Shtojca për Kulturë

Shkretëtira pas njerëzimit

Njerëzimi është duke e krijuar Zotin dhe djallin e vet. Teksa rezultati nuk mund të parashikohet, një gjë është e qartë. Nëse diçka që i ngjan post-njerëzimit shfaqet si fakt kolektiv, botëkuptimi ynë do të humbasë tri subjektet e tij përcaktuese dhe të mbivendosura: njerëzimin, natyrën dhe hyjninë. Identiteti ynë si njerëz mund të ekzistojnë vetëm në sfondin e natyrës së padepërtueshme, por nëse jeta bëhet diçka që mund të manipulohet plotësisht nga teknologjia, ajo mund ta humbasë karakterin e saj “natyror”. Ekzistenca që kontrollohet plotësisht nuk ka kuptim, për të mos përmendur fatin dhe mrekullinë.

Letra e hapur e Institutit “Future of Life” që kërkonte ndaljen e përkohshme gjashtëmujore të zhvillimit të inteligjencës artificiale tashmë është nënshkruar nga mijëra figura të profilit të lartë, përfshirë Elon Muskun. Nënshkruesit janë të shqetësuar, laboratorët e inteligjencës artificiale “janë të përfshirë në garën që ka dalë nga kontrolli” për të zhvilluar dhe angazhuar sistemet e fuqishme që askush – madje as krijuesit e tyre – nuk mund t’i kuptojnë, parashikojnë ose kontrollojnë.

Çfarë e shpjegon këtë shpërthim të panikut në mesin e elitave të caktuara? Natyrisht, kontrolli dhe rregullacioni janë në qendër të këtij tregimi, por të kujt? Gjatë pauzës gjysmë viti, kur njerëzimi nuk do të mendojë për rreziqet, kush do t’i dalë në krah njerëzimit? Meqenëse laboratorët e inteligjencës artificiale në Kinë, Indi dhe Rusi do të vazhdojnë punën e tyre (ndoshta në fshehtësi), debati publik në botë për këtë çështje është i paimagjinueshëm.

Megjithatë, ne duhet të mendojmë se çfarë ka rrezik këtu. Në librin e tij të vitit 2015, “Homo Deus”, historiani Yuval Harari ka parashikuar se rezultati më i njëmendtë i inteligjencës artificiale do të ishte ndasia radikale – më e fuqishme se ndasia klasore – brenda shoqërisë njerëzore. Mjaftueshëm shpejtë, bioteknologjia dhe algoritmet kompjuterike do t’i bashkojnë forcat në prodhimin e “trupave, trurit dhe mendjeve”, duke rezultuar në zgjerim të zbrazëtisë “mes atyre që dinë si të krijojnë trupat dhe trurin dhe atyre që nuk dinë”. Në një botë të tillë, “ata që drejtojnë trenin e progresit do të fitojnë aftësi hyjnore të krijimit dhe shkatërrimit, teksa ata që mbesin prapa, do të përballen me shfarosjen”.

Paniku i pasqyruar në letrën për inteligjencën artificiale vjen nga frika se edhe ata që janë në “trenin e progresit” nuk do të jenë në gjendje ta drejtojnë atë. Mjeshtrit e tanishëm të digjitalizimit janë të frikësuar. Sidoqoftë, ajo që duan ata, nuk është debati publik, por aranzhim mes qeverive dhe korporatave teknologjike për ta mbajtur fuqinë aty ku e ka vendin.

Zgjerimi masiv i kapaciteteve të inteligjencës artificiale është kërcënim serioz për ata në pushtet – përfshirë ata që e zhvillojnë, e kanë pronë dhe kontrollojnë inteligjencën artificiale. Çon te hiç më shumë se fundi i kapitalizmit që e dimë, manifestohet në perspektivën e sistemit të inteligjencës artificiale që vetëprodhohet dhe që do të ketë gjithnjë e më pak nevojë për të dhënat nga agjentët njerëzorë (tregtimi algoritmik i tregut është veç hapi i parë në këtë drejtim). Zgjidhja që na mbetet do të jetë mes një forme të re të komunikimit dhe kaosit të pakontrollueshëm.

Programet e bisedave do t’u ofrojnë njerëzve të vetmuar (ose jo aq të vetmuar) mbrëmje të pafundme të muhabeteve miqësore rreth filmave, librave, gatimit ose politikës. Për ta ripërdorur një metaforë timen të moçme: “Ajo që do të marrin njerëzit do të jetë version i inteligjencës artificiale të kafesë pa kafeinë ose pijes së gazuar pa sheqer: një fqinji të mirë pa skelete në dollapë, një tjetri që thjesht do t’u përshtatet nevojave tuaja. Këtu ekziston struktura e mohimit fetishist: E di fort mirë se nuk po flas me person të vërtetë, por më duket sikurse jam duke folur – dhe pa asnjë nga rreziqet që shoqërojnë!”

