Tentimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës që vjet me 400 mijë euro të negociojë dhe të blejë vepra të artit nga artistët vendorë, nuk është finalizuar. Procesi përbëhet nga vendime kontroverse, raporte të vonuara e të pafinalizuara dhe plane të bëra në fund të procedurave. Nëpërmjet dokumenteve vërehet se qëllimi është që procesi të vazhdojë sivjet dhe vitin e ardhshëm. Por, 400 mijë eurot e parapara për vjet, janë ridestinuar. Ministria e Kulturës për vitin 2025 nuk ka paraparë buxhet për këtë projekt. Në këtë pjesë të tekstit trajtohet ana e raporteve, e në dy pjesë të tjera do të trajtohen përgjigjet e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Këshillit Drejtues, Komisionit për blerjen e veprave të artit, përderisa Ministria e Kulturës ende nuk është përgjigjur
Galeria Kombëtare e Kosovës ka dështuar që vitin e kaluar të blejë apo përvetësojë vepra të artit nga artistët vendës. Zvarritja e procesit, mosmarrja e vendimeve, mospërfillja e afateve, planifikimet “post-festum” për çështje që proceduralisht ishin në finalizim e sipër, kanë bërë që 400 mijë eurot e ndara për blerje të veprave të artit të mos shfrytëzohen dhe të ridestinohen te federatat e sportit.
Krejt kjo ka bërë që vjet të mbetet pezull puna e një komisioni 5-anëtarësh, negociatat me të paktën 34 artistë për 76 vepra dhe mbi të gjitha, pasurimi i atij që sipas Ministrisë së Kulturës, është fondi publik i veprave të artit. Galeria sivjet përpëlitet që të sigurojë buxhet të ri për ta vazhduar procesin. Por ky institucion ka telashe me krejt këtë temë qysh prej ditës kur nxori vendimin e parë: atë për themelimin e Komisionit për blerjen e veprave të artit.
Historia që nis më 2021
Procesi i pasurimit të fondit publik me vepra të artit ishte tentuar të niset në vitin 2021. Asokohe Ministria e Kulturës dështoi që ta çojë deri në fund nismën për blerje të veprave të artit me 247 mijë euro. Në marsin e vitit 2022 Qeveria e Kosovës ndau një milion e 50 mijë euro për këtë synim. Sipas vendimit, 300 mijë euro qenë ndarë për vitin 2022, 350 mijë për vitin 2023 dhe 400 mijë për vitin 2024. Më 2022 dhe 2023 Ministria e Kulturës nëpërmjet thirrjeve publike ka blerë vepra të artit. Njëherë 80 vepra me 300 mijë euro, kurse në të dytën mbi 60 vepra me 190 mijë euro. Në vitin 2023 nëpërmjet blerjeve direkte Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasuruar koleksionin me veprat e shtatë artisteve si Alije Vokshi, Violeta Xhaferi, Valbona Zherka, Lala Meredith-Vula, Feriha Rada, Hyrije Krypa dhe Zake Prelvukaj.
Sipas politikave të Ministrisë së Kulturës për vitin 2024 qe paraparë që GKK-ja si institucioni më i lartë i artit pamor në vend të shfrytëzojë 400 mijë euro për blerje direkte të veprave të artit. Kjo u mundësia nga vendimi i marrë në nëntor të vitit 2023 nga asokohe ministri i Kulturës, tash ministër në detyrë, Hajrulla Çeku. Por GKK-ja nuk shfrytëzoi asnjë cent.
Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, KOHA nga Galeria Kombëtare e Kosovës ka marrë vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit për blerjen e veprave, Raportin e Komisionit si dhe atë që titullohet “Raport dhe planprogram për përvetësimin e veprave për Koleksionin e GKK-së” i përpiluar nga anëtarët e Këshillit Drejtues të institucionit. Ka marrë përgjigje prej Komisionit, Këshillit Drejtues të GKK-së e prej disa artistëve dhe ato çështje do të trajtohen në dy tekste që do të botohen në vazhdim. Deri në përpilimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje vetëm nga Ministria.
Dokumentet nxjerrin në pah përpilime kaotike, shkarje jo të vogla sa u përket vendimeve të marra e po ashtu edhe planifikime të bëra në fund të një procesi nëpërmjet të cilave synohet njëfarë kthimi prapa për të njëjtën punë.
