Kulturë

Kultura me 198 premtime politike, “përmbushja” me ndarje buxheti

gap

Fusha e kulturës rëndom nuk ka qenë e fuqishme në premtimet e kandidatëve për kryetarë komunash. Por në zgjedhjet e kaluara komunale, “shifrat” u përmbysën. Sipas rezultateve të projektit “Letërnjoftimi i Komunave” të Institutit GAP, kultura figuron me 198 premtime, “106 të përmbushura plotësisht, 27 gjysmë të përmbushura, 34 janë të filluara dhe 31 premtime të papërmbushura”. Përkthyer në përqindje e shifra, tabela duket pozitive, por kur zbërthehen premtimet e përmbushura, del se shumica prej tyre nuk kanë realizim projektesh si investime kapitale e përmbushja arrihet me përkrahje të projekteve apo ndarje të buxhetit, që janë obligime të përcaktuara

 Hiç më pak se 198 premtime janë dhënë në fushën e kulturës nga 27 kryetarë komunash në Kosovë, e në masë të madhe jo pak, formulën për t’i përmbushur ato e kanë gjetur te detyra, që janë apriori të përcaktuara sikurse përkrahja e projekteve apo ndarja e buxhetit.

Instituti GAP të hënën ka publikuar rezultatet e projektit “Letërnjoftimi i Komunave”, që është vlerësimi përfundimtar rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave të Kosovës për mandatin 2021–2025. Në tërësi, nga gjithsej 1.815 premtime që kanë dhënë këta kryetarë për këtë mandat, janë përmbushur vetëm 918 premtime, 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 281 janë të filluara dhe 382 premtime nuk kanë filluar ende së zbatuari.

Kultura është njëra prej 11 fushave, në të cilat GAP-i ka matur premtimet. Përkthyer në përqindje e shifra, tabela del pozitive, por kur zbërthehen premtimet e përmbushura, del se shumica prej tyre nuk kanë realizim projektesh si investime kapitale. Madje ka komuna që kulturën s’e kanë as si kategori.

Me “premtime” e “të përfunduara” në kulturë prin Mitrovica, me 24 premtime kulturore nga kryetari Bedri Hamza, prej të cilave përmbushja arrihet edhe me “mbështetje aktivitetesh kulturore”, “bashkëpunim me shoqërinë civile në sektorin e kulturës”, “mbështetje të aktiviteteve të artit figurativ” apo “mbështetja e qendrave rinore”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, prej 206 premtimeve në total, 19 premtime i ka në kulturë. As gjysma nuk janë përfunduar, disa prej atyre që kanë marrë statusin “të përfunduara”, janë “ofrimi i informatave orientuese të qasshme për turistët, sidomos të dhëna mbi të kaluarën e atraksioneve kulturore dhe atyre historike”, “krijimi i një aplikacioni mobil për zonat e caktuara historike/kulturore të Prishtinës” ose “subvencionimi dhe vazhdimi i festivaleve ‘Verë n’Dimër’, ‘Akull n’Verë’ dhe ‘Sunny Hill’”. Projekte si “Themelimi i një teatri të ri të qytetit, ndaras nga teatri ‘Dodona”, ose “Ndërtimi i sallës multifunksionale kulturore te Pallati i Rinisë”, as që kanë nisur. Jo pak premtime “të përfunduara”, Prishtina i lidh me bienalen nomade të artit “Manifesta 14” e mbajtur në 100 ditët e verës më 2022, e financuar nga shteti me mbi 4 milionë euro, dhe vitin e kaluar humbi edhe të vetmen shenjë që la kur ia vuri dryrin Qendrës për Praktikë Narrative të vendosur në objektin e dikurshëm të bibliotekës “Hivzi Sylejmani”. Premtimi “gjysmë i përmbushur”, se “Teatri ‘Dodona’ duhet të ketë buxhet të rregullt vjetor për shfaqjet teatrore”, për katër vjet ka vazhduar me të vjetrën: s’ka kod të veçantë buxhetor, përkrahet me subvencione, nga thirrjet e përgjithshme publike.

