarjet e rëndësishme të artit bashkëkohor edhe në skenën ndërkombëtare. Narrativa për “Autostrada Biennale” është histori më vete për faktin se organizimi më i madh i këtij formati në vend zë vend pikërisht në qytetin që nuk ka galeri të arteve. Por kjo nuk e ndal, madje e bën më unike atë për hapësirat që shfrytëzon: objektet e trashëgimisë kulturore dhe ish-kampin ushtarake gjermane. “Autostrada…” nisi me shkëlqimin e artit dhe u mbyll me pasqyrën e reputacionit të saj në skenën ndërkombëtare
Ndonëse ngjarje relativisht e re, ajo shpejt ka fituar reputacion në skenën ndërkombëtare. Hyn te ngjarjet e rëndësishme të artit bashkëkohor edhe në skenën ndërkombëtare. Narrativa për “Autostrada Biennale” është histori më vete për faktin se organizimi më i madh i këtij formati në vend, zë vend pikërisht në qytetin që nuk ka galeri të arteve. Por kjo nuk e ndal, madje e bën më unike atë për hapësirat që shfrytëzon: objektet e trashëgimisë kulturore dhe ish-kampin ushtarake gjermane. “Autostrada…” nisi me shkëlqimin e artit dhe u mbyll me pasqyrën e reputacionit të saj në skenën ndërkombëtare.
Veç ceremonia e hapjes qe tri ditë. Po aq edhe e mbylljes. Për tre muaj qe e mbushur me vizita, programe edukative, ngjarje. Veprat qëndruan si rekuizita unike brenda monumenteve të trashëgimisë kulturore duke krijuar dialog midis tradicionales e bashkëkohores. Shenjat e bienales tashmë me nam u shpërndanë gjithandej, e ato qenë mesazhe jo vetëm për publikun vendas, por edhe për atë ndërkombëtar që vizitoi ekspozitat e ngjarjes.
Edicioni i pestë, që sivjet u kurua nga Erzen Shkololli, nën temën “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” është mbyllur zyrtarisht të dielën. Është shënuar me 3 tetor me diskutim të mbyllur me partnerët e bienales dhe mysafirët nga Asociacioni Ndërkombëtar i Bienaleve (IBA), organizatë në të cilën bienalja nga Prizreni është anëtarësuar tetorin e kaluar.
Të shtunën në mesditë u zhvillua edhe një diskutim publik nën temën “Bashkëpunimi ndërsektorial dhe mundësitë e tij”, në partneritet me IBA, Bienalen e Stambollit, Bienalen e Berlinit dhe Bienalen e Lubjanës.
Koordinatori i Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve, Christian Oxenius, ka thënë se diskutimi ka pasur për qëllim të ndahet me publikun se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe të tregohet se çfarë hapësirash ofrohen për artistët e për partnerët e institucionit.
“Asociacioni i Bienaleve është një organizatë e bienaleve botërore e cila është bashkuar 12 vjet më parë për të ndarë eksperienca, praktika, të kujdesen për njëri-tjetrin, për të bashkëpunuar dhe për të krijuar partneritete që shkojnë përtej. Kështu që kemi pasur shkëmbime të stafit, bashkëprodhime, programe të organizuara në kombinim midis ngjarjeve kudo në botë. Një gjë për të cilën jam krenar është që drejtuesit e organizatave, pra shumë prej njerëzve që marrin vendime në IBA, e dinë se çfarë do të thotë të udhëheqësh një organizatë”, ka thënë në fillim të diskutimit Oxenius, i cili në një formë edhe e ka moderuar këtë diskutim.
Bashkëpunimi dhe partneriteti midis ngjarjeve homologe është konsideruar jetik për funksionimin e programeve të tyre. ADN-ja e bienaleve është konsideruar improvizimi. Hapësira ekspozuese ka pasur rol të veçantë në këtë diskutim dhe ka qenë një lloj pike kyçe. Bazuar në atë çfarë folësit kanë thënë, galeria është jo gjithmonë e rëndësishme për aq kohë sa mund të përdoren hapësira alternative si objektet historike.
Bashkëthemeluesja e “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi, e ka konsideruar edicionin e pestë si udhëtim të bukur bashkëpunimi me partnerë, artistë, qytetin e gjithë komunitetin.
“’Autostrada Biennale’ u organizua në një qytet që nuk ka galeri, por është e pasur me lokalitete të trashëgimisë kulturore. Hapja e tyre me këtë program, me gjithë këta artistë të mrekullueshëm dhe veprat e tyre ka qenë kuptimplote, por gjithashtu për trajtimin e temave të ndryshme të rëndësishme për shoqërinë dhe për impaktin që ka në komunitet në një kohë kur të gjithë operojmë dhe punojmë në kuptimin e asaj se puna jonë bazohet në fonde”, ka thënë ajo derisa ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve.
“Bashkëpunimet janë më se të nevojshme, kanë qenë gjithmonë, por tani është shumë e rëndësishme të përkrahim dhe të mbështetemi në njëri-tjetrin në mënyrë që të krijojmë dhe të vazhdojmë qëndrueshmërinë që kemi tash”, është shprehur Abrashi.