Pas vendimit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili mandaton GKK-në të bëjë blerje të veprave e deri tek emërimi i Komisionit për blerje të veprave, GKK-ja është vonuar gjashtë muaj e gjysmë. Vendimi i ministrit Çeku është marrë me 14 nëntor 2023 kurse ai i GKK-së për emërimin e anëtarëve të Komisionit më 31 maj 2024.
Vendimi kontrovers
Vendimi nëpërmjet të cilit është themeluar komisioni është kontrovers.
“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Hajrulla Çeku bazuar në.......nxjerr këtë vendim”, shkruhet në preambulë. Në pikën e pestë bëhet me dije se Komisioni përbëhet nga Hana Halilaj, kryesuese njëherësh kuratore në GKK dhe anëtarët, Arta Agani, kuratore e artiste, Edi Muka kurator, Shkëlzen Maliqi, kritik i artit dhe Vesa Sahatçiu, historiane e artit.
“Komisioni ka për detyrë të dorëzojë raportin përfundimtar me listën e veprave të artit të përzgjedhura nga shuma e ndarë në vlerë prej 400 mijë euro deri në shtator të vitit 2024”, shkruhet në pikën e 6-të. Sipas këtij vendimi, lista përfundimtare miratohet nga Këshilli Drejtues i GKK-së.
Por megjithëse në preambulë shkruhet së është ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ai që merr vendim, ky dokument nënshkruhet nga zëvendësuesja e drejtorit të GKK-së, Alisa Gojani-Berisha. Vuloset me vulën e GKK-së dhe protokollohet nga po ky institucion.
E Komisioni nuk e ka dorëzuar raportin brenda afatit. Raporti është protokolluar më 6 dhjetor 2024. Por sipas Raportit për Përvetësimin e Veprave për Koleksionin e GKK-së, siç titullohet ky dokument i Komisionit, vendimin për emërimin e tyre nuk e ka marrë ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, e as zëvendësuesja e drejtorit të GKK-së, Alisa Gojani-Berisha. Krejt në fillim shkruhet se udhëzues për përvetësimin e veprave është vendimi i ministrit Çeku që mandaton GKK-në për pasurim të koleksionit. “Këshilli i Galerisë Kombëtare të Kosovës sipas këtij vendimi ka formuar komisionin për propozimin e veprave për këtë fazë të përvetësimit”, shkruhet në raport. Por kjo nuk ka ndodhur. Vendimi ka tjetër përmbajtje.

Raporti i vonuar dhe i pafinalizuar
Sipas raportit, qëllimi i punës së këtij Komisioni ishte studimi dhe hulumtimi i koleksionit të GKK-së, me synim evidentimin e mungesës së veprave gjurmëlënëse e historishkruese të artit të periudhës së pasluftës, dhe përvetësimi i këtyre veprave për plotësimin dhe pasurimin e fondit. “Komisioni po ashtu e ka zgjeruar hulumtimin edhe në periudhën e viteve të 1970 dhe 1980, dhe ka propozuar një numër të vogël të artistëve të rinj”, shkruhet në raport. Jepet një perspektivë historike ku tregohet se GKK-ja prej themelimit deri në vitin 1989 ishte pasuruar me vepra arti, kurse prej 1989 e deri më tash jo. Tregohet për blerjet e vitit 2023 dhe hulumtimet e vazhdueshme.
“Komisioni e filloi punën me një kërkim të zgjeruar në arkivat e GKK-së, për të parë se ku çalon koleksioni i GKK-së në pasqyrimin e zhvillimit të artit në periudha të ndryshme kohore dhe ku ka përfaqësim të bollshëm. Komisioni hulumtoi posedimin, ose jo, të veprave të skenës së artit pamor të viteve të 90-ta si dhe ato të pasluftës përmes analizës së historisë të ekspozitave në atë periudhë, që janë organizuar në GKK si dhe në vende dhe hapësira të tjera”, shkruhet në Raport. Bëhet me dije se është vlerësuar rëndësia e kësaj periudhe për artin kosovar, sepse është periudhë e filleve të para të artit bashkëkohor kosovar.
