Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kowalski rrëfen shpirtin polak të muzikës në piano

Pawel Kowalski

I vlerësuar për interpretimet e repertorit romantik dhe për promovimin e muzikës polake në skena ndërkombëtare, Pawel Kowalski ka performuar me orkestra dhe filarmoni të njohura evropiane. Repertori i tij përfshin vepra nga Chopin, Paderewski dhe kompozitorë bashkëkohorë polakë, ndërsa shpesh në recitalet e tij përfshin edhe muzikë filmi, duke krijuar ura mes traditës klasike dhe kulturës moderne audiovizuale (Foto: Visar Kadrolli)

Në qendër të recitalit qe muzika e Chopinit, kompozitori që konsiderohet simbol i identitetit muzikor polak. Programi përfshiu “Nokturn në Fis-dur Op. 15, nr. 2”, me melodinë e tij intime dhe poetike, si dhe “Andante spianato” dhe “Grande Polonaise në Es-dur Op.22”, një nga veprat më virtuoze të Chopinit, e njohur edhe nga filmi “The Pianist” i Roman Polański për pianistin hebreo-polak, Władysław Szpilman. Pianisti Pawel Kowalski me recitalin në Prishtinë shpalosi shpirtin polak të muzikës në piano

Në mbrëmjen ku tingujt e pianos u bënë rrugëtim i historisë muzikore polake, pianisti Pawel Kowalski ka sjellë në Prishtinë koncertin recital ku ka bashkuar romantizmin klasik, muzikën filmike e frymën moderne muzikore të vendit të tij. Organizuar nga Filharmonia e Kosovës, publiku në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve për një orë e gjysmë ka ndjekur programin e ndërtuar me kujdes me vepra të figurave të shquara të muzikës polake, që nga Chopin e deri te kompozitorët e tjerë. 
Në qendër të recitalit qe muzika e Chopin, kompozitori që konsiderohet simbol i identitetit muzikor polak. Programi përfshiu “Nokturn në Fis-dur Op. 15, nr. 2”, me melodinë e tij intime dhe poetike, si dhe “Andante spianato” dhe “Grande Polonaise në Es-dur Op.22”, një nga veprat më virtuoze të Chopinit, e njohur edhe nga filmi “The Pianist” i Roman Polański për pianistin hebreo-polak, Władysław Szpilman.

Në program u interpretua edhe “Valsi në a-mol” i Chopinit, vepër e zbuluar së fundmi në “Morgan Library & Museum” në Manhattan në tetor të vitit 2024, duke i dhënë recitalit edhe dimensionin e një zbulimi muzikor të rrallë. Po ashtu publiku ka dëgjuar “Fantazi-Impromptu në cis-mol Op.66”, “Prelud në fis-mol Op.28 nr.8”, “Mazurka në cis-mol Op.63 nr.3” dhe monumentalen “Poloneza e Madhe në As-dur Op.53”, vepra që kërkojnë virtuozitet të lartë pianistikor dhe ndjeshmëri të hollë interpretative. E gjithë këtë e ka përmbledhur mjeshtërisht pianisti polak të dielën mbrëma në koncertin recital në Prishtinë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Momente të veçanta ishin edhe interpretimet e “Valsit në des-dur” apo “Minute waltz” ku Kowalski solli elegancën me ritmin unik të stilit muzikor të Chopinit. 

Pianisti i shquar polak e ka konsideruar kompozitorin e njohur botërisht si prej më të rëndësishmëve e më reprezentues në skenën botërore për kulturën muzikore polake. 

“Chopin është natyrisht kompozitori më i rëndësishëm polak me diversitetin e muzikës së tij, të zhanrit, siç janë mazurka, poloneza, prelude, mendoj se kam luajtur të paktën pesë ose gjashtë zhanre të ndryshme nga Chopin sonte”, është shprehur Kowalski . 

Me veprat e Panderewskit nisi koncerti. Mbrëmja u hap me “Nokturn në B-dur Op. 16, nr. 4” një vepër lirike dhe elegante që solli atmosferë romantike. E Panderewski përtej virtuozitetit në piano, mbetet edhe figurë historike për rolin e tij politik në rikthimin e pavarësisë së Polonisë më 1918. Vetë Kowalski e kujtoi këtë dimension historik të kompozitorit.

“Paderewski ishte një virtuoz i famshëm i pianos, por në fund ai ishte gjithashtu një politikan polak, shumë i rëndësishëm për Poloninë për të rifituar pavarësinë e saj në 1918”, është shprehur pianisti polak Pawel Kowalski, një nga pianistët më të njohur polakë të gjeneratës së tij. 
I vlerësuar për interpretimet e repertorit romantik dhe për promovimin e muzikës polake në skena ndërkombëtare, ai ka performuar me orkestra dhe filarmoni të njohura evropiane. Repertori i tij përfshin vepra nga Chopin, Paderewski dhe kompozitorë bashkëkohorë polakë, ndërsa shpesh në recitalet e tij përfshin edhe muzikë filmi, duke krijuar ura mes traditës klasike dhe kulturës moderne audiovizuale. Ashtu bëri edhe në koncertin e tij në Prishtinë. 
Recitali solli edhe një kapitull të rëndësishëm të muzikës polake të filmit. Në program u përfshinë kompozime të Wojciech Kilar nga filmat “Shadow Line” i Andrzej Wajda, “Blind Chance” i Krzysztof Kieślowski, si dhe “Death and the Maiden” dhe “The Ninth Gate” të Roman Polański. Për Kowalskin, kjo pjesë e programit kishte edhe vlerë personale.