Ka përmendur se me programin e këtij edicioni vëmendja për objektet e trashëgimisë kulturore ka qenë më e shtuar.
“Këtë edicion kemi punuar me Erzen Shkolollin, i cili i ka kushtuar vëmendje hapësirave të trashëgimisë kulturore, duke i aktivizuar ato me ekspozita, por gjithashtu ne si bienale mundohemi të bëjmë program publik dhe të përfshijmë sa më shumë partnerë. Para përgatitjes së ekspozitës, duhet hulumtim i thellë”, është shprehur Abrashi.
Duke folur për hapësirat në të cilat është shtrirë edicioni i pestë i “Autostrada Biennale”, bashkëthemeluesi Leutrim Fishekçiu, ka theksuar lidhjen e bienales me zonën historike të qytetit dhe me Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit në Prizren. Për të parën ka thënë se duhet kujdes i veçantë në intervenimet artistike aty.
“Këto intervenime në hapësirat e trashëgimisë kulturore kërkojnë vëmendje të madhe se si i përdor, sepse paraprakisht kemi dëgjuar që të tjerët që i kanë përdorur këto shtëpi të vjetra, Hamamin dhe hapësirat e tjera dhe në një mënyrë janë demoluar, nuk janë përdorur si duhet. Sa i përket 'Autostrada Biennale', ajo gjithmonë krijon ekipe disiplinore ku lidhen artistët, arkitektët, skulptorët dhe njerëz profesionistë në instalimin e artit, siç bëmë këtë edicion duke sjellë një grup nga Washingtoni për të instaluar veprat”, ka thënë Fishekçiu sipas të cilit gjithë procesi i punimit të veprës është histori më vete.
“Ne jo vetëm që i shfrytëzojmë këto hapësira historike për ekspozim, por mënyra se si krijohet komplet vepra, është histori më vetvete. Ne nuk i kushtojmë vëmendje vetëm ekspozitës, por gjithashtu edhe procesit se si e krijojmë një vepër arti dhe se si e përdorim zonën historike”, ka thënë ai më tej.
Koordinatorja e publikimeve në Bienalen e Stambollit, Hazal Birincioglu, ka treguar se edicioni i parë i ngjarjes ishte fokusuar në përdorimin e hapësirave historike të cilat më pas morën kontekste të reja.
“Me kohën ato ndryshuan dhe filluam të përdorim edhe shtëpi, tani filluam fatkeqësisht madje, edhe në tregje të hapur, gjë që është e trishtë, por shumë prej shtëpive janë pranë portit dhe e kanë mirëpritur bienalen si një mënyrë për ta ndryshuar këtë vend. Viteve të fundit kemi filluar të zbulojmë ndërtesa të harruara, e tillë ka qenë qasja e kuratores së edicionit që shkoi. Ajo është munduar të zbulojë ndërtesa të harruara, që kanë bagazh historik, por gjithashtu si objekte rreth të cilave kalon nëpër qytet, por që nuk i sheh. Ajo është munduar t’i integrojë ato duke e bërë këtë edicion të veçantë”, ka treguar ajo.
Kolegia e saj, Ceren Hamiloglu, koordinatore e fondeve në Bienalen e Stambollit, ka thënë se bienalet punojnë me arkitektë të shquar duke qenë se përdorin hapësira që nuk janë në pronësi të tyre
“Pasi me profesion jam arkitekte, të kesh një hapësirë tënden për prodhimin e veprave është diçka e mrekullueshme. Shohim se bienalet përdorin hapësira të ndryshme për secilën prej ekspozitave të tyre, kështu që ndryshojnë gjithmonë. Ka edhe bienale që e kanë një hapësirë të vetme. Shpërndarja e bienales nëpër qytet bazohet nga kuratori, por kjo mundësi e hapësirave është diçka që nuk e kemi në Bienalen e Stambollit. Ne inkurajojmë artistët të prodhojnë veprat e tyre duke punuar me njerëzit e tyre lokalë”, është shprehur ajo.
Pos përfaqësuesve të bienaleve, mysafirë kanë qenë edhe figura të tjera të artit ndërkombëtar. Drejtoresha e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Panama, Maria Lucia Aleman është shprehur e frikësuar për artin në vendin e saj ku ka thënë se kultura nuk është e rëndësishme.
“Është shumë e rëndësishme që ndonjëherë arti madje të ngre perden e asaj që nuk e di çfarë është dhe jam e frikësuar për artin në një vend ku kultura nuk është e rëndësishme. Ajo çfarë na duhet është jo vetëm qasja e përkohshme dhe përvoja e disa njerëzve që kurrë nuk kanë parë veprat tona artistike më parë, por që ne ndihmojmë artikulimin e kontekstit, sepse edhe takimet si ky janë ndihmë”, është shprehur ajo.
Ndërsa drejtoresha artistike e bienales “Climatica” në Spanjë, Amanda Masha Caminals ka treguar se edicioni i parë organizohet vitin e ardhshëm.
