Elefanti i mermertë, vepër e mjeshtrit të Barokut Gian Lorenzo Bernini, është dëmtuar në qendër të Romës, njoftuan autoritetet, duke shtuar se është thyer briri i majtë i statujës, i cili u gjet pranë bazamentit të saj. Dëmtimi u zbulua në fillimjavë dhe policia bëri të ditur se do të shqyrtojë pamjet e kamerave të sigurisë në Sheshin e Minervës për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një akt vandalizmi apo nëse briri ka rënë vetvetiu pas disa javësh reshjesh të pazakonta dhe të dendura shiu.
Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, ka bërë të ditur se beson se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm. Ai ka thënë se dëmtimi i statujës së shekullit XVII, elefantit që mban një obelisk të lashtë egjiptian, është një “akt absurd barbarie”.
“Është e papranueshme që trashëgimia artistike dhe kulturore e kombit të pësojë sërish një dëm kaq të rëndë”, citohet të ketë thënë ai.
Kjo nuk është hera e parë që skulptura, e njohur në popull si Elefantino (elefanti i vogël), pëson dëmtime. Në nëntor të vitit 2016, maja e të njëjtit bri ishte thyer gjithashtu, por më pas u rikthye në vend pas punimeve restauruese.
Skulptura u realizua në vitin 1667 nga Ercole Ferrata, sipas projektit të Berninit. Ajo ndodhet pranë Pantheonit, një prej destinacioneve turistike më të vizituara në Romë.
-
Busti i hyjneshës Venus në Spanjë nxjerr të dhëna të reja arkeologjike
-
Shembet gjatë rinovimit kulla mesjetare në Romë
-
Hajdutët grabisin katër vepra të mjeshtrit të Renesancës në Sicili
-
Anija mbi 2000-vjeçare pasuron gjetjet arkeologjike në Itali
-
Elefantët robotikë tërheqin turma e shkaktojnë polemika në tempujt e Indisë