“Të paktën njërin prej tyre e kam njohur personalisht, pra Wojciech Kilar, i cili ka qenë kompozitor i famshëm i muzikës klasike, bashkëkohore, por edhe filmit. Ai kompozonte për filma. 'Drakula' nga Ford Coppola është me muzikë të tij ose 'Porta e nëntë' dhe 'Pianisti' nga Polanskit, shumë e shumë filma të tjerë të famshëm të Andrzej Wajda. E njihja personalisht, kështu që luajta koncertin e tij për piano, të cilin e luajta tre javë më parë me një nga orkestrat filarmonike të Polonisë, dhe sonte, edhe duke përfshirë muzikë filmi në recitalet e mia”, ka deklaruar pianisti.

Derisa ka vazhduar interpretimi i muzikës filmike u interpretua edhe ninulla “Sleep Safe and Warm” nga filmi “Rosemary's Baby”, kompozuar nga Krzysztof Komeda. 

“Kompozitori tjetër, Krzysztof Komeda, ishte një pianist i shkëlqyer i xhazit, dhe ai vdiq shumë herët, në moshën 37-vjeçare, por kjo është një pjesë shumë e famshme e tij – 'Rosemary's Baby’, në një film mjaft të vjetër të vitit 1969. Mendoj se filmi do të harrohej nëse jo kjo muzikë që dëgjuat sonte”, është shprehur Pawel Kowalski. 

Programi u pasurua me interpretimin e “Vals, variacioni i 5-të nga Koncerti për piano” verisioni i vitit 2024” i Jerzy Maksymiuk me të cilin pianisti vazhdon të bashkëpunojë. 
“Jerzy Maksymiuk e njoh personalisht. Ai ka qenë dirigjent, është 90 vjeç, por ai ende punon, dhe ne luajmë shumë bashkë, kështu që i përfshiva valset e tij”, është shprehur ai. 
Kowalski ka theksuar se ideja e koncertit ishte të sillte një panoramë të gjerë të muzikës polake për publikun në Kosovë.  
“Kishim pesë kompozitorë, mendoj se të gjithë janë shumë të menaxhueshëm për publikun e gjerë. Nuk është muzikë shumë ekskluzive, kështu që do të ishte shumë e vështirë të dëgjohej për një publik të gjerë. Kjo ishte ideja -  për të festuar Ditën Polake të Kushtetutës, që është 3 maji, dhe për të organizuar një lloj prezantimi shumë të përgjithshëm të muzikës polake për piano”, është shprehur ai. 

Pianistja Pranvera Hoxha e ka vlerësuar recitalin e Kowalskit si një nga ngjarjet e rëndësishme të skenës muzikore në vend. 

“Ishte befasi e mirë të shihet një pianist i nivelit të tillë në mesin tonë, aq më tepër që është si komcert paralajmërues për festivalin polak që do të fillojë të mbahet në vjeshtë të këtij viti. Ishte shumë bukur, jo vetëm interpretimi, por më bëri shumë përshtypje edhe përzgjedhja e programit, posaçërisht integrimi i kompozitorit më të famshëm polak, Friederich Chopin me kompozitorët tjerë, por edhe pjesa ku kishte përfshirë edhe muzikë filmi nga filma të njohur polakë. Ajo është diçka që ne si artistë nga Kosova nuk kemi pasur shumë rast të dëgjojmë, kjo e bëri edhe më të veçantë”, është shprehur ajo.
Ka veçuar interpretimin e mazurkave të Chopinit. 

“Loja e tij ishte shumë e bukur, shumë delikate. Posaçërisht më pëlqeu loja e tij e butë në interpretimin e mazurkave. Është gjithmonë kënaqësi e madhe kur vijnë pianistë të tillë në mëdhenj në vendin tonë pasi që publiku ka mundësi të njihet nga afër me ta dhe të dëgjojë lojën e bukur të tyre”, është shprehur pianistja Hoxha. 

Në bis, Kowalski ka interpretuar  “Étude Op.10 No.12 në c-mol” të Evgeny Kissin. 

Vazhdimësi e traditës së bashkëpunimit kulturor midis Kosovës dhe Polonisë pritet të jetë Festivali i Muzikës Polake në Kosovë, një nismë nën drejtimin artistik të dirigjentit Wojciech Semerau-Siemianoëski dhe Filharmonisë së Kosovës, dedikuar thellimit të pranisë së muzikës polake në jetën kulturore të Kosovës. 

Filharmonia e Kosovës do ta vazhdojë këtë shkëmbim përmes një turneu në tetor duke prezantuar tri koncerte në bashkëpunim me Filharmoninë e Krakovës dhe Dębica, si dhe një koncert të katërt në Varshavë.