Qeveria e Kosovës në kuadër të ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore po vazhdon edhe me investimet në kishat ortodokse. Siç është vepruar tradicionalisht në dy dekadat e fundit, shteti synon që trashëgimia kulturore e Kosovës të mos ndahet mbi baza etnike e fetare.
Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka promovuar ndërhyrjet në tri asete të trashëgimisë kulturore që janë kisha ortodokse.
“Partneriteti ynë me Bashkimin Evropian dhe UNDP në Kosovë, me rezultate të prekshme në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në kuadër të programit të përbashkët mes MKRS, BE dhe UNDP, së fundmi kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në rrjete sociale. Ka përmendur Manastirin e Qelisë e Kishën e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë. Sipas tij, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja do të vazhdojnë t'u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj të angazhohem për të gjithë qytetarët tanë pa dallim e diskriminim. Harmonia ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, si vlerë dalluese e shoqërisë sonë, është zotim dhe përkushtim i përhershëm i qeverisë sonë”, ka shkruar Kurti. Sipas tij, trashëgimia kulturore është ndër mjetet më efektive për afrim e bashkëpunim mes popujve.
“Prandaj, investimet tona në mbrojtjen dhe funksionalizimin e monumenteve do të jenë të vazhdueshme”, ka përfunduar ai. Pavarësisht refuzimit të krerëve të Kishës Ortodokse Serbe për të lejuar vizitat e qeveritarëve në monumente si Manastiri i Deçanit, Kosova vazhdimisht ka gjetur rrugë për të investuar dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore të vendit që shfrytëzohet nga besimtarët e komunitetit serb.