Kulturë

“Besimi” dhe “Kandër” vijnë me “Filmi UP”

Java e fundit e shfaqjes së filmave studentorë në kuadër të programit “Filmi UP” në Kohavision sjell në ekran filmat “Besimi” nga regjisorja Jehona Berisha dhe “Kandër” nga regjisorja Trëndelinë Halili.

Të dy filmat sjellin raportin në çift dhe merren me problemin e mosbesimit, por edhe të mosnjohjes dhe mirëkuptimit mes partnerëve që pastaj reflektojnë në marrëdhënien e tyre.

Ngjarja në filmin e parë të titulluar “Besimi” sjell rrëfimin e Fjollës. Ajo dyshon se bashkëshorti i saj është duke e tradhtuar dhe ka një lidhje romantike me një vajzë tjetër.

Kjo e shtyn atë që ta bëjë një plan për ta përcjellë burrin, por rrugës gjërat komplikohen dhe ajo e gjen veten në një situatë të ndërlikuar dhe derisa i duhet ndihma, gjendet e vetmuar.

I fundit i cili do të përmbyllë serinë e gjashtë të transmetimit të filmave të programit “Filmi UP” është drama e shkurtër e regjisores Trëndelinë Halili me titull “Kandër”.

Filmi është realizuar në vitin 2016 dhe sjell rrëfimin e një djaloshi i cili quhet Fatbardh e që portretizohet nga aktori i suksesshëm kosovar i gjeneratës së re, Florist Bajgora.

Ai është në lidhje dashurie, mirëpo e mundon fakti për fshehjen e një të vërtete nga e dashura e tij. Kur e gjitha zbulohet, marrëdhënia mes tyre ndryshon përgjithmonë.

Programi “Filmi UP” është hartuar nga Drejtimi i Regjisë së Filmit dhe Televizionit i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Kohavisionin me qëllim prezantimin dhe promovimin e filmbërësve të rinj kosovarë.

“Filmi UP” transmetohet të dielën në KTV nga ora 20:30.