Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Çmimet për teatër, kinematografi e arte pamore në pritje të jurive

Ministria e Kulturës është duke e vazhduar traditën e shkeljes së rregulloreve të cilat i ka hartuar vetë. Sivjet ende nuk i ka ndarë çmimet në fushën e teatrit, kinematografisë e të artit pamor. Për të gjitha këto, konkurset ka muaj që janë mbyllur. Por ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, nuk i ka emëruar juritë që vlerësojnë kandidaturat e këtyre çmimeve. Konkursi për çmimet në fushën e teatrit është mbyllur në fillim të marsit të këtij viti. Rregullorja që përcakton ndarjen e këtyre çmimeve përcakton se ato duhet të ndahen më 27 mars, në Ditën Botërore të Teatrit. Konkursi për çmimet në fushën e kinematografisë është mbyllur në maj. Sipas Rregullores, çmimet ndahen më 1 qershor, në ditën e lindjes së aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu. Sivjet pos që nuk janë ndarë çmimet në këtë ditë, institucionet shtetërore, siç ndodh vazhdimisht, nuk e kanë kujtuar aktorin as në 10-vjetorin e vdekjes, më 10 qershor. Madje çmimi për vepër jetësore në kinematografi mban emrin “Bekim Fehmiu”. Fehmiu është kujtuar nga “DokuFest” përmes hedhjes së luleve në Lumbardh dhe shfaqjes së filmit “Mbledhësi i puplave”. Atë natë në Prizren ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, por ajo nuk kishte marrë pjesë në këtë ceremoni. Kishte hedhur lule në lumë nga një tjetër hapësirë. Mosorganizimin e asnjë aktiviteti, MKRS-ja e kishte arsyetuar me rrethanat e krijuara nga pandemia.

Çmimet për arte pamore më herët janë ndarë në qershor. Por edhe ato kanë ngelur peng i emërimit të jurisë. Për të gjitha çmimet ka kandidatura të mjaftueshme për ta finalizuar procesin.