Kasami pyet: A ka Ali, a ka BDI këtu?

1 muaj më parë / 19 tet 2025 23:42
Bilall Kasami

“A ka Ali, a ka BDI këtu?”, kështu pyeti Bilall Kasami, kandidat i VLEN-it për Tetovën, derisa shpalli fitoren e tij. 

Kasami tha se është në epërsi kundrejt kundër kandidatit të tij me më shumë se 4,000 vota.

“Kjo është nata më e bukur se e fituam gjithë Pollogun, e fituam gjithë Maqedoninë. BDI-ja kërkoi referendum, e fitoi referendumin”, tha Kasami dhe njëherit pyeti nëse oponentët politikë do të kërkojnë apo jo zgjedhje të parakohshme.

Tetova, e cila për katër vjet është udhëhequr nga BDI-ja, në rezultatet e deritanishme po kryesohet nga Bilall Kasami i koalicionit VLEN, megjithatë jo me mbi 50% të votave. s

Në katër vjetët e fundit BDI-ja ka udhëhequr me 11 komuna, përfshirë Çairin të cilin në zgjedhjet e sotme e fitoi qysh në rundin e parë koalicioni VLEN.

Suat Shaqiri i AKI-së, kryetari i parë shqiptar në Çashkë

1 muaj më parë / 19 tet 2025 23:25
Suat Shaqiri

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka shpallur fitore në Komunën e Çashkës, duke e cilësuar këtë rezultat si arritje historike, pasi për herë të parë kjo komunë do të menaxhohet nga një shqiptar.

Kandidati fitues i Aleancës Kombëtare për Integrim është Suat Shaqiri, i cili do të shërbejë si kryetar i parë shqiptar në Çashkë.

Ademi bëri të ditur gjithashtu se në Komunën e Studeniçanit, kandidatët e AKI-së do të përballen në balotazh me kandidatin e pavarur Azem Sadiku. Kandidati i AKI-së për Studeniçanin është Ejup Abazi.

Ndërkohë, kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, ka uruar kundërkandidatin e tij, Izet Mexhitin, për fitoren në komunë, duke i dëshiruar sukses në drejtimin e Çairit gjatë katër viteve të ardhshme.

Osmani falënderoi gjithashtu mbështetësit e tij për angazhimin gjatë fushatës, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon qytetarëve.

“Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte gjithmonë e drejtë apo e ligjshme në çdo aspekt, nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata të tilla”, tha Osmani. /RTK

Mickoski: Kemi fitore që në raundin e parë në mbi 30 komuna, përfshi dhe Strumicën

1 muaj më parë / 19 tet 2025 23:21
Hristjan Mickoski

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski shpalli fitoren në mbi 30 komuna, përfshi edhe atë të Strumicës. Për fitoren në këtë komunë që njihej si bastion i LSDM-së, Mickoski tha se është pritur gati 20 vjet.

“Këtë fitore e ndërtuam hap pas hapi, jo me premtime por me punë. Shteti duhet të ecë përpara dhe se e ardhmja nuk duhet të pritet për të krijohet. Rruga nuk është e lehtë. Sonte nuk festojmë por premtojmë se do të punojmë edhe më tepër. Çdo votë do ta shndërrojmë në punë”, tha Mickoksi. Para nesh ka edhe dy javë, dy javë ku duhet ta rrethojmë ndryshimin që e filluam. Çdo votë që do të mbetët në shtëpi është votë për ata që e shkatërruan shtetin. Kemi fitore në mbi 30 komuna që në raundin e parë, dallimi është 2:1, diku edhe 3:1. Fituam bindshëm në raundin e parë në Strumicë, 20 vjet e kemi pritur këtë ditë. Kemi fitore dhe në Dellçevë dhe Berovë, në Manastir, Shtip, Kavadar, Gjevgjeli, Sveti Nikollë, Ohër, gazi Babë, Gjorçe Petroc, Resnjë e kështu me radhë, mbi 30 komuna”, deklaroi Mickoski. /Alsat-M
 

Izet Mexhiti parashihet fitues në Çair, Bujar Osmani e uron

1 muaj më parë / 19 tet 2025 22:37
Izet Mexhiti

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) Bujar Osmani ka uruar për fitore Izet Mexhitin nga VLEN në garën për kryetar të Çairit.

“Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme”, shkruan Osmani në një postim në Facebook, raporton KosovaPress.

Ai tha se ishte një ditë zgjedhore e suksesshme, ku fjalën e fundit e patën qytetarët, teksa shtoi se për hapat e ardhshëm politik do të bëhet e ditur ditëve në vijim.

Rezultatet aktuale në Çair tregojnë Izet Mexhitin me 50.54 për qind ose 6.796 vota. Bujar Osmani nga AKI-ja renditet me 39.10 për qind ose 5.258 vota, pas numërimit të 40 nga gjithsej 86 vendvotime. Dalja e votuesve në këtë komunë ishte 51.47 për qind sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së nga ora 18:30.
 

Gara për Tetovën, ja kush prin

1 muaj më parë / 19 tet 2025 22:12
Zgjedhjet Maqedoni e Veriut

Koalicioni VLEN dhe Aleancës Kombëtare për Integrim AKI janë në dy vendet që prijnë në garën për të parin e Tetovës në zgjedhjet e 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut.

Bilall Kasami, kandidat nga koalicioni VLEN po udhëheq në garën me 47.23 për qind ose 15.129 vota.

Pas numërimit të 94 nga gjithsej 117 vendvotimeve, Bajram Rexhepi, kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim AKI, renditet i dyti me 37.84 për qind ose 12.123 vota, raporton KosovaPress.

Për të fituar në raundin e parë kandidatët duhet të marrin më shumë se pesëdhjetë për qind të votave.

Dalja e qytetarëve për Tetovë sipas të dhënave të orës 18:30 ishte 46.76 për qind

VLEN-i pret fitore në pesë komuna

1 muaj më parë / 19 tet 2025 21:46
VLEN

Koalicioni VLEN ka mbajtur një konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.

Izet Mexhiti, kandidat i VLEN-it për kryetar të komunës së Çairit, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në fitoren e këtij koalicioni në raundin e parë të zgjedhjeve, raportoi KosovaPress.

“Vota e sotme për ne është kurorëzim i rrugës që e nisëm para një viti me dinjitet e besnikëri. Atëherë shqiptarët kërkuan ndryshim, shpresë, dinjitet dhe sot ajo kërkesë u vulos me votën për VLEN-in. Sot qytetari u shpreh qartë, mjaft më me mashtrime, mjaft më me folklor dhe mjaft më me premtime boshe. Oferta jonë fitoi, sepse ne ofruam punë, vizion dhe besim”, ka thënë Mexhiti.

Ai ka theksuar se pret që VLEN-i të fitojë katër deri në pesë komuna dhe të udhëheqë shumicën e komunave me shumicë shqiptare në nivelin qendror. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se për cilat komuna bëhet fjalë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale do të shpallen pas mesnatës.

Ndërkohë sipas votave të para të numëruara deri më tash në komunën e Çairit prin Izet Mexhit nga VLEN me 56.74% ose 2.179 vota. Pason Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim AKI me 35.81% ose 1.375 vota. Deri më tash janë numëruar 12 nga gjithsej 86 vendvotime për Çair. /KSP

VLEN-i shpalli fitoren në Çair e BDI-ja në dy komuna tjera

1 muaj më parë / 19 tet 2025 21:03
Zgjedhjet ne Maqedoni te Veriut

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka shpallur fitoren në këtë komunë duke u shprehur se me këtë fitoi një klasë e re politike, derisa kundërshtarët shkuan në pension.

Gjatë adresimit të tij, Mexhiti ka kërkuar nga Ali Ahmeti i BDI-së që të tërhiqet nga politika, sepse siç u shpreh ai, votat e qytetarëve e çuan në pension, shkruan Alsat-M.

“Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot dua të them me zë të qartë se fituan të gjithë shqiptarët. Urime pensionimin kundërshtarëve politikë. Fitorja jonë nuk është fitore personale, por është fitore e një klase politike që sjell ndryshim. Faleminderit shqiptarë. Kjo është fitore e dinjitetit qytetar, e shpresës që qytetarët e kanë fituar me votë të lirë. Falënderojmë institucionet që garantuan një proces të qetë dhe demokratikë”, deklaroi Mexhiti.

Ndërsa, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi shpalli fitoren në Komunën e Likovës dhe Pllasnicës.

“E fillojmë fitoren e madhe me fitore në raundin e parë në dy komuna, dhe atë në Likovë ku ka mbaruar procesi zgjedhor dhe kandidati jonë Erkan Arifi ka fituar. Po ashtu edhe në Pllasnicë ka fituar kandidati jonë”, ka thënë Ademi.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, rezultatet preliminare publikohen pas mesnatës

1 muaj më parë / 19 tet 2025 20:13
zgjedhjet Maqedoni e Veriut

Komisioni Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka dalë me të dhënat më të fundit për procesin e votimit në nivelin lokal.

Në një konferencë për media në Shkup, drejtues të KSHZ-së thanë se në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet.

“Mbi 803 mijë e 91 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës ose 46.65 për qind sipas të dhënave deri në orën 18:30”, tha Boris Kondarko, kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Dalja përfundimtare e qytetarëve në zgjedhje dhe rezultatet preliminare pritet të bëhet e ditur në konferencën e radhës sonte pas orës 24:00, raporton KosovaPress. 

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, të gjitha vendvotimet mbyllen me kohë

1 muaj më parë / 19 tet 2025 19:22
Zgjedhjet ne Maqedoni te Veriut

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se të gjitha vendvotimet pritet të jenë mbyllur me kohë dhe se nuk do të ketë zgjatje të votimit pasi gjatë ditës nuk është raportuar për ndonjë ndërprerje të votimit.

Mbetet të shihet nëse të gjitha komunat e kanë përmbushur cenzusin e paraparë me Kodin Zgjedhor, apo ndoshta në ndonjë prej tyre sidomos në pjesën perëndimorë të vendit, ku jehona ka qenë shumë e ulët, mund të përsëritet i gjithë procesi.

Në Saraj dhe Çair në krahasim me zgjedhjet e kaluara ka një jehonë më të madhe të votuesve. Dalje shumë e madhe është regjistruar edhe në Komunën e Çashkës, raporton AlsatMk, përcjell KosovaPress.

Dalja deri në orën 17:00 sipas të dhënave të KSHZ-së në nivel vendi ka qenë 39.86 për qind.

Zgjedhjet e sotme lokale janë zgjedhjet e teta lokale qe nga pavarësia e vendit në vitin 1991.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatura të pavarura. Votimi do të zhvillohet në 3.474 qendra votimi për 309 kandidatë për kryetar komunash dhe 576 lista për këshillat komunale me gjithsej 10.490 kandidatë. Qyteti i Shkupit ka më shumë kandidatë për kryetar bashkie – 16.

Ndër partitë shqiptare në garë janë koalicioni VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim AKI.

Zgjedhjet lokale vëzhgohen nga mbi 1.400 vëzhgues, vendas dhe të huaj. Numri më i madh i vëzhguesve vjen nga ODIHR, shoqata “Wake up” dhe “Civil”

Të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 ndodhen në vend. Numri i përgjithshëm i votuesve të rinj në listën zgjedhore është 25 mijë e 603. Në diasporë nuk do të ketë votim të organizuar. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është planifikuar për datën 2 nëntor, raporton KosovaPress.

Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, dalja deri në orën 15:00 është 31,16%

1 muaj më parë / 19 tet 2025 17:10
KSHZ - Maqedoni Veriut

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur përqindjen e qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

Zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani në konferencën e radhës për media ka bërë të ditur se dalja e votuesve është 515.069 ose 31.16 për qind, ndërsa kjo përqindje në orën 13:00 ishte 335.244 ose 20.12 për qind, raporton KosovaPress.

