Kulturë

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” sabotohet në Ferizaj, Teatri s’dorëzohet

Teatri i Ferizajt

Ekipi i shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” në Teatrin e Ferizajt, “Adriana”

Tentim për censurë që kulmon me sabotazh nga autoritetet komunale në Ferizaj janë prapaskenat për shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, një satirë politike me tekst të Jeton Nezirajt në regji të Agon Myftarit. Por Teatri i Ferizajt “Adriana” nuk ka ndërmend të dorëzohet. Shfaqja do të jepet më 14 qershor, me tekst të plotë të shfaqjes. Përderisa autoritetet komunale kanë heshtur, në lojë është futur edhe Dega në Ferizaj e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që ka konfirmuar se është kërkuar të hiqen disa pjesë, por se “nuk kanë hequr skena”. “Kjo është skandaloze”, ka thënë dramaturgu Neziraj, për të cilin raste si këto nuk janë të panjohura

Është pothuajse e pashmangshme që një shfaqjeje me tekst të Jeton Nezirajt, të mos i paraprijë edhe një “shfaqje” tjetër para saj, që zhvillohet në prapaskenë, zyrave komunale e shtetërore, me ftesa për ekipin, tentim për retushim të tekstit, kërkesa për heqje pjesësh a ndryshim titulli, presion me ndalje fondesh për ta pamundësuar atë. Një e tillë do të titullohej “Censurë” ose “Sabotim”. Subjekt është “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, tekstit që e inskenon Teatri i Ferizajt “Adriana”, nën regji të Agon Myftarit. Shfaqja e njohur në disa versione, e vlerësuar ndërkombëtarisht në alamet teatrosh, bazuar në dramën e përkthyer në sa e sa gjuhë, duket sikur fatin përballë tentimeve për ta penguar, e ka të parashkruar qysh me premierën botërore në dhjetorin e vitit 2012, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë kur direkt nga Ministria e Kulturës pati tentativa për ta anuluar. Qasja në Ferizaj është gati e njëjtë. Ndryshojnë “personazhet”. Tash janë autoritetet komunale tok me Degën në Ferizaj të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Tentimin për censurë dhe sabotimin në lidhje me këtë shfaqje i ka bërë të ditura në një deklaratë për media Teatri i Ferizajt “Adriana”. Por në fund, ka kumtuar se nuk zmbrapset. Shfaqja do të jepet më 14 qershor, përkundër sabotimin nga Komuna e Ferizajt dhe data është kompromisi i vetëm. “Një premierë përtej pengesave” është titulli i deklaratës së Teatrit.

“Është e pabesueshme që në vitin 2025, kur flitet për liri krijuese dhe mbështetje për artin, të përballemi ende me forma të censurës dhe kufizimeve ndaj shprehjes artistike.  Pikërisht këtë kemi përjetuar gjatë procesit krijues të shfaqjes ‘Fluturimi mbi teatrin e Kosovës’ të Jeton Nezirajt, në regji të Agon Myftarit, që po realizohet në Teatrin ‘Adriana” të Ferizajt’”, shkruhet në fillim të deklaratës. Aty zbardhen detaje. Shkruhet se teksti i plotë i shfaqjes – pa shkurtime, sipas konceptit regjisorial –  është dorëzuar për verifikim më 15 maj, dhe më pas, më 22 maj, kanë dërguar një reagim zyrtar ndaj vërejtjeve të institucioneve relevante, përfshirë drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Komunës së Ferizajt.

“Përkundër kësaj, trupës sonë i janë vendosur pengesa të njëpasnjëshme: është kërkuar heqja e pjesëve nga teksti, mungesa e buxhetit për blerjen e materialeve të nevojshme është komunikuar vetëm pak ditë më parë, dhe data e shfaqjes – nga ana jonë një kompromis i sinqertë –  është shtyrë nga 7 qershori në 14 qershor, për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje institucionale”, shkruhet në deklaratë. Por historia nuk përfundon këto. Teatri thotë se ajo që kanë përjetuar “është një sabotim i heshtur dhe një formë e censurës indirekte” që synon të shuajë zërin artistik, “jo duke e ndaluar hapur, por duke e bllokuar përmes mungesës së mbështetjes”. 