Me premtime në kulturë, Prishtinën e ndjek Prizreni. Kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj, ka bërë 18 premtime. Ka “përfunduar” sa Prishtina e ngjyrën e gjelbër e ka marrë edhe premtimi për “Mbështetje të Festivalit Rajonal të Teatrove”, ose ai për “Mbështetje të veçantë për organizatorët e festivaleve”. Premtimi “Objekti i Lidhjes Shqiptare në Prizren do të zgjerohet edhe me monumente të tjera” as që ka nisur për katër vjet, njësoj sikurse as “Themelimi i fondit për Qendrën Historike”.

Sipas “Letërnjoftimit të Komunave” del se ka kryetarë komunash që kulturën s’e kanë as në radarin e premtimeve. Një rast si ky është Peja. Kryetari Gazmend Muhaxhiri, prej 25 premtimeve për mandatin e tij të dytë, nuk ka premtime në këtë fushë. Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, për qytetin e konsideruar djep të kulturës, ka 3 premtime në kulturë: një që s’ka filluar fare, si “Investime në zbulime të zonave të reja arkeologjike”, një që “ka filluar”, si “Prezantimi i monumenteve antike” dhe një i përfunduar. “I përfunduari” është premtimi se “Do të zbulohen dhe prezantohen kështjella antike të Gjakovës”.

“Gjatë mandatit 2021-2025, Komuna e Gjakovës ka investuar dhe prezantuar në opinion Shpellën e Kusarit, e cila ka zgjuar interesim dhe ka rritur numrin e vizitorëve (turistëve) për këtë zonë dhe Gjakovën në përgjithësi”, është shpjegimi te ky premtim i përfunduar.

Pas prezantimit publik të rezultateve të projektit “Letërnjoftimi i Komunave”, Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP, në një deklaratë për KOHËN ka zbërthyer rezultatet në fushën e kulturës. Ka thënë se numri i premtimeve ka nxjerrë një specifikë.

“Në fushën e kulturës, në zgjedhjet e fundit lokale janë dhënë gjithsej 198 premtime nga ana e 27 kryetarëve të komunave të Kosovës. Kjo ka qenë specifika më e madhe e këtij mandati, ngase premtimet në fushën e kulturës numerikisht kanë qenë të ngjashme me premtimet në fushën e infrastrukturës, ku janë dhënë gjithsej 199 premtime”, ka thënë Salihu. Siç ka dalë nga hulumtimi, deri në fund të këtij mandati (2021–2025), sipas tij, “nga 198 premtime në kulturë, 106 janë përmbushur plotësisht, 27 janë gjysmë të përmbushura, 34 janë të filluara dhe 31 premtime kanë mbetur të papërmbushura”. Ka folur edhe për specifikat e premtimeve.

“Natyra e premtimeve në fushën e kulturës ka konsistuar kryesisht në nxitjen e turizmit, rregullimin e infrastrukturës (orientuese dhe informuese) për turistët, mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë që lidhet edhe me konservim dhe promovim, krijimin e hartave turistike, investime qoftë në ndërtim, qoftë në riparim të teatrove, kinemave, galerive, organizimin e festivaleve, manifestimeve dhe aktiviteteve të tjera kulturore, e deri te mbështetja e projekteve kulturore e artistike”, ka thënë ai.

“Letërnjoftimi i komunave” është projekt i Institutit GAP, i cili ka filluar në vitin 2009, “përmes të cilit GAP-i ka kontribuar në ofrimin e të dhënave dhe rekomandimeve që kanë ndikuar në forcimin dhe përmirësimin e politikave publike në nivel lokal”.

