Kulturë

“Art nga burgu” në kontrast ngjyrash gjen lirinë përtej grilave

“Art nga burgu” e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” është cilësuar jo vetëm si një ekspozitë që shpalos krijimtarinë artistike, por është edhe dëshmi e fuqisë së artit për të rehabilituar

“Art nga burgu” e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” është cilësuar jo vetëm si një ekspozitë që shpalos krijimtarinë artistike, por është edhe dëshmi e fuqisë së artit për të rehabilituar

Secila prej veprave ka një histori të ndryshme, por emëruesi i përbashkëti tyre është burgu. Janë realizuar prapa grilave, por mungesës së lirisë fizike i kundërpërgjigjen me liri artistike. Organizata “Monumenta” nëpërmjet ekspozitës “Art nga burgu”, rrëfen anën tjetër të grave në burg. Ka një mision fisnik e arti është mjeti për ta nxjerrë atë në pah

Pikturat janë kontrasti i burgut. Aty ka liri artistike, plot ngjyra që shpërfaqin një lloj antonimie përtej grilave. Organizata “Monumenta” ka bashkuar në ekspozitë rreth 30 vepra arti të realizuara në Qendrën Korrektuese të Femrave në Lipjan në gjashtë muajt e fundit, e të pranishmit kanë pasur mundësinë edhe t’i blejnë ato, në mënyrë që më shumë se financiarisht, t’u japin të burgosurave motiv dhe mbështetje emocionale.

Organizata “Monumenta”, duke shënuar një moment të rëndësishëm për të gjithë ata që besojnë në një sistem gjithëpërfshirës, në të njëjtin mjedis – në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kishte organizuar më 20 qershor të vitit të kaluar ekspozitën që gjithashtu kishte shërbyer edhe si ankand, duke shitur shumicën e veprave të grave që vuanin dënimin e burgut, të punuara në atë kohë me teknikën filigran në letër.

Qëllimi i projektit, sikurse në herën e parë, ishte t’i mbështesin gratë e burgosura në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, në mënyrë që të krijojnë vepra të artit dhe të përfitojnë sado pak të ardhura që të mund t’i përdorin pas lirimit. “Art nga burgu” realizuar nga “Monumenta”, është mbështetur nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Pasi të pranishmit i kanë vrojtuar pikturat një nga një, janë kthyer drejt foltores ku e ka marrë fjalën drejtoresha ekzekutive e “Monumentas”, Doruntina Ukimeri, duke treguar se “ekspozita nuk është vetëm një paraqitje vizuale e krijimtarisë artistike, por është edhe dëshmi e fuqisë së artit për të rehabilituar”.

Meqë projekti është mbështetur edhe nga Ministria e Drejtësisë, e pranishme aty ka qenë edhe ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se “rehabilitimi është një proces kompleks prandaj kërkohet përkushtim, kohë dhe mbështetje nga institucionet, nga familja, por edhe nga komuniteti”.

“Kjo ekspozitë është dëshmi e qartë se kur bashkohen forcat institucionale qytetare, por po ashtu edhe përmes bashkëpunimit ndërmjet organizatave vendore dhe ndërkombëtare, rezultatet janë të prekshme dhe frymëzuese, por mbi të gjitha sot nderojmë gratë krijuese, të cilat kanë ndarë me ne një pjesë të shpirtit të tyre”, ka thënë Haxhiu në vernisazhin e ekspozitës të enjten mbrëma.

Një dokumentar i shkurtër i përgatitur nga organizata është transmetuar në hollin e Bibliotekës Kombëtare, duke i paraqitur ambientet e brendshme të Burgut të Lipjanit dhe disa rrëfime emocionale të grave të burgosura.

Drejtoresha e organizatës ka treguar se të ardhurat nga shitja e këtyre pikturave do t’u shkojnë grave të burgosura direkt në llogaritë e tyre.

“Sot e kishim ekspozitën e dytë të projektit ‘Art nga burgu’, ku i kemi shfaqur mbi 30 vepra artistike, të cilat janë krijuar në Qendrën Korrektuese të Femrave në Lipjan për këta gjashtë muajt e fundit. Pikturat po vazhdojnë të shiten, njerëzit kanë shfaqur interesim dhe po besoj që një numër i madh i tyre do të shiten dhe të ardhurat nga këto shitje do t’u shkojnë drejtpërdrejt në konto grave të Qendrës Korrektuese në Lipjan”, ka thënë Ukimeri për KOHËN.

“Art nga burgu” sipas saj, është një projekt “shumë fisnik dhe qëllimi është shumë human”. Është i dukshëm përkushtimin e madh që kanë pasur këto gra për t’i krijuar veprat.

“Çka u kemi dhënë grave përmes këtij projekti është shpresë, kujdes dhe t’u tregojmë se njerëzit e vlerësojnë punën e tyre, e kanë parë atë dhe ndoshta kjo është një urë komunikimi me botën e jashtme, ato çka krijohen brenda, shihen jashtë dhe pëlqehen prej njerëzve dhe shfaqen nëpër lokale dhe nëpër shtëpi të ndryshme. Për ne ka qenë shumë emocionale e gjithë kjo periudhë që kemi punuar me gratë në qendrën korrektuese”, ka thënë ajo.

Edhe për vitin e kaluar, Doruntina Ukimeri ka përmendur se e kanë pasur ekspozitën e parë ku gratë kanë punuar me një teknikë tjetër që quhet filigran në letër dhe edhe në vitin e kaluar, sikurse tash i kanë krijuar afro 30 vepra dhe një numër i konsiderueshëm i tyre është shitur.

Pjesë e veçantë e kësaj ekspozite ka qenë dokumentari që është prezantuar, për të paraqitur mjedisin ku janë realizuar veprat e artit që janë vënë për ekspozim.

“Kemi dashur t’u tregojmë njerëzve për atmosferën në të cilën janë krijuar këto vepra dhe t’i njoftojmë pak me krijueset, kështu që ishte pak emocionale edhe ajo, sepse nuk është e këndshme kur dyert e grilave hapen me çelësa dhe njerëzit janë të izoluar aty, por gjithsesi është një shprehje e lirisë kjo mënyrë e krijimit edhe e ekspozimit të këtyre veprave jashtë”, ka thënë Ukimeri.

Në organizatë janë munduar që çdoherë të provojnë disiplina të ndryshme artistike, por ajo që duan të ndërrojnë është që të punojnë me artistë të njohur, në mënyrë që të promovohet puna e këtyre grave pak më shumë, por ndoshta edhe produkti të jetë më i mirë.