Prej më shumë se një viti, rruga “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë vazhdon të mbetet e dëmtuar, duke vështirësuar qarkullimin e përditshëm të qindra qytetarëve. Ekspertët e komunikacionit konsiderojnë se punimet nuk janë kryer në mënyrën e duhur, ndërsa Komuna e Prishtinës thotë se arsyeja e dëmtimit të kësaj rruge është qarkullimi i madh i mjeteve të rënda transportuese.
Në gjendje tejet të rënduar ka mbetur tash e një vit një ndër rrugët më të frekuentuara në kryeqytet.
Rruga “Fehmi Lladrovci”, që fillon nga rrethi i flamurit, lidh lagjen “Bregu i Diellit” dhe “Mati 1”.
Qytetarët shprehen të revoltuar me dëmtimet e shumta duke akuzuar Komunën për mungesë përgjegjësie.
“Rruga është shumë e prishur, nuk janë të përgjegjshëm hiç”, ka thënë një qytetar.
E qytetari tjetër Nazmi Gashi ka thënë se nga dëmtimi i rrugëve mund të pësojnë edhe kalimtarët.
Edhe
Devijohen linjat 3 dhe 4 të Trafikut Urban për shkak të punimeve në rrugë
“Çdokund, në secilën rrugë, i thyen këmbët nëse nuk ruhesh. Asfalti që është shtruar, në vend se të jetë 30 centimetra, është vetëm rreth 5 centimetra. Ka rrugë të reja që janë vjetruar sikur të ishin ndërtuar para 100 vjetësh. E gjitha kjo për shkak të cilësisë së dobët”, ka thënë Gashi.
Sipas inxhinierit të ndërtimit, Naser Kabashi, dëmtimet dhe gropat janë pasojë e mosrespektimit të standardeve teknike gjatë asfaltimit.
“Aty janë tri çështje kryesore që nuk janë marrë parasysh: e para, ngarkesat e rënda, sidomos nga mikserët e betonit me peshë të madhe; e dyta, pjerrtësia e rrugës dhe ndalja e nisja e këtyre automjeteve; dhe e treta, mungesa e stabilizimit të duhur të bazamentit nën asfalt. Nuk mjafton vetëm shtresa e sipërme e asfaltit, duhet trajtuar edhe struktura nën të. Dy rrethrrotullime janë shumë afër njëra-tjetrës, më pak se 500 metra, çka krijon ngadalësim dhe shton ngarkesën mbi rrugë”, ka thënë Kabashi.
Por në Komunën e Prishtinës thonë se arsyeja e dëmtimit të kësaj rruge është qarkullimi i madh i mjeteve të rënda transportuese, shkaku i punimeve që po bëhen në lagjen “Mati 1”.
“Arsyeja kryesore e dëmtimit të vazhdueshëm të kësaj rruge është qarkullimi i madh i mjeteve të rënda transportuese, të cilat e shfrytëzojnë këtë aks si arterie kryesore për furnizim dhe transport të materialeve për ndërtimet që po zhvillohen në zonën e Matit. Për këtë arsye, dhe duke pasur parasysh prioritetet aktuale buxhetore, investimi i plotë në këtë aks rrugor nuk është përfshirë në planifikimin e këtij viti. Rregullimi përfundimtar i kësaj rruge kërkon ndërhyrje të thellë, duke përfshirë edhe rehabilitimin e plotë të trupit të rrugës. Deri në krijimin e kushteve për një investim të tillë kapital, rruga do të mirëmbahet përmes sanimeve periodike të gropave, sipas nevojës”, ka thënë Liridon Shahini nga Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës.
Edhe
Mbyllet për tetë ditë qarkullimi prej Rrethit të Flamurit deri te Rrethi i Spitalit
Sipas tij, sanimi i gropave do të bëhet në fillim të marsit.
Elda Islami