“Për më shumë, Komisioni vendosi që kërkimin ta shtrijë edhe më tej mbrapa në kohë, duke përfshirë vitet 70-të e 80-të duke inkuadruar edhe veprat e artistëve të spikatur të së kaluarës, vepra që do të ishin vlerë e shtuar për koleksionin e GKK-së. Mungesat e artistëve dhe të veprave kyçe të opuseve të tyre të kësaj periudhe janë të shumta”, shkruhet në raport. Arsyetohen periudhat e zgjedhura dhe përmenden artistët që sipas vlerësimit të Komisionit, përfaqësojnë ato periudha.
Në këtë raport renditen 34 artistë me 76 vepra. Shumat e paraqitura shkojnë pak mbi 300 mijë euro. Për katër artistë s’kishte marrëveshje deri në atë kohë dhe është shënuar se “duhet konfirmuar”. Po ashtu për dy të tjerë është rekomanduar që të dërgohet procesi në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për verifikim të konfliktit të interesit pasi njëri ka familjar në Komision e tjetri në Këshill Drejtues. Ky raport i protokolluar s’mban nënshkrimin e asnjërit prej anëtarëve të Komisionit. Për dallim prej këtij, Raporti i vitit 2023 kur një komision tjetër kishte negociuar blerjet direkte në vlerë prej 62 mijë eurove, mban nënshkrimet e krejt anëtarëve.
Planprogrami “post-festum”
Sa i përket anës së dokumenteve për procesin e blerjes apo përvetësimit të veprave të artit, Galeria ia ka përcjellë KOHË-s edhe atë që titullohet “Raport dhe planprogram për përvetësimin e veprave për Koleksionin e GKK-së”. Nuk është i protokolluar, s’mban datë të hartimit, asnjë nënshkrim, veç bëhet me dije se është hartuar nga Këshilli Drejtues. Sa i përket anës legale, duket si “non paper”. Por vërehet se është hartuar pas raportit të Komisionit të 2024-s. Shihet se krejt në fund të procesit, Këshilli Drejtues nuk e ka miratuar Raportin e Komisionit por ka bërë planprogram që riorienton krejt procesin. Aty jepet një histori rreth pasurimit të fondit kombëtar të artit, përmenden sfidat dhe themelimi i Komisionit të vitit 2024.
“Pas pranimit të listës së propozuar dhe raportit përmbledhës të datës 4 dhjetor 2024, ky proces është trajtuar me kujdesin dhe seriozitetin që i takon. Për të shmangur perceptimin e një faze të katërt të nxituar apo arbitrare, dhe duke konsideruar presionin e kohës pranë përmbylljes së vitit fiskal, Këshilli Drejtues i GKK-së ka kërkuar nga MKRS-ja kohë shtesë për shqyrtim të thelluar të propozimeve në këtë cikël”, shkruhet në atë që është raport e planprogram i Këshillit Drejtues me kryetare Renea Behlulin dhe anëtarë Guri Çavdërbashën, Somer Şpat, Linda Gusinë, Artrit Bytyçin, Agron Blakçorin, dhe Arlinda Hajrullahun. Aty jepet edhe një detaj.
“Pas dakordimit për zgjatjen e afatit të procesit të përvetësimit të veprave në koordinimin me ministrin z. Hajrulla Çeku, gjatë muajve janar–mars 2025, janë bërë përpjekje për të shqyrtuar mënyrat më të mirëstrukturuara për të vazhduar me përvetësimet. Analizat janë bazuar në raportin e Komisionit Profesional të pavarur, i cili ka identifikuar boshllëqet dhe mungesat kryesore në koleksion”, shkruhet në këtë raport. Tregohet se Komisioni i 2024-s ka propozuar 19 piktura, 8 skulptura, 16 video, 8 fotografi. 2 instalacione, 2 vepra tekstili dhe 29 të tjera.
“Duke ndjekur këtë renditje dhe për të reflektuar logjikën metodologjike të raportit të komisionit, KD-ja propozon që procesi i përvetësimeve të realizohet në katër faza, të shpërndara gjatë periudhës maj 2025 - shkurt 2026”, shkruhet në këtë dokument të përpiluar nga Këshilli Drejtues. Faza e parë sipas këtij dokumenti, përqendrohet në përvetësimin e veprave të munguara nga periudha e viteve 1970–1980, si dhe një vepre publike të rëndësishme – instalacion hapësinor – duke reflektuar një periudhë më të konsoliduar historikisht dhe teknikisht.
