Arbëri

GAP: Kryetarët e komunave dhanë 1815 premtime, realizuan vetëm 918

Blendi Hasaj dhe Bekim Salihu

Foto: KP

Nga gjithsej 1815 premtime që kanë dhënë 27 kryetarë të komunave, për këtë mandat, sipas Institutit GAP janë përmbushur vetëm 918 premtime. 

Sipas “Letërnjoftimi i Komunave” që është vlerësimin përfundimtar rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave të Kosovës për mandatin 2021–2025, 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 281 premtime janë të filluara dhe 382 premtime nuk kanë filluar ende së zbatuari.

Sipas GAP-it ashtu si në mandatin e kaluar (2017-2021), kur ishin përmbushur 51% e premtimeve, edhe në mandatin aktual, shkalla e përmbushjes mbetet e njëjtë me 51%.

“Sipas fushave, më së shumti janë përmbushur premtimet në shëndetësi (66%), arsim (63%), administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%). Ndërsa, më së paku janë përmbushur premtimet në urbanizëm (34%), infrastrukturë (37%) dhe shërbime publike (41%). Nga 382 premtimet që nuk kanë filluar të përmbushen, 98% e tyre janë përgjegjësi e nivelit lokal, ndërsa vetëm 2% kërkojnë koordinim ndërinstitucional për t’u realizuar”, thuhet në komunikatën e GAP-it.

Pasqyra për premtimet e të gjithë kryetarëve dhe niveli i realizimit të tyre:

“Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sipas raportit të GAP, në vitin 2021 ka dhënë 206 premtime zgjedhore, por për katër vjet ka realizuar vetëm 73 premtime. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë 78 premtime, por ka realizuar 42 sosh. Ndërkaq kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka bërë 109 premtime por i ka realizuar vetëm 55”, tha hulumtuesi i GAP, Bekim Salihu, në konferencë për media të mbajtur të hënën ku u prezantuar të dhënat, raporton KP.

Në krahasim me mandatet e kaluara, mandati 2021–2025 thuhet se shënon numrin më të madh të premtimeve të dhëna në zgjedhjet lokale. 

“Konkretisht: në mandatin 2007–2009 janë dhënë 129 premtime, në mandatin 2009–2013 janë dhënë 530 premtime, në mandatin 2017–2021 janë dhënë 930 premtime, ndërsa në këtë mandat janë monitoruar dhe vlerësuar 1,815 premtime”, thuhet në komunikatë.

Në fushatën e fundit zgjedhore, Instituti GAP nuk ka evidentuar asnjë premtim zgjedhor në dhjetë komunat e banuara nga komuniteti serb dhe në Komunën e Mamushës, për shkak se kandidatët për kryetarë në këto komuna nuk kanë dhënë premtime gjatë fushatës zgjedhore.

Përmes projektit “Letërnjoftimi i Komunave”, Instituti GAP ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e përmbushjes së premtimeve edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës 2025-2029.