“Por kjo nuk do të na ndalë. Ne, si trupë teatrore dhe si institucion, kemi marrë vendimin që shfaqja do të ngjitet në skenë më 14 qershor 2025, ashtu siç është planifikuar. Edhe nëse kjo do të thotë të riciklojmë kostume e skenografi nga prodhime të mëhershme, edhe nëse duhet të sigurojmë vetë blerjet minimale të materialeve. Sepse kjo nuk është më vetëm një çështje e mbijetesës artistike, por një çështje e mbrojtjes së lirisë krijuese që i takon çdo artisti dhe çdo institucioni kulturor”, ka shkruar Teatri. Për këtë institucion kulturor, është paradoksale dhe shqetësuese “se si disa individë marrin bajrakun e patriotizmit, duke akuzuar tërthorazi artistët si antikombëtarë, dhe në emër të një lloj nacionalizmi primitiv, përpiqen të kufizojnë të drejtën krijuese — për të cilën të njëjtët kanë luftuar në vitet 1998–1999”. Për Teatrin patriotizmi i vërtetë konsiston në lirinë e fjalës, të shprehjes, dhe të krijimit. “Pjesëmarrësit në këtë shfaqje, por edhe familjarët e tyre, kanë vuajtur burgun dhe kanë dhënë jetën pikërisht për këtë të drejtë. Paradokse të tilla, edhe pas 26 vjetësh pas luftës, nuk i duron më as artisti, as qytetari i Kosovës. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje publikut, mediave, komunitetit artistik dhe çdo qytetari që beson në lirinë e mendimit dhe të shprehjes: Të mos heshtim kur arti pengohet. Të jemi bashkë kur arti sfidohet”, ka shkruar Teatri.

Drejtori i Teatrit të Ferizajt, Fatmir Hyseni, ka konformuar 14 qershorin për datë të premierës.

Drejtoreshë e DKRS-së në Komunën e Ferizajt – e cila përmendet në deklaratën e Teatrit – është Xhemile Shabani – Murati. KOHA ka provuar disa herë e në disa mënyra ta kontaktojë atë, por gjatë ditës së hënën nuk është lajmëruar njësoj sikurse edhe zyrtarë të tjerë komunalë, përfshirë edhe kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu.

KOHA ka marrë vesh se Xhemile Shabani – Murati kohë më parë, kishte ftuar në takim përfaqësues së Teatrit dhe njërin prej aktorëve sikurse edhe një përfaqësues të Degës së Ferizajt të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Aty ishte kërkuar të hiqen pjesë të tekstit, deri në ndryshim të titullit të shfaqjes dhe shtyrje të premierës “që të mos fyhen me këtë shfaqje vlerat çlirimit të qytetit”. Ferizaj feston Ditën e Çlirimit më 12 qershor. Shfaqja – të cilën Teatri është i vendosur ta japë – është hequr fare nga programi festiv i Komunës me arsyetimin se nuk ka buxhet. Se shtyrja dhe “heqja e disa pjesëve”, kanë qenë kërkesa edhe të Degës së Ferizajt të OVL-së së UÇK-së e ka konfirmuar, kryetari i saj Afrim Mehmeti. Por ai e lexon ndryshe këtë situatë. Thotë se nuk e kanë penguar shfaqjen.

“Ka qenë Luani (Jahiri v.j.) nënkryetari, pjesë e një diskutimi që është bërë për këtë ngjarje dhe ne e kemi diskutuar. Është diskutuar shumë për çështje negative, pavarësisht asaj se kjo dramë si duket ka bërë shkëputje prej atyre skenave negative. E kemi kuptuar që ata kanë marrë masa të hiqen këto skena negative, gjë që ka qenë shumë e diskutueshme, sidomos nga veteranët”, ka thënë Mehmeti për KOHËN. Ai ka thënë se ka parë versione të mëhershme të shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” e sipas tij  “edhe tash që janë bërë përmirësime të dukshme”. 

“Nuk kam dijeni se kush është ekipi, por, tash pavarësisht përmirësimit, ne vetëm nuk e kemi parë të arsyeshme të shfaqet deri më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit. Pasi ne jemi pjesë e agjendave të këtyre organizimeve së bashku me Komunën, kemi qenë kundër këtij aktiviteti. Ne kemi qenë kundër shfaqjes pasi fillimi i saj kishte qenë me skena shumë denigruese për pjesëtarët e udhëheqësit e luftës, për disa ndodhi që i kanë përçmuar, përdhosur, etiketuar. Nuk kemi qenë shumë të gatshëm që ajo shfaqje të jepet në kohën kur ne kemi organizime deri më 12 qershor”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, ata  “nuk kanë hequr skena”. “Nuk e pengojmë. Pas 12 qershorit le ta bëjnë”, ka thënë ai.

“Kjo është skandaloze”, ka thënë dramaturgu Jeton Nezirajt kur ka komentuar “skemën e censurimit me metoda klasike”.