“Kjo fazë është më e përgatitur për zbatim të menjëhershëm pas rialokimit të buxhetit”, shkruhet në dokument. Për fazën e dytë tregohet se fokusi do të jetë te përvetësimi i veprave të krijuara gjatë viteve 1990 dhe fillimit të 2000-tave. Për këtë fazë nuk përmendet koha potenciale e përvetësimit. Faza e tretë ka të bëjë me përvetësimin e veprave nga artistë të rinj aktivë në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, “që ngërthen në vete detyrimisht edhe kufizime kohore dhe dominimin e shijeve të caktuara estetike”.
“Kjo pjesë e listës është më së paku e arsyetuar në raportin (e Komisionit v.j.) dhe gjithashtu pas shqyrtimit janë vënë re mungesat e artistëve të shquar të kësaj periudhe (pas pavarësisë) në këtë listë. Në bazë të kësaj, konsiderojmë që duhet të krijohet një sistem dhe metodologji më e qartë dhe specifike se ajo e propozuar nga Komisioni Profesional”, shkruhet në këtë dokument. Propozohet që GKK-ja të zhvillojë një draft-plan të veçantë për këtë fazë, duke angazhuar komisionin e njëjtë apo një komision të ri të brendshëm, nëse e konsideron të nevojshme.
“Gjithashtu, lëmë hapësirë që nga janari 2026 e tutje, GKK-ja ta vendosë mënyrën dhe qasjen që e sheh më të përshtatshme për këtë periudhë. Si institucion me përvojën dhe njohurinë më të thelluar mbi skenën vendore, GKK-ja është në pozitën më të mirë për ta udhëhequr këtë faze”, shkruhet në dokument.
E faza e katërt del të ketë karakter reflektues dhe planifikues.
“Ajo do t’i dedikohet GKK-së për hartimin e një plani dhe protokolleve të qarta institucionale mbi procesin e përvetësimeve, bazuar në mësimet e nxjerra gjatë fazave të mëparshme. GKK-ja do të zhvillojë një kuadër të përhershëm metodologjik dhe operativ për përvetësimet vjetore në të ardhmen”, shkruhet në planprogram. Nëpërmjet këtij dokumenti janë bërë 6 rekomandime për Ministrinë e Kulturës. Miratimi i ndarjes së blerjeve në katër faza, sigurimi i rialokimit të buxhetit dhe koha e nevojshme për procedurat, mbështetja në krijimin e kontratave dhe standardeve për blerjet dhe garantimi që GKK të ketë pavarësi institucionale për të përcaktuar mënyrën e zhvillimit të përvetësimeve të ardhshme, në përputhje me prioritetet profesionale dhe kapacitetet e saj kuratoriale, janë katër prej propozimeve.
“Të institucionalizohet një praktikë vjetore e përvetësimit të veprave të artit, me një buxhet të dedikuar prej së paku 70,000 eurosh çdo vit, për të siguruar vazhdimësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të koleksionit kombëtar; Të përfshihet si hap planifikues që në muajin shkurt 2026, GKK-ja të hartojë një plan të ri blerjesh për vitin në vijim, bazuar në përvojat e fituara gjatë ciklit të fazave 1–4 dhe të dhënat e mbledhura gjatë këtij procesi”, janë dy të tjerat. KOHA ka marrë vesh se Këshilli Drejtues i GKK-së është duke ushtruar “presion” në Ministrinë e Kulturës për rindarje të buxhetit për blerje të veprave të artit dhe MKRS-ja është përgjigjur se varësisht nga shpenzimet e sivjetshme, do të shihet mundësia potenciale për rindarje pas shtatorit.
(Nesër do të lexoni: Cila është përvoja e disa artistëve të përfshirë në proces? Cili ka qenë komunikimi me ta? Si u bë që pas negociatave t’u thuhet se veprat e tyre janë përzgjedhur dhe në nëntor 2024-s, GKK-ja do t’i kontaktojë për kontrata? Çfarë thonë disa nga artistët për këtë proces?)
Plotësim: Pas publikimit të tekstit – megjithëse në uebfaqen e GKK-së si anëtare e Këshillit Drejtues dhe përfaqësuese e MKRS-së në këtë organ figuron Arlinda Hajrullahu – ajo ka njoftuar KOHËN se prej janarit të vitit 2024 ka ofruar dorëheqje. Në vend të saj është emëruar zyrtari ministror, Bariu Zenelaj.