Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Homo duplex: 90% shimpanze, 10 % bletë

Qenia njerëzore ka evoluar gjatë një procesi të gjatë kohor me miliona vite. Evolucioni ka punuar në dy anë: në një anë individi ka garuar me individin, në anën tjetër grupet kanë garuar me grupet tjera. Këto ide i ka shtjelluar së pari Darvini. Ideja e grupit qe refuzuar për një kohë, por me zbulimet e fundit, kjo ide është kthyer prapë në katedër. Deri tani e kemi ditur se njeriu është “shimpanze” vetjake, por së fundi kemi mësuar se njeriu ka mundësi të tejkalojë veten dhe të bëhet “bletë” koshereje dhe të punojë për të mirën e grupit. Pra, njeriu ka evoluar duke qenë edhe individ vetjak dhe edhe anëtar i besatuar i grupit, duke luajtur lojën mes interesit të tij dhe grupit të tij, lojë kjo morale e politike e cila ka krijuar “vulën e pashlyeshme” në etikën njerëzore: rendin e raportin mes interesit personal dhe interesit grupor.

Për origjinën, zhvillimin, gjendjen dhe potencialin e moralit njerëzor kanë shkruar shumë autorë. Çfarë e bën njeriun të marrë vendime të caktuara për veten dhe tjetrin? Kah vjen gjithë ky moralizim për harmoninë e grupit, në një anë dhe pavarësinë e individit, në anën tjetër? Këtyre e shumë pyetjeve të tjera ia janë përgjigjur, në variante të ndryshme, penda të ndryshme nga filozofia, teologjia, psikologjia, biologjia, antropologjia e me radhë. Së fundi, një nga psikologët e njohur amerikanë, Jonathan Haidt-i, ka botuar librin e tij “Mendja e drejtë: pse njerëzit e mirë i ndan politika dhe religjioni” [The Righteous Mind: Why Good People Are Divided by Politics and Religion, 2012]. Haidt-i njihet si një ndër studiuesit që merret mjaft shumë me interpretimin psikologjik të rezonimit, sjelljes dhe aktivitetit politik. Madje, prej botimit të këtij libri e tutje, Haidt-i ka filluar të jetë hiperaktiv në sferën publike amerikane e globale, duke avokuar një pozitë të “qendrës” (por kah e djathta) në spektrin politik, gjithnjë si negociatë mes mendimeve ekstreme të majta dhe të djathta që kanë kapluar opinion publik në SHBA. Ai ka themeluar edhe një forum të pasur dixhital të quajtur “Akademia heterodokse” (Heterodox Academy) në uebfaqen www.heterodoxacademy.org, për të promovuar diskutimin konstruktiv mes akademikëve për të tejkaluar grupimet apo klanet politike në kuadër të mendimit akademik. Sipas Haidt-it, kjo nismë është me kohë sepse universitetet amerikane, por edhe gjetiu, janë uzurpuar nga mendimi ideologjik që buron kryesisht nga e majta radikale. Madje, duke e vërejtur këtë censurë dhe autocensurë akademike të shkaktuar nga verbimi akademik me gjuhë e mendim të “korrektësisë politike”, ai ka filluar të bëjë studime empirike në këtë drejtim dhe ka gjetur se mendimi akademik në universitetet amerikane është bërë servil ndaj mendimit politik, përkatësisht ndaj mendimit të majtë. Sot në SHBA, të jesh një profesor që identifikohesh si avokues i frymës së djathtë filozofike, lëre më i djathtë i hapur, do të thotë të jesh 1 në 10, aspak i mirëseardhur për identitetin grupor akademik të shumicës akademike në universitetet amerikane.

