Kulturë

“DokuFesti” i pathyeshëm me 99 filma garues në botën e trazuar

“DokuFesti” i pathyeshëm me 99 filma garues në botën e trazuar

Janë gjithsej 99 filma në shtatë kategori garuese të përzgjedhur prej gati tre mijë e 500 aplikimesh nga e gjithë bota në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”. Programet e tjera, si ato të filmave jashtë gare do të bëhen publike së shpejti, ndërsa tema e festivalit pritet të lansohet në ditët e para të korrikut

Zhvillimet në botë përgjatë një viti kanë qenë të pashmangshme në ndikimin e përzgjedhjes së filmave për programin garues të edicionit të 24-t të festivalit ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, i cili të premten ka shpalosur titujt e kategorive garuese. Janë 99 filma nga të katër anët e botës, edhe sivjet thyen rekord, por i pathyeshëm mbetet ky festival pavarësisht se organizatorët kanë paralajmëruar se janë goditur nga aspekti ekonomik, për shkak të shkurtimit të subvencioneve nga Komuna e Prizrenit. “Kjo ka ndikuar për shkak se është situatë ekonomike në aspektin tonë, por mbi të gjitha në aspektin e reputacionit, ‘DokuFest’ ende vazhdon ta habitë audiencën, sikur edhe sivjet, me program shumë të mirë të filmave”

Një muaj e pak ditë para nisjes së edicionit të 24-t, festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” ka shpalosur veç një pjesë të programit si paralajmërim për publikun. Janë gjithsej 99 filma në shtatë kategori garuese të përzgjedhur prej gati tre mijë e 500 aplikimesh nga e gjithë bota. Sa i përket kësaj pjese, rekordet thyhen çdo vit, por i pathyeshëm është “DokuFesti”, që premton risi, program unik me qendër te filmat me tema autentike e aktuale nga e gjithë bota. 

Sipas organizatorëve, zhvillimet në botë përgjatë një viti kanë qenë të pashmangshme në ndikimin e përzgjedhjes së filmave për programin garues. 

Në atë që prej edicionit të kaluar është kategoria kryesore e festivalit, ajo e filmave vendorë sivjet përfshin filmat “Pesë stinët e fëmijërisë sime” të Besim Ugzmajlit, filmin “Ndera” të Endrit Qarollit, “Ben’s Birthday” të Robert Deçanit, filmin “Në parajsën socialiste (Nuk bie shi)” të Ermela Telit e “The Rabbit is Dead” të Hanis Bagashov. 

Në garë për çmimin kryesor sivjet janë edhe filmat: “I had white cotton in my yard, I fed it, I watered it” nga Endi Tupja dhe Klodiana Millona, “Hyjnesha në fron” nga Durim Klaiqi, “Mos parko” nga Zana Radogoshi, “Fluturat” nga Astrit Ismaili, “SOS” nga Anita Morina, “Mua besoj më shpëtoj portreti” nga Alban Muja, “Fatbardha” nga Kitty Kentezi dhe  “Mama Klorin” nga Doreida Xhogu. 

Në “Balkan Dox”, që për 23 edicione fituesi i festivalit përcaktohej nga kjo kategori, bëjnë pjesë filmat: “A strange colour of dream” nën regji të Yasemin Akinci, “The mountain won't move” nën regji të Petra Seliškar, “The track” nën regji të Ryan Sidhoo, “Soil and wings” nën regji të Stefan Malesheviq, “Possibility of paradise” nën regji të Mladen Kovaçeviq, “Human Fiction” nën regji të Andreas Hadjipateras e “I have never been on an airplane” nga Redon Kika. 

Në këtë kategori janë edhe filmat, si: “Bright Future – Viitor Luminos” me regjisore Andra MacMasters, Greetings from Secretariat” me regjisor Ivan Ramljak, filmi “Blue, Revolution and VHS Tapes” me regjisor Serdar Kökçeoğlu, “Ceasefire” me regjisor Jakob Krese, “Antigona” me regjisor Iber Dearin, filmi “Merging bodies” me regjisor Adrian Pacin, “Lavender” me regjisore Mateja Raiçkoviq, “Stars of Roma Termini” me Ado Hasanoviq, “Twst - Things we said today” me Andrei Ujica dhe “The divided city of Mitrovica” me regjisor Marko Grba Singh. 

Filmat e tjerë janë të shpërndarë në kategoritë “International dox: features”, “International dox: Shorts”, Human rights dox”, “Green Dox”, “International shorts”. 

Kategoria “Truth Dox”, që tradicionalisht ka qenë pjesë e festivalit, sivjet është hequr nga programi, por organizatorët kanë bërë të ditur se do të rikthehet në edicionin e vitit të ardhshëm.

“Pavarësisht vështirësive që i kemi pasur këtë vit, mbase i keni parë edhe reagimet ndaj subvencioneve të Komunës, kemi marrë numër rekord të filmave, por njërën prej kategorive garuese, që është ‘Truth Dox’, jemi detyruar ta heqim sivjet dhe do ta rikthejmë në vitin 2026. Kjo natyrisht që ndikon pak edhe në zvogëlimin e programit dhe të njerëzve që do të merren në punë”, ka thënë producentja e “DokuFest”, Alba Çakalli, derisa ka bërë të ditur se filmat janë të guximshëm dhe se sjellin tema aktuale globale. 

“Kjo ka ndikuar për shkak se është situatë ekonomike në aspektin tonë, por mbi të gjitha në aspektin e reputacionit, ‘DokuFest’ ende vazhdon ta habitë audiencën, sikur edhe sivjet, me program shumë të mirë të filmave. Ka filma shumë të guximshëm, sidomos në këtë rrafsh se çfarë po ndodh në aspektin global. Ne do ta bëjmë më të mirën e mundshme t’i shfaqim tek audienca jonë”, ka thënë më tej Çakalli në një bisedë për KOHËN. 

Këtë muaj, “DokuFest” ka reaguar se për të dytin vit me radhë buxheti i Komunës së Prizrenit për festivalin është ulur për 30 për qind. 

“Me gjithë rritjen e buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për ‘DokuFest’ është ulur për gati 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash 24 vjet ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, shkruhet në reagimin e 10 qershorit të “DokuFestit”. 

Producentja e festivalit, Alba Çakalli, ka thënë se megjithatë ngjarja do të zhvillohet në formatin në të cilin është planifikuar, porse u është vështirësuar puna në planifikim. 

“Sigurisht se ka disa shkurtime në buxhet në aspektin buxhetor, të cilin na është dashur ta modifikojmë dhe na ka vështirësuar punën në planifikimin dhe realizimin e ëndrrave tona. Prapëseprapë do të ketë shumë risi si në programin e filmave, ashtu edhe në programin e muzikës. Risia më e madhe është lansimi i Forumit të Filmit të Shkurtër sivjet. Ajo është diçka të cilën do ta nisim dhe do të jemi shumë të vendosur ta mbajmë dhe ta rrisim në vitet e ardhshme”, është shprehur ajo. 

Ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me programe të tjera, si ai muzikor. Çakalli ka zbuluar se “DokuNights” sivjet do të shtrihet te Kalaja e qytetit. Javën e kaluar, kur “Shkodra Elektronike” mbajti koncert në Prishtinë, anëtarët e saj bënë të ditur për KOHËN se janë pjesë e programit të sivjetmë të “DokuFestit”. 

Në komunikatën për media bëhet e ditur se programet e tjera, si ato të filmave jashtë gare “View from the World”, “Spotlight”, ai i retrospektivës, “DokuNights”, “DokuKids”, panele, ligjërata e masterklasë – që tashmë janë tradicionalisht pjesë e festivalit – do të bëhen publike së shpejti, ndërsa tema e festivalit pritet të lansohet në ditët e para të korrikut. 

Në këtë komunikatë që shpalos programin e filmave në garë, drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, citohet të ketë thënë se ngjarjet globale kanë reflektuar në përzgjedhjen e këtyre filmave. 

“Ka qenë një vit i vështirë, i dhunshëm dhe i trazuar, dhe kjo gjendje padyshim reflekton në përzgjedhjen që kemi bërë dhe në atë që do të shfaqet në ‘DokuFest’ së shpejti. Por ky moment është po ashtu një rikujtim se regjisorët e dokumentarëve janë gjithmonë duke ndjekur se çfarë po ndodh sot në botë dhe janë pikërisht ata që na risjellin histori të kaluara për t’i parë dhe për t’u kujdesur për to. Prandaj, kjo përzgjedhje është një mënyrë për të nderuar këta heronj të heshtur dhe ne jemi krenarë që ofrojmë një hapësirë ku  puna e tyre mund të shihet dhe të vlerësohet nga shumë të tjerë”, citohet Nurkollari.

E programuesi i filmave të shkurtër në “DokuFest”, Samir Karahoda, po në këtë komunikatë shprehet se edhe sivjet “përzgjedhja e filmave të shkurtër pasqyron një botë që nuk është më ajo që ka qenë dikur. Një botë në trazira, një shoqëri që po ndryshon çdo ditë e më shumë dhe një realitet gjithnjë e më kompleks”. 

“Duke pasur parasysh këtë, kemi qenë në kërkim të zërave të guximshëm dhe vizioneve unike që sfidojnë qasjet tradicionale, si në përmbajtje ashtu edhe në gjuhën kinematografike, përmes tregimeve që trajtojnë kriza personale, zhvendosje, ndarje shoqërore dhe ndjeshmëri njerëzore në zbehje. Besojmë se kemi gjetur shumë nga këto në përzgjedhjen e mëposhtme të filmave të shkurtër”, shkruhet më tej në citimin e Karahodës në komunikatë. 

“DokuFest” zhvillon edicionin e 24-t prej 1 deri më 9 gusht në Prizren. Tradicionalisht filmat shfaqen gjatë gjithë ditëve të festivalit në hapësira të destinuara për shfaqje filmash si kinematë “Lumbardhi” e “DokuKino”, por ngrihen edhe hapësira atraktive të improvizuara si kinema në ambient të hapur. Sido që të ngjajë me kushtet, “DokuFest” premton edicion magjik me përplot filma, muzikë dhe jo vetëm.