Kulturë

Dështimi i blerjes së veprave artistike: kaos, joprofesionalizëm, presion

galeria

“Under the Sun – Explain What Happened?” e Flaka Halitit, një nga veprat e përzgjedhura për përvetësim nga Galeria Kombëtare e Kosovës (Foto: Ivan Erofeev)

Institucioni më i lartë i artit pamor vjet ka dështuar që të blejë vepra arti në vlerë prej 400 mijë eurosh. Negociatat me artistë kishin përfunduar dhe madje janë caktuar afatet për kontrata. Por në fund përmbyset gjithçka dhe procesi pezullohet. Pas disa muajsh heshtje Galeria u kërkon ndjesë artistëve dhe tregon se “ka pasur vështirësi në përpilimin e protokolleve”. Ndërsa Komisioni u tregon se janë “pezmatuar”. Në këtë tekst tregohet përvoja e disa artistëve dhe shpaloset komunikimi i Galerisë dhe Komisionit me ta. KOHA ka marrë përgjigje prej Komisionit, Këshillit Drejtues të GKK-së e edhe ato çështje do të trajtohen në tekstin në vazhdim

Në emër të Galerisë Kombëtare të Kosovës, me artistët që janë zgjedhur për t’ua blerë veprat e artit ka komunikuar Komisioni i cili e ka bërë këtë përzgjedhje. Komunikimi është zhvilluar kryesisht prej muajit korrik deri në nëntor të vitit të kaluar. Artistët me të cilët janë përmbyllur negociatat e kanë konsideruar si punë të kryer përvetësimin e veprave nga Galeria.

Kësisoj, u është bërë me dije nga vetë institucioni. Por prej dhjetorit e deri në prillin e sivjetmë, artistët nuk kanë marrë kurrfarë njoftimi zyrtar se çfarë ka ngjarë me procesin. Në bazë të komunikimit me disa artistë, përvoja e tyre me GKK-në është thuajse e njëjtë për secilin sa i përket këtij procesi. Institucioni më i lartë i artit pamor vjet ka dështuar që të blejë vepra arti në vlerë prej 400 mijë eurosh. Buxheti ka mbetur i pashfrytëzuar.

Raportet zyrtare të publikuara në tekstin e kaluar pasqyrojnë zallamahinë administrative të procesit. Në këtë tekst tregohet përvoja e disa artistëve dhe shpaloset komunikimi i Galerisë dhe Komisionit me ta. KOHA ka marrë përgjigje prej Komisionit, Këshillit Drejtues të GKK-së e edhe ato çështje do të trajtohen në tekstin në vazhdim. Deri në përpilimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje vetëm nga Ministria.

Finalizimi i negociatave

Në emër të Komisionit që ka pasur detyrë të përzgjedhë veprat për pasurimin e koleksionit të GKK-së, ka komunikuar kryetarja Hana Halilaj, njëherësh kuratore në GKK. Anëtarë ishin: Arta Agani, kuratore e artiste, Edi Muka, kurator, Shkëlzen Maliqi, kritik i artit dhe Vesa Sahatçiu, historiane e artit. Artistëve u është treguar se përse janë përzgjedhur ata, u janë kërkuar të dhëna teknike për veprën e përzgjedhur dhe një përshkrim konceptual i saj. Më pas është negociuar çmimi dhe është bërë dakordimi. Ata që kanë arritur marrëveshje – në bazë të disa komunikimeve që ka parë KOHA – janë falënderuar për bashkëpunimin, për konsideratën e treguar edhe sa i përket çmimit dhe u është treguar një detaj: u është thënë se sa i përket kontratës do të kontaktohen nga administrata e Galerisë gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2024. Për shumëkë çështja ishte mbyllur dhe prisnin nënshkrimin e kontratave. Por realisht tash ishte hapur hendeku i madh i moskomunikimit dhe dështimit të procesit për vitin e kaluar. Raporti nuk është miratuar nga Këshilli Drejtues dhe artistët që kanë arritur marrëveshje s’janë ftuar nga Galeria për nënshkrim kontrate dhe janë lënë pa kurrfarë informacioni për disa muaj.

