Java e katërt e shfaqjes së filmave studentorë në kuadër të programit “Filmi UP” në Kohavision sjell në ekran dy filma të tjerë të gjeneratës së re: “I humburi” dhe “Gobleni i spanjollkës me kitarë, unaza e vjedhur dhe frika nga merimangat”.
Filmi i regjisores Donjeta Hyseni, “I humburi”, sjell rrëfimin e një profesori, i cili u keqtrajtua në luftën e fundit në Kosovë. Për pasojë ai e humb kujtesën dhe kjo bëhet shkaktar që profesori të figurojë në listën e njerëzve të zhdukur të luftës së vitit 1999.
Ai nuk e ka idenë se është i përfshirë në listën e personave të pagjetur, ndonëse vazhdon të jetojë nëpër rrugët e Kosovës.
Derisa filmi i dytë, ai regjisorit Indrit Ferati, “Gobleni i spanjollkës me kitarë, unaza e vjedhur dhe frika nga merimangat”, paraqet një nga episodet e jetës së një “drag queen” dhe sfidat me të cilat përballet në një shoqëri e cila nuk është ende e hapur për trajtimin e personave të tillë.
Personazhi i filmit të Feratit quhet Musa. Një natë, derisa ai po performonte në një shfaqje, disa persona e sulmojnë klubin e natës dhe Musa detyrohet të arratiset. Ai mbetet me kostumin e tij të shfaqjes në rrugë dhe, duke mos pasur mundësinë për ta hequr atë, i bie të ballafaqohet me familjen e tij e cila nuk është dijeni për punët që bën.
Javën e ardhshme, në kuadër të këtij programi, do të shfaqen filmat “Veç kuq” nga Durim Kryeziu dhe “Mollëkuqja” nga Hana Bucalija. “Filmi UP” është program i cili është hartuar nga Drejtimi i Regjisë së Filmit dhe Televizionit i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Kohavisionin dhe vjen në ekran çdo të diel prej orës 20:30 me prezantimin e filmave të filmbërësve të rinj kosovarë.