Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Filmi UP” në Kohavision

Seria e shfaqjes së filmave studentorë në kuadër të programit “Filmi UP” fillon sonte prej orës 20:30 në KTV.

“Horoskopi, grimi dhe dhëmbi që mungon” është i pari që do shfaqet në ekranin e Kohavision në kuadër të kësaj serie filmash. Filmi nga regjisorja Albana Nila flet për Marigonë, një grua e vetme e cila jeton me macen e saj.

Një mëngjes ajo e sheh veten në ëndërr para pasqyrës duke buzëqeshur me njërin prej dhëmbëve të përparmë që i mungon. E tronditur zgjohet nga gjumi dhe fillon rutinën e saj. Marigo e ndez radion për t’i bërë shoqëri dhe pastaj e ushqen macen, përgatit ushqimin për veten dhe në fund ulet të hajë gjithmonë me radion që dëgjohet në sfond.

Rutina e saj prishet me t’u ndalur rryma dhe sjell një kthesë në jetën e saj. Filmi i dytë “Engjëjt e kaltër” nga regjisori Jon Mithi sjell rrëfimin e një studenti dhe një vajze e cila punon si këshillëdhënëse në një linjë telefonike për personat me tendenca vetëvrasëse.

Ata bashkojnë forcat në tentim për të zhdukur të keqen dhe ballafaqohen me sfida të paparashikueshme. Në javët në vazhdim do të shfaqen filmat “Shpikësi” nga Arbër Krasniqi, “Rripi i këputur i orës, shija e pepermintit dhe muhabeti me pullë të kuqe” nga Qëndresa Krasniqi, “Djepi” nga Berat Safqiu, “E njelmët” nga Dita Shaqiri, “I humburi” nga Donjeta Hyseni, “Gobleni i spanjollkës me kitarë, unaza e vjedhur dhe frika nga merimangat” nga Indrit Ferati, “Veç kuq” nga Durim Kryeziu, “Mollëkuqja” nga Hana Bucalija, “Faith” nga Jehona Berisha dhe i gjithë rrugëtimi do përmbyllet me filmin “Kandër” nga regjisorja Trëndëlinë Halili.

“Filmi UP” është program i cili është hartuar nga Drejtimi i Regjisë së Filmit dhe Televizionit i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Kohavisionin dhe do të vijë në ekran çdo të diel prej orës 20:30 me prezantimin e filmave të filmbërësve të rinj kosovarë.