Një vit pas shembjes së parë të dheut pranë Rrugën A në Prishtinë, njëra nga banoret e dëmtuara kërkon vlerësimin dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar. Komuna synon rrënimin e shpejtë të objekteve me rrezik, por banorët kërkojnë që fillimisht të bëhet vlerësimi dhe kompensimi, e më pas rrënimi
Kjo shtëpi në rrugën "Kalaja e Prizrenit" në Prishtinë, shumë afër Rrugës A që po ndërtohet, ka nisur të shembet tash e një vit.
Shqipe Berisha-Maxhuni jeton me qira që nga maji i vitit 2025 kur shtëpia nisi të anojë në njërën anë shkaku i punimeve afër.
Ajo thotë se për këtë e kishte paralajmëruar Komunën, por sipas saj, masa nuk janë ndërmarrë.
"Rasti i parë ka ndodhur më 27 maj 2025, rreth orës 22:00. Ishim me familjen brenda. Dua të theksoj se paraprakisht edhe fqinjit i ishte shembur shtëpia, rreth tetë muaj para nesh. Atëherë kam dalë dhe kam pyetur nëse edhe unë isha e rrezikuar, sepse kishte gërryerje të madhe afër shtëpisë. Më thanë se nuk isha në rrezik, por vetëm me gojë. Kam kërkuar edhe një dokument me shkrim, por nuk e kam marrë", ka treguar Berisha-Maxhuni.
Ajo thotë se, pavarësisht vendimit të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca për ndërmarrjen e masave parandaluese, punimet nuk janë ndalur.
Edhe
Shtëpia drejt rrëshqitjes totale në vend të rrënimit nga Komuna e Prishtinës
Sipas saj, Komuna e Prishtinës synon t'i rrënojë tërësisht shtëpitë e dëmtuara, gjë që sipas Berisha-Maxhunit, do të mund të ndikojë në procesin e vlerësimit dhe kompensimit të dëmit.
"Kam shkuar në gjykatë dhe kam bërë një propozim urgjent për sigurimin e provave. Sipas nesh, qëllimi është të zhduken provat dhe të mos kompensohemi. Në tetor të vitit 2025 kam bërë kërkesën e parë për vlerësim dhe kompensim të dëmit, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kërkesën e dytë e dorëzova sot, bashkë me propozimin për sigurimin e provave".
Berisha-Maxhuni gjatë së hënës iu drejtua edhe Komunës së Prishtinës me kërkesë që të bëhet vlerësimi dhe kompensimi i dëmit.
E nga komuna kanë folur për rrënimin e objekteve që synojnë, por jo edhe për problemin që i mundon qytetarët - vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve.
"Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka dalë në terren dhe ka bërë një konstatim për rrezikshmëri për shkak të rrëshqitjes së dheut. Nesër do të dalin përsëri me inspektorë të tjerë, të cilët do t'i verifikojnë edhe shtëpitë e tjera. Në bazë të këtyre konstatimeve do të nxirren vendimet për rrënimin e objekteve që paraqesin rrezik. Këto vendime mund të merren për shkak të situatës emergjente, pasi situatat emergjente nuk lejojnë analiza të gjata, sepse mund të sjellin rreziqe", ka deklaruar Brahim Mehmetaj, drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast.
Edhe
Shembet rruga në Prishtinë, intervistohet pronari i një kompanie e pezullohen disa inspektorë
"Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se më datë 17.07.2026 është raportuar një rast në rrugën ''Kalaja e Prizrenit'', në afërsi të rrugës ''A''. Lidhur me këtë rast, është intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar Sh.B., e cila ka deklaruar se është detyruar të largohet nga shtëpia, pasi objekti kishte filluar të lëvizte, duke paraqitur rrezik për qëndrimin e mëtejmë në të. Gjithashtu, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, i cili ka urdhëruar që të njoftohet Inspektorati kompetent dhe të ndërmerren pa vonesë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
KOHA ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca lidhur me këtë rast, por nuk janë përgjigjur.