Kështu, edhe ky libër që merret me idenë e ndarjes grupore nga politika dhe religjioni, është jehonë e gjithë punës së tij të dekadave të fundit, kur Haidt-i, duke dashur të studiojë psikologjinë për t’iu ndihmuar të majtëve, vëren se e majta, kryesisht ajo radikale, është një ndër faktorët kryesorë të moralizimit radikal mbi harmoninë njerëzore duke u bazuar në identitet grupor. Ky moralizim, sipas Haidt-it, del të jetë abstrakt dhe i paskrupullt, i bazuar në utopi morale e politike e jo në lojë mes moralitet dhe politikës. Pastaj, pas një kohe Haidt-i fillon të përqafojë idetë e djathta, të cilat ai i quan “liberale” në kuptimin e liberales klasike si kuptohet në Evropë e jo liberales, apo të majtës progresive, si kuptohet fjala “liberale” në Amerikë. Pas një kohe ai synon të balancojë idetë konservatore, liberale me ndonjë prej ideve progresive, duke dashur që të promovojë një pozitë në “qendër” që përputhet me realitetin dhe idenë e përmirësimit pozitiv të bazuar në të mundësi për të gjithë, por rezultate vetëm për ata që ia dalin e punojnë në përputhje me kushtet e mundësive të dhëna. Sipas tij, gjithmonë akuzojmë anën tjetër se nuk dëgjon arsyen, por ne kurrë s’kemi dëgjuar arsyen, sepse kemi dëgjuar gjithmonë intuitën thellë brenda nesh.

Libri në fjalë i Haid-it përthekon tri pjesë të cilat rrumbullakohen rreth tri ideve kryesore: “Intuita është e para, pastaj vjen arsyeja”, pjesa e dytë quhet “Moraliteti ka më shumë kuptime se sa dëm dhe drejtësi” dhe pjesa e tretë është “Moraliteti afron dhe verbon”. Secila pjesë ka nga katër kapituj, që rrokim tema specifike brenda këtyre hullive. Në pjesën e parë Haidt-i argumenton, duke u bazuar në studimet e tij, se moraliteti nuk shpjegohet krejtësisht sipas racionalistëve. Gjithë argumenti sillet rreth historisë së edukimit të Haidt-i mbi psikologjinë morale kundrejt psikologjisë zhvillimore, të prirë nga Jean Piaget dhe pasues të tij. Duke përmbledhur argumentin e studimeve të tij specifike, Haidt-i thotë se “arsyetimi/argumentimi moral ishte shpesh shërbyes i emocioneve morale”, duke pranuar se gjithë arsyeja zhvillohej si përkrahje të reagimeve të emocioneve. Ai diskuton pikëpamjet nativiste (morali buron nga brenda), empiriste (morali mësohet nga edukimi) dhe racionaliste (krijohet vetë nga fëmijët nëpër faza të rritjes së tyre) të origjinës së moralitetit. Megjithatë, ai nuk pranon asnjërën nga këto pikëpamje, por pranon se ajo nativiste dhe ajo empiriciste janë kryesoret që çojnë ujë në mulli të moralit. Ai thotë se sfera morale dallon edhe nga kultura në kulturë. Njerëzit shpesh i orienton zëri i brendshëm apo ajo ndjenja që del nga barku, si thonë anglezët, dhe tek pastaj artikulojnë arsyetimin moral që del si fabrikim. Por, moraliteti s’mund të vetëkonstruktohet nga fëmijët duke u bazuar në kuptimin që ata krijojnë për rrezikun apo dëmin. Edukimi i fëmijë ka më shumë efekt se sa që racionalistët i japin rëndësi. Por kush duhet të udhëheq njeriun, arsyeja apo pasionet? Haidt-i është lexues i zellshëm i filozofit David Hume, i cili mendon se arsyeja është pasuese e pasionit, tezë të cilën Haidt-i e vërteton edhe me teste e studime të thukëta empirike psikologjike. Haidt-i na e thotë këtë përmes metaforës së elefantit dhe kalëruesit të tij. Sipas tij, kalëruesi është vetëm gjuha që në të shumtën e rasteve nuk e din se çfarë do elefanti, por shpesh e orienton atë. Kalëruesi din të jap shpjegime të arsyeshme pas veprimit pasionant të elefantit. Arsyeja është kalëruesi, ndërsa elefanti është pasioni. “Kalëruesi është vendosur aty për t’i shërbyer elefantit”, thotë Haidt-i. Pra, intuita dhe emocioni brenda saj janë forma kognitive, të cilat nuk janë forma arsyejeje. Modelin e interpretimit të moralit ai e quan “modeli intuitiv shoqëror”. Haidt-i merr shembuj të ndryshëm në konsiderim, prej studimeve empirike e deri te dialogjet e Platonit. Intenca e tij është të argumentoj se ne jemi qenie që ndjekim së pari intuitën e pastaj bëjmë arsyetimin dhe fillojmë interpretimin. Sikurse kalëruesi i arsyeshëm, që i shërben elefantit intuitiv, por si avokat e jo si skllav.

