Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kalldrëmit të Prishtinës i ruhen shenjat sa për kujtim

Kalldrëmi dikur mbushte rrjetin e rrugëve dhe rrugicave që gjarpëronte në pjesën e moçme të Prishtinës. Ndonëse sot mund të numërohen me gishta rrugë të tilla, mbijetojat e kalldrëmit të dikurshëm janë vënë sërish në mënyrë të pjesshme në rrugën “Zejnel Salihu” përskaj shkollës fillore “Elena Gjika”.

Në fillim të muajit korrik, ekskavatorët teksa hiqnin asfaltin e vjetër kishin gjetur një shtresë kubëzash të kalldrëmit.

Pas punimeve, rruga që nis prej Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka marrë një pamje të re: ndonëse në tërë gjatësinë e saj janë shtruar kubëza të reja, me kalldrëmin e vjetër, megjithatë është arritur të shtrohet një shirit me gjerësi rreth 1 metër në skajin e përkundërt të po të njëjtës rrugë.

Këshilltari dhe asamblist i PSD-së në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se i gjithë kalldrëmi i gjetur është ruajtur.

Në një bisedë për KOHËN, ai ka treguar se gjatë zhvillimit të punimeve ishte gjetur kalldrëm vetëm në të dyja anët e rrugës, por jo edhe në mes.

“Arsyeja pse nuk është intervenuar në krejt rrugën është se nuk kemi gjetur kalldrëm në pjesën më të madhe të saj”, ka thënë Berisha.

Këtë e kishin vërejtur edhe në Drejtorinë e Investimeve Kapitale kur disa vjet më parë ishin instaluar në po të njëjtën rrugë gypat e ujësjellësit dhe të kanalizimit.

Edhe Punimet në Prishtinë nxjerrin kalldrëmin, kërkohet ruajtja e tij Kulturë Punimet në Prishtinë nxjerrin kalldrëmin, kërkohet ruajtja e tij

Por, sipas Berishës, në të ardhmen rruga “Zejnel Salihu” do të shtrohet me kalldrëm.

“Ideja është që në të ardhmen të fusim në paramasë edhe kalldrëmin, kurse kubëzat e vendosura aty do të largohen”, ka thënë ai për rrugën në të cilën i kishte kryer punimet kompania “Papemburg”.

E rruga që vazhdon ngjitur nga aty drejt Sahat-Kullës dhe ish-objektit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku tani është Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, është nga të paktat që ruan kalldrëmin e moçëm. Gjatë punimeve të fundit, gurët e kalldrëmit janë hequr për t’u rivendosur në mënyrë më të rregullt.