Instituti GAP ka evidentuar mungesë të plotë të premtimeve elektorale në Komunën e Skenderajt gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.
Sipas hulumtuesit Bekim Salihu, kryetari i kësaj komune nuk ka prezantuar asnjë plan, projekt apo zotim konkret se çfarë synon të realizojë gjatë mandatit të tij qeverisës.
Salihu ka bërë të ditur se nga 38 kryetarë komunash në Kosovë, 26 prej tyre kanë dhënë premtime elektorale, duke shpalosur gjithsej 1.683 premtime para qytetarëve. Megjithatë, Skenderaj nuk kanë ofruar asnjë premtim, ndonëse në këtë komunë janë zhvilluar aktivitete elektorale.
“Në këtë mandat specifikë është që kemi 10 komuna të banuara me shumicë serbe që nuk kanë dhënë premtime elektorale, e të cilët nuk kanë dhënë premtime as në mandatin e kaluar dhe po ashtu komuna e Mamushës nuk ka dhënë premtime kësaj here, e as komuna e Skenderajt. Për dallim nga komunat e banuara me shumicë serbe, në këto dy komuna ka pasur aktivitete elektorale, por nuk ka pasur premtime. Kryetari i Skenderajt nuk ka shpalosur konkretisht ndonjë plan, ide, premtim, zotim, orientim, projekt se çka pret ia të bëjë si kryetar i komunës në mandatin e tij. Për dallim nga kandidatët e tjerë, z.Lushtaku nuk është përfaqësuar shumë as nëpër media e për rrjedhojë e kemi pasur të pamundur që të listojmë ose të evidentojmë ndonjë premtim përkatës nga ana e tij”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas Salihut, mungesa e programeve elektorale lidhet shpesh me bindjen e kandidatëve për fitore të sigurt në zgjedhje.
“Unë gjykoj që pjesa dërmuese që nuk kanë pasur program elektoral, e kanë pasur goxha të sigurt fitoren në zgjedhje. Programi elektoral po i bën kryetarët e komunave që në raport me ta të rritet më shumë presioni gjatë mandatit”, ka shtuar ai.
Ndryshe nga Skenderaj, Salihu ka thënë se komuna e Lipjanit prin me numrin më të madh të premtimeve elektorale, gjithsej 170, e ndjekur nga Deçani, Fushë-Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe Podujeva.
“Komuna që ka dhënë më së shumti premtime në këtë mandat është ajo e Lipjanit. Kjo komunë ka dhënë 170 premtime, pastaj komuna e Deçanit. Fushë-Kosova, Obiliqi, Drenasi, Podujeva janë disa komuna të tjera me numrin më të madh të premtimeve, ndërsa komunat me numrin më të vogël të premtimeve janë ajo e Malishevës, Suharekës dhe e Dragashit me më pak se nga 30 premtime”, ka theksuar ai.