Pastaj, Haidt-i interpreton hartën e hapësirës morale, duke dashur të tregojë se kjo hartë favorizon më shumë të djathtë se sa të majtët. Haidt-i nisë tregimin e tij, të artikuluar në prozë të thjeshtë dhe të kuptueshme, rreth hulumtimit të tij në Indi dhe transformimit që ka pësuar atje si studiues i ri edhe në aspektin moral edhe në atë akademik. Te pjesa “Dalja nga Matriksi”, Haidt-i tregon se si ka qenë partizanë i së majtës deri kur ka vizituar Indinë, deri kur ka filluar të shijojë të qenit i zhytur brenda një sistemi tjetër, ndonëse për tre muaj, duke e njohur arsyen e moralit indian. Haidt-i tregon se si ai braktis mendimin ortodoks partizan drejt një mendimi pluralist, e pastaj kah ai djathtist, si mendim që përkon me hapësirën morale universale. Pos tjerash këtu del në pah edhe një lloj konfesioni autobiografik të cilin Haidt-i e gërsheton mjaft mirë me interpretimin e tij mbi mendjen e drejtë. Ai vazhdon të jap interpretimin e tij se moraliteti është sikurse shija, e cila ka pesë receptorë për ëmbël, hidhët, njelmët, thartë dhe umami. Pesë kandidatët kryesorë janë kujdesi, drejtësia, lojaliteti, autoriteti dhe shenjtëria. Morali nuk mund të përkufizohet apo të reduktohet vetëm në mekanizëm që nënkupton rregullimin e dëmit dhe drejtësisë, por një veti esenciale njerëzore që vjen në lindje, zhvillohet dhe piqet nga flukset e vogla të intencionalitetit afektiv. Në bazë të tyre, Haidt-i analizon edhe sjelljen e të majtës dhe të djathtës në SHBA, një ftesë kjo e mirë për të menduar se çfarë në të vërtetë e preokupon njeriun kur mendon psikologjikisht por vepron politikisht.

Edhe “Judit Seeks” përballet me të mirën e pamjaftueshme për shpëtimin e botës Kulturë 2 muaj më parë “Judit Seeks” përballet me të mirën e pamjaftueshme për shpëtimin e botës

Kah fundi i librit, Haidt-i na thotë se ne jemi 90 për qind majmun dhe 10 përqind bletë. Çfarë nënkupton me këtë metaforë? Ai vazhdon të tregojë se sa vetjak janë shimpanzetë dhe sa bashkëpunues janë bletët, duke dashur të na thotë se qeniet njerëzore kanë gjene vetjake por edhe gjene grupore, sepse evolucioni ka punuar në nivele të shumta dhe ka krijuar edhe afinitetin grupor, si pararendës të disa karakteristikave njerëzore. E vetmja specie që arrin të bëjë grupe shumë të mëdha jashtë lidhjes farefisnore është njeriu. Kjo për faktin ajo që na ndan, apo ajo që na ka ndarë nga shimpanzetë, në rritën tonë evolutive si qenie njerëzore, është intencionaliteti i përbashkët që grupi njerëzor mund ta ketë në reprezentimet e veprimeve të caktuara që synohen së bashku. Pra, ne jemi rezultat i selektimit natyror në nivele të shumëta, dhe kjo na ka bërë ndryshe nga primatët tjerë. Ne jemi homo duplex, thotë Haidt-i, duke nënkuptuar dualitetin që ka njeriu: edhe individual edhe grupor.