“Siç jam informuar nga teatri dhe ekipi i shfaqjes, skema e censurimit të kësaj shfaqjeje ka rrjedhur përmes metodave klasike! Fillimisht nga Komuna është kërkuar teksti i plotë i dramës, e pastaj, trupës së shfaqjes dhe teatrit i janë vendosur pengesa e kërkesa të papranueshme, duke përfshirë edhe kërkesën për ndërrimin e titullit, heqjen e disa pjesëve të tekstit, e ndërrimin e datës së premierës (që premiera të mos korrespondojë me festimet e përvjetorit të çlirimit të qytetit). Dhe së fundi, kur këto metoda shantazhi nuk janë pranuar nga trupa dhe teatri, komuna ka komunikuar pezullimin e projektit ‘për mungesë fondesh’, pavarësisht se fondet fillimisht ishin të zotuara”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, këto taktika shantazhi, Komuna dhe zyrtarët komunalë i kanë ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së.

“Dhe kjo vetëm sa e bën edhe më shqetësuese çështjen e censurës. Sepse, faktorë të jashtëm, shoqata e grupacione parapolitike janë lejuar dhe ftuar të përfshihen dhe janë lejuar të diktojnë politikat programore të teatrit.

"Kjo është skandaloze”, ka thënë Neziraj.

Në vija të trasha “Fluturimi...” – siç ishte parë në Prishtinë në dhjetorin e vitit 2012 –  flet për një trupë teatrore të Kosovës në prag të shpalljes së Kosovës shtet që po orvatet të krijojë një shfaqje. Por shfaqja e parë e shtetit më të ri dështon, njësoj sikur edhe fjalimi i kryeministrit. Është një satirë politike. Ajo që ngjau edhe asokohe me premierën në kryeqytet por edhe tash në Ferizaj, është një soj realiteti që reflektohet në shfaqje.

“Realisht, ekipi i shfaqjes ka përjetuar në realitet atë çfarë e projekton dhe shpërfaqë vetë komedia ‘Fluturimi mbi teatrin e Kosovës’”, ka thënë Neziraj. Ka përsëritur atë që e ka ritheksuar jo rrallë në situata të tilla si kjo e radhës. 

“Teatri duhet të jetë i lirë – sepse vetëm një teatër i lirë është dëshmi e një shoqërie të lirë. Teatri është një hapësirë ku shoqëria e ushtron demokracinë e sajë. Prandaj, kur kjo hapësirë kufizohet e cenohet, bashkë me të kufizohet e cenohet edhe praktikimi i demokracisë në shoqëri e shtet”, ka thënë ai.

E, raste të tilla për të janë krejt të njohura. Pos pluhurit që çoi në Prishtinën e fundvitit 2012, “Fluturimi mbi teatrit e Kosovës” ka një episod si ky edhe në Stamboll. Më 2014, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës i ishte kërkuar Teatrit Shtetëror në Stamboll që ta censurojë një pjesë të tekstit. Drejtori i këtij institucioni, Mustafa Kurt, kishte refuzuar, e për këtë kishte dhënë dorëheqjen. Si arsye ishte përmendur presioni që i kanë bërë autoritetet shtetërore në lidhje me tekstin e dramaturgut kosovar dhe atë të shfaqjes “Dielli edhe kur perëndon është i madh” të Kasim Aksharit. Reagimi i Ministrisë së Kulturës së Turqisë kishte ardhur pas premierës së shfaqjes me tekst të Nezirajt në Teatrin Shtetëror, të cilën e kishte inskenuar regjisori i njohur turk, Atilla Şendil. Premiera qe dhënë më 7 tetor të vitit 2014 e menjëherë pas saj Ministria e Kulturës e këtij vendi formoi Komisionin për leximin e teksteve në kuadër të Ministrisë që u mor me “Fluturimin mbi Teatrin e Kosovës” dhe “Dielli edhe kur perëndon është i madh”.

Me veteranë të luftës së UÇK-së, dramaturgut Jeton Neziraj, vetë veteran lufte – i kishte dalë punë edhe në prillin e vitit 2017 për shfaqjen “Bordel Balkan”, pak para premierës në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Asokohe do të kërcënohej me vdekje nëse shfaqja do të vihet në skenë. “Ky reagim kundër Neziraj vjen si rezultat i informacioneve që ne kemi se vepra denigron luftën e UÇK-së dhe bastardon vlerat tona kombëtare. Ne u takuam me autorin e të ashtuquajturës vepër dhe ai nuk pranoi të na e tregonte skenarin”, shkruhej në deklaratën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në më pak se një vit, shfaqjet me tekst të Nezirajt u përballen me situata censurimi e tentativash për censurim. Në tetorin e vjetëm Ambasada e Turqisë në Kosovë do ta ftonte ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, që të mos lejonte të jepej shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” . Në Prizren ia doli ta anulonte dy herë – në dhjetorin e kaluar dhe në marsin e sivjetmë – por jo edhe në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës muajin e kaluar kur përdori presionin edhe me notë diplomatike. Teatri i Sarajevës s’u dorëzua, përkundër kërcënimeve edhe nga veteranët e luftës dhe e bëri këtë si triumf jo vetëm të lirisë artistike.