“Përgjatë këtyre viteve, GAP ka qenë dhe vazhdon të mbetet adresa kryesore e të dhënave në fushën e qeverisjes lokale. Letërnjoftimi i Komunave ka dy komponentë: Monitorimi i premtimeve - me anë të të cilave synojmë t’i mbajmë përgjegjës kryetarët e zgjedhur të komunave për premtimet e dhëna. Të dhënat dhe vlerësimet e premtimeve përditësohen një herë në vit. Kjo bëhet edhe përmes bashkëpunimit me organizatat lokale. Raportet e Politikave – përmes të cilave raportojmë për qeverisjen në nivel lokal, duke rekomanduar edhe për hapa konkretë që duhet ndërmarrë në drejtim të përmirësimit të politikave të qeverisjes”, shkruhet te përshkrimi i projektit.

Bekim Salihu nga ky institut para më shumë se një dekade ka qenë gazetar. Për një kohë ka përcjellë edhe fushën e kulturës. Ani pse përmbushja e premtimeve në kulturë në përgjithësi del me 54 për qind, ai e rilexon këtë rezultat.

“Përmbushja e premtimeve në fushën e kulturës nuk do të thotë automatikisht dëshmi e punës së madhe në këtë fushë, ngase natyra e premtimeve këtu lidhet kryesisht me obligime që komunat i realizojnë edhe pa pasur domosdoshmërisht premtime specifike të dhëna”, ka thënë Salihu.

Regjisorja Zana Hoxha fillimisht ka përmendur anën pozitive. Sipas saj “goxha disa teatro janë rinovuar”. “Për shembull është rinovuar ai i Prizrenit, i Mitrovicës, teatri ‘Dodona’. Domethënë me infrastrukturë më së keqi i ka punët Teatri Kombëtar, Opera dhe Filharmonia. Pra, Teatri Kombëtar është në hapësirë të huazuar, por jo të përshtatshme për punë”, ka thënë ajo duke shtuar se komunat po bëjnë përmirësim. Subvencionet, sipas saj, nuk janë rritur sa duhet dhe ka keqpërdorime.

“Shembulli është Mitrovica me arrestimin dhe largimin e një zyrtari. Duhet të rriten subvencionet për kulturë, rini dhe sport. Investimi në kulturë është edhe investim në njëfarë turizmi të mundshëm në Kosovë, kështu që duhet pasur parasysh se investimi në kulturë është investim i cili prek krejt zhvillimin e qytetit. Në Prishtinë është kuptuar shumë mirë sepse me festivale ka bërë njëfarë zhvillimi edhe turistik, por edhe kulturor”, ka thënë ajo.

Kur ka folur për Prishtinën, meritat për jetën kulturore, Hoxha nuk ia ka lënë Komunës.

“Ngjarjet e pavarura e kanë mbajtur në një formë kulturën dhe frymën e Prishtinës, për dallim prej institucioneve shtetërore të cilat nuk është se kanë bërë aq sa ato të pavarura të cilat kanë përkrahje me subvencione, por nuk është se mjaftojnë”, ka thënë ajo.

Regjisori Ben Apolloni, ka thënë se “premtimet e përmbushura”, nuk përkojnë me realitetin.

“Me thënë të drejtën nuk e dija për këto statistika, për numrin e premtimeve që janë bërë dhe për sa shumë qenkan përmbushur. Unë kam përshtypjen që për kulturën është bërë shumë pak. Di që disa teatro kanë filluar të rinovohen, por asnjëri nuk ka mbaruar. Jeta teatrore në këta katër vjet ka qenë më e varfër”, ka thënë Apolloni.

Fusha e kulturës, sipas tij, është edhe më keq sesa para katër vjetësh. Ka thënë se është befasuar me numrin e premtimeve.

“Këto statistika po më befasojnë. Nuk po më duken reale. Jeta kulturore, e sidomos ajo teatrore, ka qenë edhe më e varfër se më parë në këta katër vjet”, ka thënë ai.

Në ditën e 13-të të këtij muaji nis fushata për Zgjedhjet Lokale 2025. Zgjat një muaj, mjaftueshëm për premtimet e radhës edhe në fushën e kulturës.