Duke dashur që konversacionin e tij ta hedh te gjendja e relievit moral në frymëmarrjen politike, Haidt-i na thotë se të djathtët kujdesen për pesë fondacionet morale që ai i thekson (kujdesi, drejtësia, lojaliteti, autoriteti dhe shenjtëria), ndërsa të majtët kujdesen kryesisht për drejtësinë, kujdesin dhe deri diku lojalitetin. Ata që votojnë të djathtën nuk janë të marrë por votojnë për interesat e tyre morale që mishërohen në diskursin politik konservator. Ai thekson se ajo që u mungon të majtëve është mendja e hapur; të majtët dinë të bëhen dogmatikë sepse insistojnë tepër se janë mendjehapur dhe racionalë. Pos diskutimit të gjendjes politike të bazuar mbi gjendjen morale, Haidt-i di të jetë edhe i prerë në disa aspekte tradicionale, në sensin evolutiv të fjalës, si bashkëjetesa mes biologjikes dhe kulturores. Ai shfaq personalitein shkencor të tij, të ftohtë në përshkrime, edhe pse vlon në disa aludime morale duke këshilluar që të tejkalojmë gjendjen instinktive përmes reflektimit më të thellë, që në vetvete del si mendim kontradiktor me filozofinë e preferuar hjumiane.

Në një farë mase, libri duket sikur një manifest utopik për të afruar të majtën dhe të djathtën mes veti, duke kuptuar njëra tjetrën më mirë mbi baza të sjelljes politike të nxitur nga disa premisa morale të cilat Haidt-i tenton t’i shpjegojë. Natyrisht se duke qenë një intelektual i konvertuar prej së majtës te e djathta, që rrallë e has në universitetet perëndimore ku sundon mendimi majtist, shpeshherë edhe ai i së majtës radikale, gjithë etosi i shfaqur në libër del si një ftesë e mirë dhe e sinqertë për të diskutuar me njëri tjetrin, madje edhe në terma empatikë të uljes në karrige të tjetrit për ta kuptuar më mirë. Haidt-i shfrytëzon gjithë njohjen e tij të psikologjisë morale dhe shkencave sociale e dijeve humane në favor të argumentit të tij se qeniet njerëzore nuk janë vetjake por edhe grupore. Në përfundim të librit ai thotë:

“Ky libër sqaron se njerëzit ndahen nga politika dhe religjioni. Përgjigja nuk është, si dëshirojnë të thonë maniçeanët, se disa njerëz janë të mirë përderisa të tjerët janë të ligë. Por, mendja jonë është e projektuar për të drejtën grupore. Ne jemi krijesa intuitive të cilat drejtohen nga intuita e jo arsyeja strategjike. Kjo e bën të vështirë – por jo të pamundshme – që të lidhemi me ata që janë në matrica tjera, të cilat shpesh ndërtohen mbi konfigurime të ndryshme të fondacioneve ekzistuese morale.”

Jonathan -i shkruan në kohën kur Amerika, përfshirë edhe Kanadanë e Justin Trudeau-së, është e ndarë më shumë se kurrë nga politika dhe religjioni. Në fakt, në dy dekadat e fundit, kjo ndarje është evidente dhe në institucionet politike por edhe në jetën e përditshme. Në këtë libër, Haidt-i tenton që përmes diskutimit të psikologjisë morale, antropologjisë kulturore dhe biologjisë evolutive të tregojë se dallimet në shtegun religjioz e politik vijnë nga mënyrat e ndërlidhjeve të afektit dhe intencës sonë arsyetuese me themelet morale, të cilat i kemi thellë brenda nesh.

Edhe Njerëzit nuk mendojnë më se puna e palodhur garanton jetë më të mirë Lifestyle 3 muaj më parë Njerëzit nuk mendojnë më se puna e palodhur garanton jetë më të mirë

Prandaj, si i tillë libri ia vlen të lexohet, jo vetëm për këshillat e psikologut për dialog me tjetrin religjioz dhe ideologjik-politik, por edhe për narracionin e ngjeshur me shembuj, evidencë e interpretime nga fusha e psikologjise morale, biologjisë evolutive dhe antropologjisë kulturore. Ky është një libër fort inspirues për studentët e shkencave sociale që duan të njohin edhe qasjen interdisiplinare të njohjes së sjelljes njerëzore, edhe një pamje të matricës morale e politike amerikane. Në fakt, duket se është shkruar për ta, pasi që Haidt-i është fort i shqetësuar nga histeria e mendimit utopik, sa mëshirëdhënës aq urrejtjembjellës, që ka kapluar kampuset amerikane e gjetiu në Perëndim.

(Arsim Canolli, është antropolog e profesor në Universitetin e Prishtinës)