Kulturë

Festivali i traditës 55-vjeçare godet me “13”-shin e nëmur për shqiptarët

Shfaqja "13"

Shfaqja “13” njashtu sikurse në premierë më 13 dhjetor të vitit të kaluar, edhe në hapjen e Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ka ardhur me ironinë goditëse që merr tjetër kuptim kur “përkthehet” edhe me realitetin e sotëm politik

Shfaqja “13” është shndërruar në mesazh të krejt hapjes së edicionit të 55-të, të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, fjalimi ka pasur kërkesë të qartë për udhëheqësit politikë të institucioneve kulturore, por ajo që është parë në skenë, ka qenë ironia goditëse edhe ndaj politikës që sot i kthen shqiptarët në vitin 1913, tërheq paralele me një shekull pas, e ajo që mbetet është lufta e shqiptarëve me njëri-tjetrin që s’i lë të ecin para

Me thirrje për qëndrueshmëri financiare e me mesazhet e shfaqjes që godasin skenën politike ka ngritur perden Festivali i Teatrove në Ferizaj. Shfaqja “13”, dramatizuar e nën regji të Sulejman Rushitit e ka hapur ngjarjen me traditën më të gjatë në vend e edhe në rajon. Festa unike e më e vjetër teatrore nisi rrugëtimin shtatëditor me shfaqjen si produksion nga teatri “Adriana” në Ferizaj me tematikën që e barazon skenën e sotme politike me atë të para një shekulli. 

Shfaqja “13” e kthen rrëfimin për shqiptarët për më shumë se njëqind vjet pas. Fiks në vitin 1913, kur Lufta e Parë Ballkanike kishte kapluar vendin dhe shqiptarët ishin në gjendje shumë të komplikuar. 
Shfaqja i referohet Parlamentit si “teatër i absurdit” dhe prej aty, kur skena zhvendoset në vitin 2013, salla e pushtetit legjislativ dëshmohet si arenë e degradimit, e sulmeve fizike e verbale. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kryeparlamentari i zgjedhur së fundmi, Dimal Basha, kanë qenë spektatorë të krejt kësaj ngjarjeje nga rendi i parë i ulëseve të teatrit “Adriana” në Ferizaj. 

Atmosfera e energjia e hapjes së Festivalit të Teatrove është gati e njëjta secilën herë. Përherë pozitive e atraktive. I tillë është vetë ambienti. Ndonëse modest, dritat e teatrit, shenjat e Festivalit, mikpritja e ekipit e veçmas entuziazmi i publikut, e bëjnë të veçantë jo vetëm programin, por edhe përjetimin e vizitës në ngjarjen që sivjet shënon edicionin e 55-të. 

E hapja, krejt modeste, me një fjalim ku kryesisht theksi vihet në rëndësinë e ngjarjes, falënderime përkrahësish, sivjet është adresuar edhe nevoja për qëndrueshmëri financiare nga pushteti lokal e ai qendror. 

“Festivali i Teatrove në Ferizaj, vit pas viti është ngritur për nga cilësia dhe pretendojmë që kështu të vazhdojmë edhe më tutje. Por natyrisht që kjo bëhet shumë më e vështirë pa një mbështetje të qëndrueshme financiare. Prandaj ne e shfrytëzojmë rastin që në këtë moment, për të kërkuar edhe njëherë nga institucionet tona lokale dhe ato qendrore që Festivalit të Teatrove në Ferizaj t’i sigurohet qëndrueshmëri financiare e cila do të siguronte rritjen dhe ndërkombëtarizimin e tij”, është thënë në fjalimin e hapjes. 

Festivali ka nisur pa pasur në dispozicion mjetet financiare që i ishin ndarë si përkrahje nga Ministria e Kulturës e Komuna e Ferizajt. Në një bisedë për KOHËN, drejtori i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, regjisori Besim Ugzmajli, ka thënë se kjo situatë sjell një lloj pasigurie që e mban nën presion organizimin e Festivalit. 

“Problemi kryesor është që Festivali i Teatrove, edhe pse është edicioni i 55-të, për shkak të formave sesi funksionojnë fondet prej qeverisë lokale dhe asaj qendrore, janë disa kritere për organizata dhe individë që aplikojnë për herë të parë dhe kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë për shkak se presim me muaj dhe për shkak se vlerësimi tepër i vonë i projekteve, gjithmonë e mban në një lloj presioni Festivalin dhe organizimin”, është shprehur Ugzmajli. 

Pos kësaj, regjisori Ugzmajli pas përfundimit të shfaqjes është parë duke i bërë me shenjë kah ulëset e skena kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në shpejtësi u drejtua nga dalja prej sallës. Parashihej që komplet Teatri të futej në renovim muaj më parë, por kjo nuk ndodhi. 

Sivjet në programin e edicionit të 55-të janë shtatë shfaqje gjithsej, njëra prej tyre jashtë gare. Në garë është shfaqja “Komedia e zezë”, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” nga Prizreni, “Prishtina, vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” nga qendra “Multimedia” në Prishtinë, “Bëje ose vdis” nga teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Djali” nga organizata “Anamour” nga Gjilani dhe “God Bless America” nga Teatri i Qytetit të Gjilanit. Shfaqja “Të Bardhët”, produksion i qendrës "Multimedia" është jashtë garës dhe e mbyll edicionin më 7 shtator. 

Do të vlerësohen nga juria e përbërë prej shkrimtares Zyrafete Shala, aktorit Simon Shkreli dhe regjisorit Agon Myftari. 

Festivali i ka bërë ftesë edhe Teatrit Kombëtar të Kosovës për të marrë pjesë me shfaqjen “Martesa”, por Ugzmajli ka bërë të ditur se kjo nuk u mundësua si rrjedhojë e kushteve në sallën e teatrit “Adriana”. 

“Arsyeja për mospjesëmarrje është krejt teknike, për shkak se shfaqja që ne na ka interesuar ka qenë e pamundur të akomodohet në skenën tonë, sepse është shumë më e madhe dhe përfundimisht nuk kemi mbërritur të kemi shfaqje të Teatrit Kombëtar”, ka thënë ai. 

E hapja me shfaqjen “13” nga Sulejman Rushiti është reflektim i thellë historik mbi shqiptarët e ndërtuar nga fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që janë prej themeleve të identitetit kulturor shqiptar. Teksti është mozaik nga “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadare, “Qerthulli politik” i Kristo Floqit, “ABC-ja e kreshnikëve” e Mitrush Kutelit dhe me poezi të Gjergj Fishtës. Pasiguria e tragjedia e shqiptarëve historikisht është aty. Vazhdon edhe sot në forma politike, në rrethana lirie. 

Kur shfaqja hapet, numëratori i viteve ndalet në vitin 1913. Skenografia e thjeshtë prej dyshemeje të pjerrtë e me drita të kuqe është hapësira ku shpaloset krejt rrëfimi. Qe viti kur Shqipëria përjetonte tensione një vit pas shpalljes së Pavarësisë. Në shfaqje është periudha ku kryeqytetet ndërroheshin dhe vulat e shtetit humben. E pastaj gjenden, e prapë humbin. Kur burrat shkojnë në luftë, lufta e tyre është kryesisht me vetveten. Ata kthehen nga lufta bashkë me trimërinë e shtirur e nderimet e panevojshme ndaj tyre. 

Skenat e shfaqjes janë ndërtuar si ironi me trimërinë, burrërinë, pleqërinë e edhe pushtetin. 

Është edhe ironi për “njerëzit e gjithëdijshëm”. Në shfaqje flitet edhe për ndasi e dallime midis shqiptarëve. Flasin për dialektet që nuk bashkohen assesi, për vendin ku ka shumë shkencëtarë e pak shkencë, ku ka shumë të diplomuar e pak dije. 

Nga fundi i shfaqjes, aktorët i referohen Kuvendit si “teatër i absurdit”. Si hapësirë ku askush nuk dëgjon dhe askush nuk kupton. Janë pikërisht video-incizimet e politikanëve e udhëheqësve të shtetit, gjuha denigruese e sjelljet e pahijshme që u përplasen në fytyrë atyre të cilëve kryesisht ulëset u rezervohen në rreshtin e parë. 

Atmosfera e energjia e hapjes së Festivalit të Teatrove është gati e njëjta secilën herë. Përherë pozitive e atraktive. I tillë është vetë ambienti. Ndonëse modest, dritat e teatrit, shenjat e Festivalit, mikpritja e ekipit e veçmas entuziazmi i publikut, e bëjnë të veçantë jo vetëm programin, por edhe përjetimin e vizitës në ngjarjen që sivjet shënon edicionin e 55-të
 

Aktori Arben Marevci që luan në shfaqje ka thënë se në “13” është përditshmëria shqiptare dhe lufta e tyre me njëri-tjetrin. 

“Dramatizimi ka filluar më herët, këto kanë qenë për njëqind vite Shqiptari, prej 1913 deri 2013 është paraparë, por për fatin tonë të keq kjo po vazhdon edhe në 2025-tën”, ka thënë ai. 

Ka theksuar përmbajtjen e shfaqjes ndërsa ka treguar se secili prej aktorëve të shfaqjes ka pasur shtatë a tetë role. 