Shabani ka thënë se KSHZ-ja për momentin nuk ka informacione për një person të arrestuar për parregullsi në komunën e Çairit.

Dalja e votuesve në Shkup është 34.46 për qind, ndërsa në Çair 35.65 për qind. Dalja e votuesve në Tetovë është 32.51, Gostivar 20.95 për qind, Strugë 27.62 për qind, Kumanovë 27.79 për qind, Likovë 26.57 për qind, Zhelinë 28.5 për qind, Dibër 25.13 për qind.

Më së shumti qytetarë të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar në komunën Çashka – 53.19 për qind, ndërsa më së paku në Qendrën Zhupa 17.92 për qind. Në Studeniçan dalja është 28.7 për qind.

Në Maqedoni të Veriut po votohet për pushtetin lokal. Janë regjistruar disa parregullsi deri më tash, siç është raportuar nga “Alsat-M”. Në Karposh është ndërprerë votimi me aparatin biometrik dhe po vazhdohet me metodën tradicionale. Në Çair është arrestuar një anëtar i këshillit zgjedhor, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona në Prilep për “blerje votash dhe ndikim në votime”.

 

Në Maqedoninë e Veriut raportohen 20 raste të thyerjes së heshtjes zgjedhore

1 muaj më parë / 19 tet 2025 12:53
Maqedonia e veriut

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se janë regjistruar 20 denoncime për shkelje të heshtjes zgjedhore. Sipas tyre, janë regjistruar 47 postime në rrjete sociale ku është bërë thirrje për të votuar kandidat të caktuar, si dhe video dhe foto të aktiviteteve partiake në selitë e partive.

MPB e Maqedonisë së Veriut ka treguar se edhe në cilat vende janë bërë këto denoncime, teksa ka thënë se në të gjitha rajonet, votimi i personave të sëmurë dhe i të burgosurve kaloi pa shqetësime, ku është regjistruar vetëm një ngjarje e vetme, shkruan Alsat.M.

“Gjatë heshtjes parazgjedhore, në periudhën nga 18.10.2025 deri në orën 07:00 të 19.10.2025, d.m.th. deri në hapjen e vendvotimeve, janë regjistruar 20 denoncime për shkelje të heshtjes zgjedhore, prej të cilave gjashtë në rajonin e SPB-Shkup, katër në rajonin e SPB-Kumanovë, më pas tre në SPB-Veles, nga dy në SPB-Ohër, SPb-Shtip dhe SPB-Manastir, dhe një në rajonin e SPB-Strumicë. Pas marrjes së masave të nevojshme, nuk u konfirmuan denoncimet për 15 ngjarje. Përveç kësaj, janë regjistruar 47 postime në rrjetet sociale gjatë heshtjes zgjedhore, të cilat lidhen me thirrje për të votuar për kandidatët e caktuar, si dhe video dhe foto të aktiviteteve partiake në selitë e partive. Në të gjitha rajonet, votimi i personave të sëmurë, të pafuqishëm dhe i të burgosurve kaloi pa shqetësime, është regjistruar vetëm një ngjarje e vetme”, thonë nga MPB.

​KSHZ: Deri në ora 11:15 kanë votuar 154,275 qytetarë në Maqedoni të Veriut

Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Admir Shabani njoftoi se numëri e votuesve deri në ora 11:15 është 9,38 për qind.

Shabani tha se të drejtën e votës deri në këtë kohë e kanë shfrytëzuar 154,275 qytetarë, përcjell TV21.

“Sa i përket jehonës së votuesve, deri në ora 11:15 minuta Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve akumuloi të dhëna nga 3139 vendvotime, në të cilat 154,275 votues e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. Thënë kjo në përqindje, jehona e votuesve deri në ora 11:15 minuta është 9,38%”, tha Shabani.