Veprat e saj janë delikate, sepse atyre u jep formë nëpërmjet letrës.
Artistja Mimoza Studenica me precizitet kombinon ngjyrat për ta pasuruar me detaje të shumta punimin e saj.
Me shirita të letrave ajo eksperimenton forma të ndryshme. Disa prej tyre mbështillen në rolne dhe e plotësojnë mozaikun e letrave që e përbëjnë veprën.
Loja e saj artistike me letrën e kompleton imazhin e gruas që është gjithnjë në qendër të punimeve të Mimozës.
Në punimet e fundit, nëpërmjet artit të saj të veçantë, u ka dhënë formë portreteve të artisteve të njohura, si: Nexhmije Pagarusha, Leze Qena dhe Violeta Rexhepagiqi.
U ka kushtuar veçmas përkushtim detajeve të tipareve dhe elementeve dalluese të karakterit të tyre.
Mimoza Studenica, deri tani, artin e saj e ka prezantuar në dy ekspozita personale: “Tregime urbane të mbështjella me rrolne” dhe “Gruaja”.