Në Raportin e Komisionit renditen 34 artistë me 76 vepra. Për katër artistë s’kishte marrëveshje deri në atë kohë dhe është shënuar se “duhet konfirmuar”. Po ashtu për dy të tjerë është rekomanduar që të dërgohet procesi në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për verifikim të konfliktit të interesit pasi njëri ka familjar në Komision e tjetri në Këshill Drejtues.

KOHA ka komunikuar me 10 artistë të përfshirë në këtë proces. Janë përgjigjur 6 prej tyre. Në vija të trasha shumica rrëfimin e kanë të njëjtë.   

Flaka Haliti ka treguar se biseda dhe shqyrtimi për blerjen e veprës së saj të komisionuar nga “Manifesta14”,  “Under the Sun – Explain What Happened?” për koleksionin shtetëror të Galerisë Kombëtare të Kosovës kishte filluar qysh në vitin 2023, ndërkohë që vepra ishte ende në donacion për një vit në ekspozim në Pallatin i Rinisë.

“Megjithatë, vendimi nuk u mor dhe vepra u largua nga lokacioni aktual më 6 nëntor 2023. Bisedat vazhduan që ata ende do të ishin të interesuar të gjenin mënyra për ta blerë veprën, gjë që më pas mori hapa më konkretë në vitin 2024 kur Galeria Kombëtare emëroi jurinë komisionuse për të punuar në përzgjedhjen e artistëve specifikë që do të përfshiheshin në koleksion përmes kësaj blerjeje”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se si rezultat, negocimi midis Komisionit të Galerisë u bë me disa takime fizike, në “Zoom” dhe disa shkëmbime emailesh. 

“Ky proces negociues zgjati pak a shumë një vit, ku përmes bisedave u dakorduam që ata do të blinin veprën ‘Under the Sun – Explain What Happened?’ dhe dy vepra të hershme do të dhuroheshin si donacion nga unë për koleksionin e GKK-së. Megjithatë, kjo marrëveshja e ndërsjellë nuk u çua kurrë në hapin tjetër për t’u bërë zyrtare në ndonjë formë të shkruar nga ana e Galerisë Kombëtare”, ka thënë Haliti. Ka treguar se kishte vonesa dhe nuk u dha ndonjë përditësim zyrtar deri më 4 prill 2025, kur një email i është dërguar nga Këshilli Drejtues që kërkonte falje për vonesën, duke theksuar se kishin pasur vështirësi për të vazhduar me blerjen për shkak të vështirësive në përpilimin e protokolleve dhe procedurave për realizimin e hapave në kohë, dhe se duhet më shumë kohë. 

“Unë ju ktheva përgjigje duke shprehur keqardhje që kjo nismë shtetërore me rëndësi dhe përmasa historike ka dështuar të vazhdojë për shkak ‘të mungesës së përvojës dhe vështirësive në përpilimin e protokolleve dhe procedurave të nevojshme për zbatimin e saj në kohë’. Dhe po ashtu pata disa pyetje, në lidhje me kohën që parashihet, duke shprehur zhgënjimin dhe dëmet që kjo vonesë ka shkaktuar, marrë parasysh se si artiste e përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces, kjo vonesë me dëmton mua, veçanërisht duke qenë se veprën time ‘Under the Sun – Explain What Happened?’ më është dashur ta mbaj pezull për gati dy vjet, duke evituar të ekspozohet diku tjetër apo të ofrohet për koleksione të tjera që nga de-instalimi i saj nga lokacioni origjinal në vitin 2023”, ka sqaruar ajo. Krejt në fund ka treguar se më 2 qershor shkroi edhe një email për t’iu kujtuar, se ende po pret nga Galeria Kombëtare ndonjë përgjigje dhe fatkeqësisht nuk mori asnjë reagim.