Në çfarëdo rasti, një ekzaminim i afërt i letrës së inteligjencës artificiale tregon se është edhe një tjetër përpjekje për të parandaluar të pamundurën. Ky është paradoks i vjetër: është e pamundur për ne, si njerëz, që të marrim pjesë në të ardhmen post-njerëzore, prandaj duhet të parandalojmë zhvillimin e saj. Për të orientuar veten përreth këtyre teknologjive, ne duhet të bëjmë pyetjen e dikurshme të Leninit: Liri për kë për të bërë çfarë? Në çfarë sensi ne ishim të lirë më parë? A nuk ishim veçse të kontrolluar më shumë sesa e kuptonim? Në vend se të ankohemi për kërcënimet e lirisë dhe dinjitetit tonë në të ardhmen, ndoshta ne së pari duhet të mendojmë se çfarë do të thotë liria tani. Deri sa të bëjmë këtë, ne duhet të veprojmë si histerikë të cilët, sipas psikanalistit francez, Jacques Lacan, janë të etur për një mjeshtër, por një të cilin ne mund ta dominojmë.

Futuristi Ray Kurzweil parashikon se, për shkak të natyrës eksponenciale të përparimit teknologjik, së shpejti do të kemi të bëjmë me makineritë “shpirtërore” që jo vetëm se do të shfaqin të gjitha shenjat e vetëdijes, por edhe do të tejkalojnë fort inteligjencën njerëzore. Por nuk duhet ngatërruar këtë qëndrim “post-njerëzor” me preokupimin modern në paradigmë me arritjen e dominimit total teknologjik mbi natyrën. Në vend të kësaj, ajo që ne po dëshmojmë është përmbysje dialektike e këtij procesi.

Shkencat “post-njerëzore” të ditëve të sotme më nuk kanë të bëjnë me dominimin. Kredoja e tyre është befasia: çfarë lloj pronash të paplanifikuara dhe emergjente mund të fitojnë për vete modelet e inteligjencës artificiale të “kutisë së zezë”? Këtë askush nuk e di dhe këtu qëndron emocioni – ose, në fakt, banaliteti – i krejt kësaj ndërmarrjeje.

Prandaj, në fillim të këtij shekulli, filozofi-inxhinier francez, Jean-Pierre Dupuy në robotin e re, gjenetikën, nanoteknologjinë, jetën artificiale dhe inteligjencën artificiale dalloi përmbysje të çuditshme të arrogancës tradicionale antorpocentrike që teknologjia mundëson: “Si mund të shpjegojmë se shkenca është bërë aktivitet kaq ‘i rrezikshëm’, saqë, sot, sipas disa kryeshkencëtarëve, përbën kërcënimin kryesor për mbijetesën e njerëzimit? Disa filozofë i përgjigjen kësaj pyetjeje, duke thënë se ëndrra e Dekartit - ‘të bëhesh mjeshtër dhe zotërues i natyrës’ – doli të jetë e gabuar dhe duhet të kthehemi urgjentisht në ‘mjeshtërimin e mjeshtërisës’. Ata nuk kanë kuptuar asgjë. Ata nuk e shohin se teknologjia e profilizuar në horizontin tonë nëpërmjet ‘konvergjencës’ së të gjitha disiplinave, synon pikërisht mosmjeshtërimin. Inxhinieri i së nesërmes nuk do të jetë nxënësi i një magjistari për shkak të neglizhencës ose injorancës së tij, por nga zgjedhja”.

Njerëzimi është duke e krijuar Zotin dhe djallin e vet. Teksa rezultati nuk mund të parashikohet, një gjë është e qartë. Nëse diçka që i ngjan “post-njerëzimit” shfaqet si fakt kolektiv, botëkuptimi ynë do të humbasë tri subjektet e tij përcaktuese dhe të mbivendosura: njerëzimin, natyrën dhe hyjninë. Identiteti ynë si njerëz mund të ekzistojnë vetëm në sfondin e natyrës së padepërtueshme, por nëse jeta bëhet diçka që mund të manipulohet plotësisht nga teknologjia, ajo mund të humbasë karakterin e saj “natyror”. Ekzistenca që kontrollohet plotësisht nuk ka kuptim, për të mos përmendur fatin dhe mrekullinë.

Natyrisht, e njëjta vlen edhe për çdo kuptim të hyjnores. Përvoja njerëzore e “Zotit” ka kuptim vetëm nga pikëpamja e fundësisë dhe vdekshmërisë njerëzore. Sapo të bëhemi homo deus dhe krijojmë veti që duken të “mbinatyrshme” nga këndvështrimi ynë i vjetër njerëzor, “Zotat” siç i njihnim, do të zhduken. Pyetja është se çfarë do të mbetet, nëse do të ketë ndonjë gjë? A do t’i adhurojmë inteligjencat artificiale që ne i kemi krijuar?

Ka çdo arsye për t’u shqetësuar se vizionet tekno-gnostike të botës post-njerëzore janë fantazi ideologjike që errësojnë edhe më shumë humnerën që na pret. Nuk ka nevojë të thuhet se do të duhej më shumë se një pauzë gjashtëmujore për t’u siguruar se njerëzit do të bëhen të parëndësishëm dhe jetët e tyre të pakuptimta, në të ardhmen jo edhe fort të largët.

Slavoj Zhizhek, profesor i Filozofisë në European Graduate School, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës dhe autor i librit më të ri “Heaven in Disorder” (OR Books, 2021). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti