Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Shtegtime” në artin e pafundmë të Valbona Zherkës

Ekspozita “Shtegtime”, e artistes Valbona Zherka, është një retrospektivë e krijimtarisë së saj, e shquar nga tapiceritë e pikturat. Me katërmbëdhjetë vepra theksin e vendos edhe në procesin e punës përgjatë realizimit të veprave. Arti i saj shfaqet si një udhëtim i lirë, i cili tërheq copëza nga jeta e artistes, të cilat e ndërtojnë rrëfimin e saj artistik. Veprimtaria del si thurje e identitetit shqiptar, posaçërisht te kapitulli që në fokus ka gruan shqiptare. Ky gërshetim gjendet dhe në përzgjedhjen, të cilën artistja ka bërë që ta ndërtojë opusin e saj artistik mbi mediumin e tekstilit, e nisur nga fakti se endja është praktikë e moçme e veprimtarisë artizanale të gruas shqiptare.

Në hapje të ekspozitës, të mërkurën mbrëma, audienca ka mundur të shëtisë nëpër vepra si rrallëherë me prezencën e vetë artistes, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Bashkë me kuratoren e ekspozitës, Vesa Sahatçiu, ekspozita ndërtohet nga disa cikle të ndryshme, siç vendos vetë autorja. Cikli i parë është “Shpresa” prej viteve të ’70-ta, që përfshin ‘Kullat” dhe "Kullat e Qëndresës", për të vazhduar me “Ato”, prej vitit 1980 e tutje. Cikli i tretë i quajtur "Rrugëtim", i nisur në vitin 1999, vazhdon deri në veprat më të reja të artistes.

Por, krahas tapicerive, në ekspozitë zënë vend dhe pikturat, që janë në harmoni me veprat tjera.

Krijimtaria e gjerë e Zherkës, për kuratoren e ekspozitës ka qenë një sfidë më vete gjatë përzgjedhjes së veprave.

“Procesi i punës ka qenë proces pak më i gjatë sepse Zherka e ka një opus të gjerë me shumë punime, rrjedhimisht procesi selektiv ka qenë më i vështirë. Fokusi im ka qenë te cikli i saj i quajtur ‘Rrugëtim’, pastaj dhe te ciklet e tjera. Sfiduese ka qenë dhe zgjedhja e tapicerive, meqenëse tapiceritë i ka të jashtëzakonshme. Bashkëpunimi ka qenë i mrekullueshëm. Është nder dhe privilegj me bashkëpunu me të, me ia kuru dhe me ia trajtu punimet dhe veprat”.

Edhe “Shtegtime” nëpër arkeologjinë e artit të Valbona Zherkës Kulturë “Shtegtime” nëpër arkeologjinë e artit të Valbona Zherkës

Fokusi i Zherkës i orientuar drejt procesit, ka të bëjë kryesisht me aktin fizik të thurjes së tapicerisë, duke e vënë në shprehje dhe mundin e madh të krijimit të secilës pjesë nga fillimi deri në fund.

“Mënyra se si ajo e trajton këtë medium është një trajtim i pazakontë i tapicerisë, si për shembull punimi në bazë të skicave. Valbona vetë është e involuvar në proces, në punën e saj as ajo vetë nuk e din se çka ka me dalë, në një mënyrë puna e saj është meditative. Ajo vetë e quan nganjëherë dhe arkeologjike, në kërkim të diçkaje, të cilën nganjëherë e gjen e nganjëherë jo”, tha Sahatçiu.

Për Galerinë e Ministrisë së Kulturës, kjo ekspozitë cilësohet si shumë e rëndësishme dhe mundësi e mirë për të gjithë artdashësit që ta shohin punën e Valbona Zherkës nga afër. Valbona Zherka, e lindur më 1955 në Prishtinë, diplomoi në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977 dhe ishte gruaja e vetme e gjeneratës së parë, e cila vijoi studimet në këtë institucion të arsimit të lartë në Kosovë. Vazhdoi studimet post-diplomike në Fakultetin e Arteve të Bukura në Beograd, ku diplomoi më 1980. Prej vitit 1978 deri më 1989, veprat e saj u ekspozuan në vend dhe në rajon, përfshirë në Prishtinë, Sarajevë, Zagreb, Maribor, Beograd e Ljubjanë.

“Për mua është shumë e rëndësishme që artistja Valbona Zherka ka pranu me qenë pjesë e programit tonë, është shumë e rëndësishme për gjeneratën e re dhe ne si galeri me pa figura si Valbona, të cilat kanë punu në heshtje më shumë sesa që janë ekspozuar. Është e rëndësishme për të gjithë artdashësit, studiuesit, për me pa Valbonën dhe njëherë në kontekst më të gjerë të ekspozitës”, deklaroi Dhurata Ramosaj, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.

Artistja Vlora Hajdini, e cila veprimtarinë e saj artistike e mbështet kryesisht në figurën e gruas, rolin e Valbona Zherkës në skenën e artit pamor e sheh te thyerja e barrierave.

Edhe Valbona Zherka midis arkeologjisë si pikënisje dhe rezistencës me art Shtojca për Kulturë Valbona Zherka midis arkeologjisë si pikënisje dhe rezistencës me art

“Është kënaqësi për krejt Kosovën që Valbona Zherka po e reprezenton punën e saj, ajo është pioniere e tapicerisë, ne e quajmë edhe si suvenir i qytetërimit dhe kulturës sonë. Përveç prezantimit të punës së saj dhe mburrjes me të, është mirë për gjeneratat e reja me pa se çfarë trashëgimie kemi dhe me e kuptu se ka ekzistu një kohë ku pioniere të artit si Valbona dhe shumë bashkëkohëse të saj kanë qenë gra, të cilat i kanë thy barrierat dhe kanë dalë në dritë me artin dhe idetë e tyre”.

Veprimtaria e kalibrit të Valbona Zherkës, për opusin krijues kolektiv artistik të Kosovës vishet dhe me vlera të trashëgimisë artistike. Puna e saj dhe e bashkëkohësve të saj në mediumet e ndryshme artistike konsiderohet si shkollë më vete, e cila për artistët e rinj shërben si pikë referimi e inspirimi.