Cenim serioz i kredibilitetit të institucionit

Erzen Shkololli, i cili para një dekade kishte drejtuar Galerinë Kombëtare të Kosovës për një mandat, ka treguar se në gusht janë bërë më shumë se një vit nga kontakti i tij i parë me Hana Halilajn. Ishte kontaktuar saktësisht më 16 korrik 2024.

“Pas gjithë kësaj kohe dhe disa ‘emaileve’ të mia të paadresuara, ende nuk kam marrë një përgjigje të qartë mbi fatin e këtij procesi, pavarësisht se Komisioni ka deklaruar se e ka dorëzuar raportin me rekomandimet për blerje që prej shumë muajsh”, ka thënë ai. Ka sqaruar se procedura me të ka mbetur pezull dhe pa asnjë komunikim zyrtar apo transparent.

“Në ‘emailin’ përmbyllës të datës 6 nëntor 2024, kryetarja e komisionit, znj. Hana Halilaj, më njoftoi se procesi kishte përfunduar dhe se do të kontaktohesha nga administrata për kontratën – duke krijuar përshtypjen se gjithçka ishte mbyllur. Vetëm më pas, pas muajsh pa përgjigje, u theksua se vendimi i takonte Këshillit, një fakt që nuk ishte bërë i ditur më herët”, ka treguar ai. Ka shtuar se ndërkohë, sipas Vesa Sahatçiut, Komisioni kishte përfunduar mandatin e vet duke dorëzuar raportin dhe listën e veprave për blerje te Këshilli Drejtues.

“Pyetja që lind në këtë pikë është: çfarë është bërë me atë listë dhe a është shqyrtuar ndonjëherë nga Këshilli. Prandaj, kjo vonesë e tejzgjatur nuk është thjesht një zvarritje procedurale, por pasojë e mungesës së koordinimit mes Komisionit, ushtrueses së detyrës së drejtorit dhe vetë Këshillit Drejtues. Kjo ka dëmtuar besimin e artistëve në proces dhe ka cenuar seriozisht kredibilitetin e institucionit”, ka përfunduar ai.

Artisti Astrit Ismaili ka sqaruar se në tetor 2024 është shprehur interesim për blerjen e veprave të tij. Komisioni përzgjodhi “Lynx”.

“Pasi m’u propozua çmimi, unë e pranova ofertën e jurisë,  edhe pse më e ulët sesa ajo që kisha propozuar fillimisht, duke e parë si shumë të rëndësishme që puna ime të bëhet pjesë e koleksionit në kontekstin lokal”, ka sqaruar ai. Ka treguar se pas këtij hapi, s’ka marrë më asnjë informatë për ecurinë e procesit, pavarësisht se ka dërguar vazhdimisht emaile te kontakti zyrtar, Hana Halilaj dhe Galeria Kombëtare. Ka sqaruar se ka dërguar disa porosi nëpërmjet postës elektronike.

“Më 4 prill 2025, mora një email edhe nga Këshilli Drejtues i Galerisë, ku thuhej vetëm se procesi është ende i hapur dhe se po përpiqen të gjejnë një zgjidhje pa asnjë afat të qartë ose përgjigje konkrete për hapat e ardhshëm. Për mua, nuk është fjala vetëm për blerjen e punimit, por për mënyrën se si menaxhohet dhe komunikohet ky proces. Kur mungon transparenca dhe kur artistët mbahen pa informacione, krijohet pasiguri dhe humbet serioziteti që një procedurë e tillë duhet të ketë”, ka thënë ai.

Artisti Dren Maliqi ishte kontaktuar në tetor e nëntor të vitit 2024 dhe ishin përzgjedhur dy vepra të tij. Më pas heshtje, deri në prill kur kishte marrë një email nga GKK-ja me arsyetimin që u është dërguar të gjithëve se janë duke u ballafaquar me një proces të ri dhe se janë duke e zhvilluar planin e punës se si do të vazhdohet më tutje.

“Me sa e di unë, vonesa është për shkak të mosdakordimit të Këshillit të GKK-së për propozimet e komisionit seleksionues. Kjo situatë tregon qartë në mosdefinimin e përgjegjësive nga ana e GKK-së, e që vjen si rrjedhojë e mungesës së autoritetit në këtë institucion”, ka thënë ai. Ka thënë se bëhet fjalë për një epitomë të mungesës së drejtimit të institucionit si dhe për ikje nga përgjegjësitë.

“Kjo mendësi vërehet edhe në programin artistik, edukativ dhe së fundi në renovimin e objektit. Qasja ndaj GKK-së në vitet e fundit, ka bërë që plot projekte edhe pse janë me mendim dhe qëllim të mirë të përfundojnë si dështime ose me rezultate qesharake. Mungesa e vizionit të qartë e afatgjatë si dhe implementimi sipërfaqësor i programeve, të bën të mendosh që je duke u ballafaquar me një organizatë rinore eksperimentale e jo institucionin më të lartë të artit pamor, me traditë 45-vjeçare dhe me koleksionin e vetëm historik e institucional të artit në Kosovë”, ka thënë ai.

“Presioni nga qarqet mediokre”

Artisti e profesori universitar, Mehmet Behluli e ka konsideruar shumë të rëndësishme iniciativën për blerje të veprave të artit. Ka rrëfyer se me të janë  negociuar gati të gjitha detajet, përfshirë edhe çmimi.

“Mirëpo, për dallim prej disa nga artistët e respektuar, të cilët negociatat me Komisionin i kanë marrë si punë të kryer, unë megjithatë kam qenë më i matur duke e ditur që involvimi i shumë palëve, pa nënshkrim të kontratës, puna nuk mund të quhet e përfunduar”, ka thënë ai. Sipas tij, siç ngjan jo rrallë në iniciativa të tilla, nisi presioni.

“Prapë për të satën herë ramë pre e presioneve të qarqeve të caktuara brenda shoqërisë sonë, pra qarqeve komplet mediokre, të cilat sikurse edhe në vende tjera, për nga numri janë shumicë, e për nga destrukcioni brenda këtij mediokriteti, një pakicë e vogël  janë  shumë agresivë në përpjekjet për të ndalur gjithçka që atyre nuk u konvenon”, ka thënë ai. Sipas Behlulit, atyre nuk u konvenon niveli i lartë artistik i gjithkaje që ndodh në Kosovë, sepse, thjesht nuk e kanë kapacitetin për të qenë pjesë e këtyre ngjarjeve me interes për vendin, si dhe në dobi të gjeneratave e njerëzve të mirë të këtij vendi.

“Ata e kanë kapacitetin për të rrënuar gjithçka që nuk u konvenon”, ka thënë ai. Por ka treguar se mbetet optimist që ky projekt i jashtëzakonshëm do të finalizohet.

Maksut Vezgishi ishte kontaktuar nga mesi i muajit gusht 2024. Ka rrëfyer se në hapësirat e GKK-së, më 27 gusht 2024 është takuar me kryesuesen e Komisionit dhe dy anëtarë.

“Jemi përcaktuar për periudhën time krijuese – vitet ‘90. Komunikimi në lidhje me gjithë këtë siç më ishte rekomanduar është dashur të përmbyllej në muajin tetor 2024. Komunikimi në përgjithësi është zhvilluar me një dakordim të ndërmjetëm përbrenda muajit tetor, për çka më datën 6 nëntor, në emër të Komisionit jam kontaktuar nga kryesuesja H. Halilaj dhe falënderuar për procesin dhe mbarëvajtjen”, ka treguar ai. Ka sqaruar se më pas është dashur të pasojnë detajet rreth procedurave dhe kontratës, gjë që nuk ka ndodhur.

“Komisionit të GKK-së, përmes emailit i jam drejtuar në dhjetor 2024, shkurt dhe prill 2025... Nuk kam marrë përgjigje. Përfundimisht më 6 prill 2025 nga Komisioni i GKK-së ndër tjerash më është komunikuar njoftimi se – Komisioni i GKK-së nga – Këshilli Drejtues i Galerisë më datë – 3 prill 2025 njoftohet në lidhje me kompetencat se ‘Procedurat kontraktuale për përvetësimin e veprave nuk është kompetencë e Komisionit por e Këshillit Drejtues të Galerisë’. Sot jemi më 25 gusht 2025, nuk kam asnjë njohuri se çka përvetësuam, duket asgjë”, ka thënë Vezgishi.

KOHA nëpërmjet postës elektronike i ka pyetur për procesin edhe Alketa Xhafa-Mripën, Barbara Prenkën, Sokol Beqirin dhe Anita Muçollin. Kjo katërshe nuk është përgjigjur. Mediumi ka qenë në dijeni se këta artistë kanë negociuar me GKK-në para se institucioni nëpërmjet qasjes në dokumente publike ta përcjellë raportin e Komisionit. GKK-ja disa herë i ka kërkuar KOHËS që të mos nxirren në publik emra nga raporti meqenëse procesi nuk ka përfunduar. Për këtë arsye dhe meqenëse 24 artistëve të tjerë – apo familjeve të tyre –  nuk u është dhënë mundësia që të tregojnë përvojën e tyre, nuk janë përmendur me emra.

Arsyetimi për protokolle dhe “pezmi” i Komisionit

KOHA ka pasur qasje në disa prej komunikimeve të Komisionit dhe Galerisë me artistët e përfshirë në proces. Prej nëntorit të vitit të kaluar, megjithëse artistëve u ishte thënë se në atë periudhë do të lidheshin kontratat, s’kishte pasur më kurrfarë komunikimi. Galeria, Këshilli Drejtues e Komisioni kishin marrë emaile të panumërt nga artistët. Këshilli Drejtues u është drejtuar artistëve me një email në prill të këtij viti. U ka treguar se janë të vetëdijshëm se që nga nëntori ka pasur mungesë komunikimi dhe kanë kërkuar “ndjesë të sinqertë për paqartësinë që kjo mund të ketë shkaktuar”.

“Ky është një proces i ri për institucionin dhe, ndonëse ka filluar me qëllime të mira dhe përkushtim, ka pasur vështirësi në përpilimin e protokolleve dhe procedurave për realizimin e hapave në kohë, për të cilat marrim përgjegjësi të plotë. Për shkak të natyrës së këtij procesi dhe nevojës për më shumë kohë për të shqyrtuar çdo aspekt të propozimeve, aktualisht jemi në proces të përgatitjes së një plani për mënyrën dhe se si do të vazhdohet më tej”, shkruhet në këtë porosi nëpërmjet postës elektronike. U është bërë me dije se s’ka dakordim për procesin.

“Me qëllim që të kemi dakordim institucional për mënyrën dhe si do të vazhdohet do të njoftojmë menjëherë pas miratimit të një mënyre transparente për hapat e ardhshëm dhe mënyrën e realizimit”, shkruhet në këtë porosi. Brenda tri ditësh artistët kanë marrë këtë porosi dhe një tjetër nga katërshja e Komisionit, Vesa Sahatçiu, Edi Muka, Arta Agani dhe Shkëlzen Maliqi. Porosia është dërguar nga adresa elektronike e Vesa Sahatçiut në emër edhe të kolegëve të saj. Këta anëtarë të Komisionit në njëfarë forme janë solidarizuar me artistët duke thënë se ndajnë pezmin bashkë me ta. Kanë treguar se mandati i tyre ka përfunduar me dorëzimin e raportit dhe se mungesa e përgjigjes për artistë nga GKK-ja “është sjellje joprofesionale”.

(Nesër do të lexoni: Çfarë thotë Këshilli Drejtues i GKK-së për këtë proces. Cili është arsyetimi i tyre? Çfarë thotë kryesuesja e Komisionit? Përse çmimet e veprave janë arsye për zvarritje?)