Kulturë

Komunat me 129 premtime kulturore “ndërtojnë” muze, galeri, salla...

Komunat me 129 premtime kulturore “ndërtojnë” muze, galeri, salla...

Të dhënat e “Letërnjoftimit të komunave” tregojnë se fusha me numrin më të madh të premtimeve në këtë mandat është infrastruktura. Kultura hyn kryesisht në numër më të vogël sa u përket premtimeve (Në foto: Karikatura “Premtimet zgjedhore”, Jeton Mikullovci – Jemi)

Për 70 më pak, është numri i premtimeve të kryetarëve të komunave në fushën e kulturës për mandatet katërvjeçare. Sipas “Letërnjoftimit të komunave” të institutit GAP del se premtimet me peshërënda janë të kryetarëve që udhëheqin me komunat të cilat janë edhe qendra regjionale. Aty “ndërtohen” muze fizikë e virtualë, galeri, salla, qendra kulturore e çka jo tjetër, përsëriten premtime të mandatit të kaluar. “Qasja e komunave mbetet brenda konceptit tradicional apo klasik të kulturës”, ka thënë Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP

Kryetarët aktualë të komunave që do të qeverisin për katër vjetët e ardhshme, kanë bërë gjithsejtë 1 mijë e 683 premtime. E, prej tyre janë 129 premtime për kulturën. I bie që 7.6 për qind e numrit të përgjithshëm të premtimeve të jenë për kulturën.

Këto të dhëna janë shpalosur në kuadër të publikimit të platformës elektronike të Institutit GAP, “Letërnjoftimi i komunave”.

Të dhënat shpalosin rënie të numrit të premtimeve në raport me katërvjeçarin e kaluar. Kësaj radhe nëpërmjet programeve të tyre ose nëpërmjet zotimeve publike, kryetarët e zgjedhur në këto pozita në fund të vitit të kaluar në 26 komuna, kanë dhënë 1 mijë e 683 premtime që janë 132 më pak sesa në mandatin e kaluar.

Të dhënat e “Letërnjoftimit të komunave”, të prezantuar zyrtarisht të enjten, tregojnë se fusha me numrin më të madh të premtimeve në këtë mandat është infrastruktura. Kultura hyn kryesisht në numër më të vogël sa u përket premtimeve. Të dhëna nuk ka fare për kryetarin e Skenderajt, Mamushës dhe dhjetë kryetarët në komunat me shumicë të komunitetit serb të cilët rezulton se s’kanë dhënë asnjë premtim.

Sa i përket, kulturës me numër të pretimeve prin kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili ka dhënë 17 premtime nga gjithsej 124. Pas tij, vazhdon kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me 16 premtime për kulturën nga gjithsej 115. Komuna e Obiliqit ka marrë 13 premtime për kulturën nga gjithsej 104. Prizreni ka 9 premtime për kulturën nga gjithsej 68, për të vazhduar me Lipjanin që ka po ashtu 9 premtime për kulturën nga 170 në tërësi. Gjilani ka 7 premtime për kulturën nga 93 sa janë në total bashkë me Kamenicën që numëron po ashtu 7 premtime për kulturën nga 36 sa janë krejt. Numri i premtimeve vazhdon me Fushë-Kosovën ku janë regjistruar 6 premtime për kulturën nga 110. Vushtrria ka 4 premtime për kulturën nga 62 sa janë krejt. Po kaq premtime për kulturën kanë marrë edhe Mitrovica nga gjithsej 74, Hani i Elezit që në total ka 39 premtime, Shtimja që gjithsej ka 28 premtime, Gjakova që ka 55 premtime dhe Istogu që numëron 55 premtime. Peja ka marrë 3 premtime për kulturën nga 41, Rahoveci 2 nga 44 dhe Klina 2 nga 35. Ferizaj ka 1 premtim për kulturën nga 49, Drenasi 1 nga 98 dhe Juniku 1 nga 34.

Zero premtime për kulturën ka Dragashi me gjithsej 26, njëjtë sikurse Suhareka që numëron gjithsej 24 bashkë me Malishevën që ka në total 20 premtime.

Premtimet me peshërënda janë të kryetarëve që udhëheqin me komunat të cilat janë edhe qendra regjionale.