“Ka disa gjëra që do ta karakterizojnë këtë bienale, për shembull ajo do të jetë bienale nomade, që do të thotë se vitin tjetër do të jemi në jug të Spanjës, por pastaj udhëtojnë në lokalitete të tjera në Spanjë. Kjo bienale është krijuar nga fondacioni në të cilin punoj. Ne vijmë specifikisht nga fusha e artit, por jemi të dedikuar në bashkëpunimet midis sektorëve për të ngritur tema si ndryshimet klimatike, demokracia, migrimi dhe kështu me radhë”, ka thënë ajo.
Kuratori i edicionit të pestë të “Autostrada Biennale”, Erzen Shkololli, ka përmendur se për dhjetë vjet pasi është shkëputur nga detyra e mëparshme si drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, nuk i është qasur asnjë institucioni a organizate arti, ngase nuk kishte partnerë seriozë.
“Mendova se pas punës në Galeri, njerëzit duhet të pushojnë nga unë dhe unë duhet të pushoj nga ata duke u munduar t'u lë hapësirë të tjerëve. Kam qenë shumë i kujdesshëm se çfarë do të bëj herën tjetër në Kosovë, kështu që kjo ka qenë një platformë shumë e mirë për t'u kthyer dhe për t'i dhënë diçka publikut”, ka thënë ai.
Duke folur për punën e tij me bienalen nga Prizreni, ka thënë se liria që ofron “Autostrada...” është e pakrahasueshme.
“Të punoj me tre themeluesit ka qenë kënaqësi e madhe në shumë shtresa, sepse liria të cilën ua kanë dhënë secilit kurator që ka ardhur, kurrë nuk është cenuar, as idetë, asgjë. Kanë qenë mbështetje e madhe dhe jam i sigurt që secili kurator ka dëshira dhe për këtë arsye secili edicion ka pasur qasje ndryshe. Kësaj here e kemi sjellë 'Autostradën...' jo shumë ndryshe, por jemi munduar ta rrisim dukshmërinë në ITP, por gjithmonë duke tërhequr vëmendje edhe në zonën historike”, ka thënë Shkololli.
Pas një pushimi dreke është zhvilluar edhe bashkëbisedimi midis tij e artistit Robert Gabris nga Sllovakia i cili ka qenë pjesë e programit të bienales. Vizatimet e tij me titull “The garden of catastrophy” (Kopshti i katastrofës) kanë qenë të ekspozuara në hapësirat e Shtëpisë së Shani Efendiut.
Ai ka thënë se bën art politik dhe se puna e tij zhvillohet midis një cikli bërje-zhbërje që e bën ta kuptojë më mirë punën e tij. Njëri prej projekteve të rëndësishme në karrierën e tij ka qenë Muzeu i Fëmijëve në Vjenë, aty ku jeton e zhvillon karrierë.
“Vitin e kaluar m’u kërkua që ta bëj këtë muze, por pastaj ftova shumë miq sepse nuk doja ta bëja vetëm. Janë vizatues shumë të mirë. Bëmë pastaj edhe projekte të tjera për fëmijë. Jam shume i lidhur me fëmijët dhe i dua shumë. E di si të flas me ta, kam lidhje shumë të mirë me ta. Më e rëndësishmja e diskutimit është që ata nuk janë budallenj. Ata janë shumë të zgjuar, luajnë lojëra, por nuk mund të bësh lojëra me ta. Kjo gjeneratë e fëmijëve nuk mund të krahasohet me gjeneratat tona. Ata bëjnë pyetje shume të sinqerta, kështu që mos bëj art naiv, ka thënë ai.
Në këtë bashkëbisedim ka treguar edhe për jetën e tij, rritjen pa prindër, jetën në jetimore, paragjykimet e të qenit pjesë e komunitetit rom, lëvizjen në kërkim të mundësive të reja jashtë Sllovakisë. Krejt këto akumulohen në vetminë që përkthehet edhe në veprat e tij.
“Thjesht nuk e kuptoj gjithë botën e artit. Sepse ne duhet ta prodhojmë atë, ndodhi çfarë ndodhi, por shpesh e pyes veten, tash çfarë? Çfarë kam bërë, si mund të bëhet kjo e përdorshme. E pyes veten çdo ditë për ndjenjat e mia sepse ata nuk janë këtu. Ka shumë zbrazëti, dhe kjo zbrazëti e vetmi është edhe në veprat e mia”, ka thënë më tej artisti Gabris.
Të shtunën është zhvilluar vizitë në ekspozitat në zonën historike e më pas është zhvilluar edhe performanca e artistit Tao G. Vrhovec Sambolec në rrugën Marin Barleti si dhe ajo nga Silva Agostini në ITP, për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi t’i shohin në ditën e hapjes së bienales. Me program muzikor është mbyllur aktiviteti i ditës së shtunë ndërsa të dielën mundësia e fundit për të vizituar ekspozitat ka qenë në orën 17:00.
Nën temën “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës”, kuruar nga Erzen Shkololli, programi i edicionit të pestë ka qenë si tërësi e një ekspozite ndërkombëtare. Nga 5 korrik deri më 5 tetor, artistët kanë eksploruar tema globale që lidhen me migrimin, kujtesën e identitetit, duke arritur deri në aspektet historike të vendit nga artistë lokalë.