Kulturë

Festivali i Teatrove për Fëmijë në kapitullin e parë për brez të ri

Përderisa Festivali i Teatrove në Ferizaj sivjet shënon 54-vjetorin, një tjetër festival synon të hapë kapitullin e parë për brezin e ri. Është Festivali i Teatrove për Fëmijë që do ta mbajë edicionin e parë prej 4 deri më 7 mars. Synon ta fuqizojë edhe prodhimin e shfaqjeve teatrore për moshat e reja, por në esence krijon një brez të ri adhuruesish të teatrit

Flamujt me dizajn të njëjtë do të valëviten në shtizat që vendosen kur merr hov jehona e Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Këtë vit shenjat e ngjarjes me traditë vijnë më herët, për një tjetër aktivitet me po aq rëndësi për skenën teatrore në vend. Festivali i Teatrove për Fëmijë vjen si version junior i festivalit që sivjet mbush 54 edicione. Brenda ngjarjes parashihet të zhvillohen degë të tjera aktivitetesh edukative për fëmijë që zgjerojnë njohuritë mbi teatrin e artin skenik. Por, synon të vërë edhe tjetër standard të organizimit të festivaleve: në aktivitetin e tyre të parashihet edhe prodhimi i shfaqjeve.

Festivali i Teatrove në Ferizaj prej vitit 1970 e ka mbajtur publikun të lidhur me skenën. Një tjetër festival për audiencën e re sivjet vjen si bashkim pikash i pikënisjes me të tashmen. Derisa për të 54-tën herë do të zhvillohet njëri prej festivaleve më të vjetra në vend, i pari festival teatror për fëmijë do të shtrijë aktivitetin për katër ditë në fillim të marsit.

Organizata si tërësi e ka praktikuar shpesh që trupa e teatrit “Adriana” në Ferizaj, prej vitesh partnere e Festivalit të Teatrove në Ferizaj, të festojë në këtë ngjarje me shfaqje premierë. E organizatorët e ngjarjes të krijojnë idenë se gjithsesi duhet sjellë produksione të reja në programet e tyre. Në rastin e Ferizajt teatri dhe festivali janë të lidhura ngushtë. Kësisoj synohet që festivali të pasurohet nga teatri dhe anasjelltas. Sivjet të njëjtin mesazh për skenat teatrore do ta përçojë edhe Festivali i Teatrove për Fëmijë.

Drejtori i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, sikurse edhe i teatrit të qytetit “Adriana”, Besim Ugzmajli, ka thënë se përpjekjet për organizimin e kësaj ngjarjeje kanë qenë të vazhdueshme. Ka thënë se ngjarja vjen si nevojë e prodhimeve të shfaqjeve për fëmijë.

“Krahas organizimit të Festivalit të Teatrove që është tashmë event tradicional, sivjet ka edicionin e 54-t, organizata që tash e disa vjet e organizon atë, kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që të kemi edhe dy apo tri projekte brenda Festivalit të Teatrove që janë shumë të rëndësishme për ne. I pari është Festivali i Teatrove për Fëmijë, pasi fatkeqësisht prodhimi i shfaqjeve për fëmijë është i vogël e nevoja është e madhe. Ka jashtëzakonisht shikueshmëri të madhe, andaj ne vendosëm që sivjet të kemi edicionin e parë të ngjarjes”, ka thënë Ugzmajli.

Festivali i Teatrove për Fëmijë do të mbahet prej 4 deri më 7 mars në qytetin e Ferizajt. Ugzmajli ka thënë se ideja për këtë ngjarje ka qenë edhe vitin e kaluar, porse nuk kishte gjetur mbështetje në Ministrinë e Kulturës.

“Njëra nga idetë që fatkeqësisht vjet nuk ka gjetur mbështetje në Ministri, sivjet po, por si ide e veçantë, jo si zhvillim i organizatës me emrin Festivali i Teatrove në Ferizaj”, ka thënë regjisori Ugzmajli.

Në edicionin e fundit të FTF-së që u mbajt në fundgusht dhe fillimshtator, përplasjet e stafit organizativ të një prej ngjarjeve më me traditë me Ministrinë e Kulturës kanë qenë të bujshme, për shkak të mospërkrahjes. Më pas kishte ofruar memorandum bashkëpunimi me Festivalin e Teatrove në Ferizaj për mbështetje afatgjate, të cilin kjo e fundit e kishte refuzuar.

Krahas asaj se nuk ishte realizuar ideja që Festivali i Teatrove për Fëmijë të niste vitin e kaluar, nuk ishin organizuar as “Retro Teatri”, të cilin FTF e kishte nisur në edicionin e 52-të. Qendrat historike të qytetit si Stacioni i Trenit, ish–gjimnazi e Kisha Katolike ishin kthyer në skena interpretimi. Në edicionin e kaluar Ugzmajli ishte shprehur se institucione teatrore e interpretues të skenës kishin qenë të shumtë që donin të bëheshin pjesë e festivalit si shenjë solidarizimi.

E sivjet në edicionin e parë të Festivalit të Teatrove për Fëmijë do të ketë në program mbi 10 shfaqje nga Kosova dhe jo vetëm.

“Do të kemi pothuajse të gjitha shfaqjet për fëmijë që janë prodhuar, jo vetëm në Kosovë por edhe në teatër të Shkupit. Jemi në bisedime edhe me teatro në Shqipëri që kanë prodhuar shfaqje për fëmijë. Shpresojmë se do të ketë dy deri në tri shfaqje në ditë për katër ditë ku mesatarja do të jetë diku 12 plus shfaqje gjatë katër ditëve”, ka thënë Ugzmajli.

Sipas tij, do të ketë edhe ngjarje të tjera përcjellëse që synojnë zgjerimin e njohurive të fëmijëve mbi teatrin.

“Do të kemi punëtori me mësimdhënës të shkollave të ulëta dhe me nxënës që t’i njoftojmë fëmijët për teatrin në përgjithësi. Ata të organizojnë shfaqje nëpër shkolla. Gjithashtu jemi në përpjekje të organizojmë një kuiz për fëmijët e shkollave fillore rreth dijeve mbi teatrin. Ne fillimisht do t’i furnizojmë me literaturë dhe pastaj do të bëhet një kuiz me dije të përgjithshme rreth teatrit”, ka thënë Ugzmajli.

Ai ka thënë se aktualisht janë në bashkëpunim me teatrin “Dodona” për të sjellë shfaqje të reja në organizimet e tyre.

“Pos që kemi qenë në bashkëprodhim për një shfaqje për fëmijë, jemi edhe në bashkëprodhim për një shfaqje të skenës së mbrëmjes me teatrin ‘Dodona’. Ideja e zhvillimit të organizatës shkon në këto drejtime dhe është shumë e rëndësishme për ne që krahas festivalit tradicional të kemi edhe skenën e teatrit të rinjve, dhe FTF skenën, përkatësisht prodhimin e shfaqjeve”, është shprehur Ugzmajli, derisa ka thënë se energjia kryesore do të fokusohet në prodhimin e shfaqjeve.

“Konsiderojmë se festivalet duhet të shkojnë në këtë drejtim, përkatësisht ngjarjet e rëndësishme kulturore në vend duhet të synojnë edhe prodhimin jo vetëm konsumin e produkteve të tjera, por edhe të kenë produkte të tyre të brendshme, të cilat do të jenë pjesë e zhvillimit të përgjithshëm të kësaj organizate. Energjia kryesore do të fokusohet në prodhim të shfaqjeve”, ka thënë ai.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Departamenti i ëndrrave” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Besim Ugzmajlit. Në shfaqje luajnë aktorët Afrim Muçaj, Ermal Sadiku dhe Molikë Maxhuni, me skenografi të Mentor Berishës dhe kostumografi nga Njomza Luci. Është paralajmëruar të jepet premierë në fillim të muajit mars.