Te premtimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama hyjnë ndërtimi i memorialit “Adem Jashari”, krijimi i kopshtit botanik, qendra “e-Gaming” për lojëra elektronike, krijimi i muzeve virtualë, themelimi i Trupës së Baletit Kontemporan të Kryeqytetit, muzeu “Shtëpitë-Shkolla”, arti në hapësira publike e dizajnimi dhe ndërtimi i Institutit të Paqes dhe Diplomacisë ose Muzeut të Paqes. Rama po ashtu ka premtuar edhe bibliotekën dhe memorialin “Dr. Ibrahim Rugova”, ndërtimin e bibliotekës në “Kodrën e Trimave”, krijimin e Shtëpisë së Arbëreshëve, rikthimin e Galerisë së Arteve të Prishtinës, themelimin e një qendre rezidenciale për art, kulturë dhe edukim joformal në Marec, qendër edukative-kulturore “Deep space”, sallën koncertale “Gërmia”. Galeria e Artit në Prishtinë ka nisur mandatin e kaluar dhe ka përfunduar si projekt dhe Qendra Kulturore në “Kodrën e Trimave” ka nisur të ndërtohet mandatin e kaluar. Gjatë fushatës elektorale është nënshkruar marrëveshje me artistin Sislej Xhafa për qendrën rezidenciale për art, kulturë dhe edukim joformal në Marec. Salla koncertale, ose salla multifunksionale “Gërmia” mbetet premtimi më i madh që pos finalizimit të projektit mandatin e kaluar, më nuk është bërë asnjë hap.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka premtuar ndërtimin e një qendre kulturore multifunksionale për ekspozita, kinema dhe amfiteatër veror, një galerie të artit, një muze alternativ të kujtesës historike dhe të luftës në Mitrovicë dhe një tjetër muze të figurave të shquara të kulturës dhe sportit.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka premtuar ndërtimin e memorialit 
“Adem Jashari”, një muze virtual dhe qendrën “e-Gaming” për lojëra elektronike.

Shaqir Totaj që udhëheq me Komunën e Prizrenit ka premtuar zonën e kampingut si hapësirë moderne, ekologjike dhe tërheqëse për vizitorët natyrorë, qendër informuese digjitale për turizëm, qendër multimediale në Kala, “City Card” për vizitorë, platformën “E dua Prizrenin”, kalendarin kulturor e ndërtimin e një qendre moderne për orientimin e vizitorëve. Totaj po ashtu ka premtuar edhe ndërtimin e muzeut dhe galerisë së arteve, dhe rehabilitimin e Qendrës Historike.

Në Gjilan, kryetari Alban Hyseni ka premtuar renovimin e tërësishëm të Teatrit të qytetit, vazhdimin i aktivitetit “Teatri i shkollave të mesme”, ndërtimin e qendrës kulturore “ku do të krijohet edhe kinematografia”, ngjyrosjen, riparimin dhe rimodelimin e “Tunelit të Pavarësisë”, dhe rindërtimin dhe funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Bresalc. Hyseni po ashtu ka premtuar rindërtimin dhe funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhegër dhe rindërtimin e funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Cernicë.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, kanë thënë se krahasuar me mandatin e kaluar 2021–2025, numri prej 129 premtimesh në kulturë është për rreth 70 premtime më i ulët.

“Natyra e premtimeve të dhëna në këtë fushë dominohet nga zotimet për ndërtimin e muzeve, restaurimin e monumenteve ose objekteve të trashëgimisë kulturore, organizimin e festivaleve dhe manifestimeve të caktuara, zhvillimin e turizmit kulturor, mbështetjen financiare dhe procedurale për artistët, krijimin ose zgjerimin e artit publik, si dhe promovimin e hapësirave dhe zonave arkeologjike e historike”, ka thënë ai për KOHËN.

Sipas Salihut, në fushën e kulturës vihet re se komunat nuk kanë premtuar çështje alternative apo inovative, siç mund të jenë ndërlidhja ndërmjet arsimit, kulturës, turizmit dhe ekonomisë apo bizneseve lokale.

“Po ashtu, vërehet se, në përgjithësi, qasja e komunave mbetet brenda konceptit tradicional apo klasik të kulturës”, ka thënë Salihu i cili edhe e ka prezantuar platformën nëpërmjet një konference për medie të enjten.

Për mandatin e kaluar po sipas të dhënave të GAP-it ishin 198 premtime në fushën e kulturës nga 27 kryetarë komunash në Kosovë. Kultura është njëra prej 11 fushave, në të cilat GAP-i kishte matur premtimet në fund të mandatit të kaluar në pushtetin lokal. Përkthyer në përqindje e shifra, tabela dilte pozitive, por kur zbërtheheshin premtimet e përmbushura, dilte se shumica prej tyre nuk kanë realizim projektesh si investime kapitale. Madje edhe në mandatin e kaluar kishte komuna që kulturën s’e kanë as si kategori.

Me “premtime” e “të përfunduara” në kulturë printe Mitrovica, me 24 premtime kulturore nga kryetari Bedri Hamza, prej të cilave përmbushja arrihej edhe me “mbështetje aktivitetesh kulturore”, “bashkëpunim me shoqërinë civile në sektorin e kulturës”, “mbështetje të aktiviteteve të artit figurativ” apo “mbështetje të qendrave rinore”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, prej 206 premtimeve në total, 19 premtime i kishte në kulturë. As gjysmën nuk rezultonte t’i ketë përfunduar. Madje vitin e kaluar që hyn po ashtu në mandatin e kaluar, s’kishte arritur as një gjë bazike: subvencionimin e skenës së pavarur kulturore.

Lexo edhe: