Kulturë

Festivali i Teatrove në Ferizaj përgatitet nën stres e pa asnjë cent në llogari

Krahasimi i imazhit të hapjes dhe mbylljes së ngjarjes gjithnjë ka qenë tregues se numri më i madh i publikut është i rregullt në ngjarjen me traditë

Krahasimi i imazhit të hapjes dhe mbylljes së ngjarjes gjithnjë ka qenë tregues se numri më i madh i publikut është i rregullt në ngjarjen me traditë

Është festivali më jetëgjatë në Kosovë dhe prej atyre me historinë më të gjatë në rajon. Këtë vit Festivali i Teatrove në Ferizaj pritet ta mbajë edicionin e 55-të, prej 1 deri më 7 shtator. Gjithsej gjashtë shfaqje do të jenë në konkurrencë për kategorinë kryesore dhe katër të tjera në kategorinë “Youth in the Black Box”

Komuniteti artistik e publiku dashamir i teatrit po përgatiten të takohen si çdo vit në Ferizaj. Qytetit këtyre muajve i kanë munguar ngjyrat e festivalit, rrethuar me posterë që prezantojnë programin e edicionit. Është festivali më jetëgjatë në Kosovë dhe prej atyre me historinë më të gjatë në rajon. Këtë vit Festivali i Teatrove në Ferizaj pritet ta mbajë edicionin e 55-të, prej 1 deri më 7 shtator.

Gjithsej gjashtë shfaqje do të jenë në konkurrencë për kategorinë kryesore dhe katër të tjera në kategorinë “Youth in the Black Box”. Drejtori artistik i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, regjisori Besim Ugzmajli, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se kohëve të fundit po shkojnë drejt një konsolidimi të ekipit, për ta realizuar një rritje dhe reformim të festivalit.

“Përgatitjet po shkojnë mirë. Sigurisht çdo vit ka sfidat e veta, por vitet e fundit po përpiqemi të konsolidojmë një ekip më të qëndrueshëm, i cili po profesionalizohet në detyra specifike vazhdimisht, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për rritjen dhe reformimin e këtij festivali”, ka thënë Ugzmajli, i cili për katër vjet ishte udhëheqës artistik i teatrit “Adriana” në Ferizaj. 

Krahasimi i imazhit të hapjes dhe mbylljes së ngjarjes gjithnjë ka qenë tregues se numri më i madh i publikut është i rregullt në ngjarjen me traditë. Posterë me programin e festivalit, flamuj që valëviten, janë shenjat. Dritat e përhershme aty para hyrjes së teatrit e bëjnë të ngrohtë hapësirën. Sivjet e gjelbra është ngjyra e festivalit.

Tradicionalisht teatri “Adriana” ka qenë hapësira qendrore ku ky festival e ka shtrirë programin, e edhe sivjet lokacionet kryesore do të jenë hapësirat e këtij teatri. Krahas kësaj, edhe Galeria e Arteve do të jetë një hapësirë alternative. Ugzmajli ka theksuar se mungesa e hapësirave për festivalin është prej sfidave kryesore në avancim.

“Festivali do të mbahet kryesisht në lokacionet e teatrit “Adriana”, si dhe në disa lokacione të tjera alternative, siç është Galeria e Arteve. Fatkeqësisht, njëri nga problemet kryesore në avancimin e këtij festivali është mungesa e madhe e hapësirave ku mund të improvizohen skena teatrore”, ka treguar ai.

Sikurse edhe në edicionet e kaluara, përpjekjet për ndërkombëtarizim të festivalit nuk do të mungojnë, por gjithnjë pa e ndryshuar bazën tradicionale të tij.

“Këtë vit, sikurse edhe vitet e tjera, po përpiqemi që krahas ruajtjes së bërthamës tradicionale të Festivalit – pra shfaqjet teatrore shqiptare në konkurrencë – ta ndërkombëtarizojmë më shumë këtë ngjarje. Këtë po e bëjmë pa e ndryshuar rrënjësisht bazën tradicionale, por duke shtuar aktivitete sa më ndërkombëtare”, ka thënë regjisori Ugzmajli.

Dy punëtori të një rëndësie të lartë me artistë ndërkombëtarë janë paralajmëruar, teksa organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrësit gjatë këtyre aktiviteteve do të jenë nga rajoni e nga Kosova.

“Një veçanti e këtij edicioni është edhe formati i quajtur ‘Youth in the Black Box’, që do të sjellë shfaqje të dedikuara vetëm për të rinjtë dhe nxënësit, të cilat do të zhvillohen në Galerinë e Arteve në Ferizaj. Do të jenë gjithsej 6 shfaqje në kategorinë kryesore në konkurrencë dhe 4 shfaqje të tjera në ‘Youth in the Black Box’”, ka shtuar ai.

Ky edicion i 55-të i festivalit do të hapet me shfaqjen nikoqire “13” të Sulejman Rushitit, e cila është prodhim i teatrit “Adriana”. E njëjta ka qenë edhe fituese e dy çmimeve kryesore sivjet në “Flaka e Janarit”.

Kur para dy vjetësh Ministria e Kulturës nuk kishte ofruar përkrahje për këtë festival në ftesën vjetore për përkrahje të projekteve artistike e kulturore, ishte bërë shumë zhurmë brenda komunitetit artistik. Pas reagimeve, Ministria kishte ofruar mbështetje në formë të një memorandumi të bashkëpunimit, mirëpo Festivali i Teatrove në Ferizaj kishte refuzuar ta pranonte ofertën e Ministrisë, duke e konsideruar këtë vendim si “akt qëndrese e solidariteti”.

Sfida më e madhe mbetet sërish mbështetja institucionale për këtë festival. Ndonëse merr mbështetje sivjet nga Ministria e Kulturës dhe nga Komuna e Ferizajt, ajo nuk del të jetë e denjë për formatin e festivalit. Kërkesat për një “ngurtësim” të fondeve për më shumë se një vit, siç theksohet, kanë hasur në vesh të shurdhër deri tani. Pak ditë para nisjes së festivalit, dizajnimi i tij është bërë thuajse i pamundur, nën stresin e organizimit “pa asnjë cent në llogari”.

“Po, kemi pasur mbështetje nga Ministria e Kulturës, të cilën e kemi apeluar, sepse po përpiqemi të sigurojmë një qëndrueshmëri më të lartë financiare për festivalin. Ka qenë shumë stresuese dhe pothuajse e pamundur të dizajnohet një festival kur edhe pak ditë para fillimit nuk qe asnjë cent në llogari. Komuna e ka mbështetur gjithashtu, por kjo mbështetje është larg asaj që realisht duhet ta kishte ky festival”, ka thënë regjisori Ugzmajli. MKRS-ja për sivjet ka ndarë 40 mijë euro për Festivalin.

Por alokimi është muhabet tjetër. 

Në mes të imponimit të teatrit, përçimit të mesazheve përmes tij, festimit të tij e mundësive për të rinjtë, Festivali i Teatrove të Ferizajt synon që kështu  ta shënojë edhe një vit tjetër në pesëdekadëshin e tij. Festivali kishte nisur në vitin 1970 dhe gjatë kësaj periudhe u organizua edhe në rrethana të jashtëzakonshme. 

Festivali ka karakter garues, ndonëse shihet më shumë si festë që bashkon njerëz e artistë, ku çmimet janë më pak të rëndësishme karshi emocioneve që i ofron publiku. Edicioni i kaluar, pos tetë shfaqjeve, kishte sjellë edhe aktivitete të tjera si debate e punëtori. Triumfuese kishte qenë shfaqja “Tartufi” e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, me tekst të Molièrit e nën regji të Qëndrim Rijanit. Përveç çmimit kryesor, atij për shfaqjen më të mirë, ajo kishte fituar edhe Çmimin për regjinë më të mirë, Çmimin për rolin më të mirë episodik për aktorin Alban Alshiqi, si dhe Çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor për Aurita Agushin. Çmimin për aktorin më të mirë e kishte marrë Ernest Malazogu për rolin në “Audienca”, ndërkaq Çmimi për aktoren më të mirë i kishte takuar Suela Bakos për rolin në shfaqjen “Çifti i hapur”.