Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorë të lagjes “Dardania” marrin urdhëresë për lirim pronash afër xhamisë në ndërtim

Nëntë familje që kanë shtëpitë në lagjen “Dardania” në Prishtinë, janë urdhëruar nga Komuna që të lirojnë disa hapësira në afërsi të xhamisë së re në ndërtim.

Sipas autoriteteve të kryeqytetit, pronarët e këtyre shtëpive që ndodhen në rrugën “Shëndeti”, janë duke shfrytëzuar pronën komunale në kundërshtim me ligjin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Metiner Rexha, i cili ka pranuar një urdhër të tillë nga Komuna, thotë se nuk e di se cilën hapësirë duhet ta lirojë.

“Ne posedojmë dokumentacionin që jemi banorë të këtyre objekteve megjithëse kemi tejkalim të sipërfaqes. Asnjë vendim për ndalesë të punës nuk na ka ardhur”, ka thënë Rexha.

Edhe avokati Vigan Rogova, i cili është angazhuar nga pronarët që kanë pranuar urdhrin nga komuna, thotë se atyre nuk u është saktësuar hapësira që duhet ta lirojnë.

“Në fillim të muajit shkurt kanë marrë një vendim nga Komuna e Prishtinës duke u urdhëruar t’i lirojnë pronat pa treguar se cilat prona në kuadër të një prone të papërcaktuar, në kuadër të një prone komunale që përfshinë komplet lagjen 1.8 hektarësh por nuk është e përcaktuar se ku fillon prona e banorëve të lagjes e ku e komunës”, ka deklaruar Rogova.

Ai më tej ka theksuar se banorët i kanë dokumentet për pronësi që nga viti 1963, kur i kanë blerë nëpërmjet një ankandi.

Banori Metiner Rexha thotë se komuna synon t’i largojë nga pronat, për qëllim të  zgjerimit të Xhamisë Qendrore që është duke u ndërtuar.

“Më herët janë shpronësuar dy shtëpi për nevoja të Xhamisë Qendrore. Ne tashmë jemi në dijeni se prapa kësaj pune fshihet zgjerimi i xhamisë për të pasur mundësi depërtimi në rrugën poshtë”.

Në lidhje me këtë, KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, por nuk ka siguruar përgjigje.

Në dokumentacionin që posedojnë këta banorë thuhet se këto objekte nuk kanë qenë pronë e Komunës por pronë e përgjithshme popullore nën administrimin e komunës.

Nën këtë arsyetim, ata i kanë bërë kërkesë për masë mbrojtëse Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila është aprovuar më 4 mars.

Përderisa banorët janë në pritje të një vendimi përfundimtar të Themelores, Komuna e Prishtinës gjatë së enjtes ua dërgoi për të dytën herë brenda 10 ditësh urdhëresën për lirimin e pronës komunale. Sipas urdhëresës, nëse hapësirat nuk lirohen, banorë do të konsiderohen si uzurpues të pronës komunale.