Prishtinë, 16 tetor – Gruaja si motiv ka gjetur hapësirë në krijimtarinë e shumë artistëve nga Kosova.
Sidomos të piktoreve të moshës së mesme. Portretet e grave që i paraqesin ato si një lloj shtylle të shoqërisë, në kohët më të hershme e deri më sot, janë pjesë e koleksioneve të disa artistëve në vend.
Por veprat e Mimoza Studenicës, që gruan e kanë kryefjalë, janë unike. Me teknikën filigran në letër, ajo i ka hyrë në thelb lojës me imazhin e grave. Emërues i përbashkët i të gjitha veprave është paraqitja e gruas në një nivel tejet të lartë estetik. Punimet që për një muaj do të jenë të ekspozuara në “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë, në ekspozitën që është hapur të martën mbrëma, paraqesin gratë në dimensione të ndryshme. Artistja ka luajtur me ngjyra e material prej letre që idetë e veta t’i shkrijë në punime që janë në shitje. Midis portreteve reale e atyre imagjinare, ku figura e gruas ndërron dimensione nga vepra në vepër, Studenica i prezantohet publikut me ekspozitën e saj të dytë personale. Studenica ka thënë se bëhet fjalë për një teknikë më vete. Sipas saj, gjithçka sa i përket materialit është letër. Ajo fillimisht duhet të përgatisë skicat e më pas të nisë me përdorimin e letrave me ngjyrë nëpërmjet të cilave u jep shkëlqim.
“Kërkon më tepër durim e imagjinatë. Tematika e motivi janë marrë nga përditshmëria. Gruaja është shtylla e shoqërisë. Atë e kam pasur si motiv”, ka thënë Studenica për ekspozitën që titullohet “Gruaja”.
Artistja që aktualisht punon si disenjatore në departamentin e promocionit në Radiotelevizionin e Kosovës, në hapje të ekspozitës së saj shumicën e publikut i ka pasur gra.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")