“Minimumi është shtatë deri tetë role për secilin aktor, sepse ka shumë personazhe dhe regjisori e ka shpërndarë nëpër aktorë. Si tematikë, është ngjarje në gjeografinë shqiptare që na ka përcjellë qe njëqind e sa vite. E njëjta gjë është prej katër autorëve siç janë Kadare, Fishta e Mekuli dhe që regjisori ka bërë mbledhje të tekstit e dramatizim. Sulejman Rushiti ka bërë një punë të jashtëzakonshme me trupën tonë dhe ne jemi shumë falënderues ndaj tij për angazhimin shumë profesional”, ka thënë ai. 

Shfaqja “13” shquhet për frakturën e ironisë dhe sarkazmit ndaj skenës politike. 

“Sigurisht se është një shfaqje goxha politike, me një ironi, me sarkazëm brenda saj, me kuptim kombëtar, histori të ndryshme që vijnë nga fakte historike e prej letërsisë si mënyrë e interpretimit. Rëndom, në shumicën e hapjeve të Festivalit, e bëjmë me një shfaqje nikoqire”, është shprehur drejtuesi i Festivalit, Besim Ugzmajli. 

Sikur titulli i shfaqjes, numri që njihet si fatkeq, është edhe simbolikë për 13 aktorë në shfaqje ndërsa e tillë kishte qenë edhe data e premierës së shfaqjes – më 13 dhjetor të vitit të kaluar. 

Aktori Elton Tahiri është shprehur se shfaqja rrëfen sesi shqiptarët nuk kanë shënuar progres përgjatë një shekulli në shumë fusha të jetës. Pos tij,  Ali Krasniqi, Dora Xhemajli, Arben Marevci, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Blin Mani, Edona Berisha, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Salihu, Nexhat Xhokli e Sherif Bega janë 13-shja e kastës së aktorëve. 

“Është histori e shqiptarëve prej vitit 1913 deri në vitin 2013, duke parë se si historia na lidh prej këtij viti deri tash, që janë gati të njëjtat situata ndërmjet shqiptarëve se qysh asnjëri nuk merren vesh kur vjen puna për të bërë diçka konkrete bashkë, një ideal sa i përket kohëve të fundit”, ka thënë ai derisa ka treguar se sa herë jepet shfaqja, pjesa e preferuar e tij janë rrëfimet nga romani “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. 

“Më shumë e kemi shijuar pjesën e Ismail Kadaresë, që është një prej autorëve më të mirë shqiptarë dhe duke kuptuar që pjesa e tij e parë ‘Viti i mbrapshtë’, që ka qenë e ndërlidhur me katër vepra të tjera të tij. Kështu që, si inskenim, si ndërlidhje, realisht kjo shfaqje e shpalos saktësisht historinë se si kemi pasur raporte të ndërmjetësuara dhe të jashtme me ndërkombëtarët. Si shfaqje nuk ka role kryesore dhe secili rol përfaqëson diçka të pjesëve të historisë shqiptare prej pjesës politike, patriotike e kështu me radhë”, ka thënë ai pas shfaqjes. 

Shfaqja ka kulmuar disa herë me humorin, folklorin dhe mesazhet e saj. Publiku e ka duartrokitur e shpesh nuk ka ndalur të qeshurat. Madje ka brohoritur fort në momentin kur janë shfaqur incizimet e Kuvendit të Kosovës më 2013. 

Zanafilla e shfaqjes është pikërisht 13-shi që sipas regjisorit Sulejman Rushiti është një numër lojërash, fjalësh për besëtytninë jo vetëm te shqiptarët por edhe në gjithë botën. “Sikur fatkeqësia, fati i zi historik yni që lidhet me ndikimin e një viti pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe, çuditërisht tokat shqiptare u pushtuan nga fqinjët dhe kjo ndodhi pikërisht në vitin 1913”, kishte thënë për KOHËN, regjisori nga Maqedonia e Veriut pas premierës në dhjetorin e vitit të kaluar. Kishte thënë se për numrin 13 kanë shkruar shumë autorë si, Fishta në poezinë me titull ‘Zana e vizitorit’, Kadare te vepra e tij ‘Viti i mbrapshtë’, që gjithashtu e përmend si fenomen dhe luan me këtë besëtytni.

Gazetari Gent Mehmeti ka konsideruar se Festivali e ka nisur edicionin me këmbë të mbarë me vënien në skenë të shfaqjes “13”. 

“Nuk ka pasur hyrje ose fillim më të mirë për Festivalin sesa shfaqja ‘13’. Ka qenë një shfaqje fantastike e histori shumë interesante, për shkak se kishte shumë personazhe e karaktere. Më pëlqeu mesazhi politik që kishte, për shkak se flet për një Shqipëri të vitit 1913 dhe përfundon me atë të vitit 2013. Ishte një histori e krejt ngjarjeve ndërsa shqiptarët e bënin përpjekjen për t’u ngritur, ndodhte diçka që i zbriste poshtë”, ka thënë ai. 

Pas shfaqjes, publiku është argëtuar me muzikë nga Xuxi me bend.