Kulturë

Charette: Gara për “Rrëqebullin e Argjendtë”, mundësi e jashtëzakonshme për kompozitorët

Gregory Charette

Dirigjenti e kompozitori i njohur, Gregory Charette, ka bërë thirrje që kompozitorët ta shfrytëzojnë mundësinë e sivjetshme të edicionit të dytë të Garës Ballkanike të Kompozitorëve. Si mundësi të jashtëzakonshme e ka përshkruar ai garën për “Rrëqebullin e Argjendtë” ku kanë mundësi aplikimi krijues nga 12 vende.

Nëpërmjet një videomesazhi, Charette ka treguar se BCCP është bashkëpunim midis “Oerknal”, ansambël muzikor në Holandë, dhe DAM-it, festival i muzikës në Prishtinë.

“Qëllimi i BCCP-së është t’u japë kompozitorëve të cilët jetojnë ose kanë origjinë nga 12 vende të Ballkanit, një mundësi që të shtrijnë rrjetin dhe lidhjet e tyre në muzikë, duke punuar me ‘Oerknal’ dhe anëtarët e tij në prova, punëtori dhe koncerte”, ka thënë ai. Ka treguar se janë shumë të lumtur që lajmërojnë se aplikimet për edicionin e dytë të garës tashmë janë të hapura.

“Kështu që, nëse jeni kompozitor që jetoni në një nga 12 vendet e Ballkanit, shpresoj ta keni në konsideratë aplikimin. Këtë vit konkursi është fokusuar në pjesët e shkruara për solo-flaut, që do të interpretohen nga flautistja jonë Susanne Peters”, ka thënë ai. Ka përmendur se Susanne Peters është muzikante jashtëzakonisht e talentuar dhe avokuese e përkushtuar e muzikës së re. Ka thënë se krahas punës me “Oerknal”, ajo performon edhe me “Collegium Novum” nga Cyrihu, me ansamblin “Contrechamps” në Gjenevë dhe me atë “Le NEC” në Zvicër. “Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për çdo kompozitor për të punuar me të. Kështu që, aplikoni!”, ka bërë thirrje ai.

“BCCP 2021” është vënë në kërkim të kompozitorëve nga 12 vende – Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqi – të cilët mund të aplikojnë me vepra muzikore mes 3 dhe 5 minuta për flaut solo, pikolo, flaut alto ose flaut bas, pa elektronikë. Në edicionin e kaluar, janë pranuar aplikacione nga kompozitorë të gjashtë vendeve.

Sipas thirrjes, gjashtë kompozitorë do të përzgjidhen si finalistë, veprat e të cilëve do të interpretohen nga Susanne Peters, muzikante e përkushtuar e skenës së muzikës bashkëkohore

Pos kësaj, sipas thirrjes, gjashtë finalistë do të kenë mundësinë të punojnë me Susannen në sesione online në javën e parë të gushtit. E pas performancave, juria ndërkombëtare do të përzgjedhë fituesin. Ai do të shpërblehet me Çmimin kryesor të garës “Rrëqebulli i Argjendtë” dhe vepra fituese do të interpretohet në koncertin, i cili do të organizohet në Prizren më 10 shtator 2021.

“Fituesi po ashtu do të shpërblehet me shumën prej 500 eurosh dhe një vepër të komisionuar, e cila do të interpretohet si premierë në ‘DAM Festival 2023’”, shkruhet në thirrje.

Gara e Kompozitorëve të Ballkanit është themeluar në vitin 2019 nga Dardan Selimaj, themelues dhe drejtor i festivalit DAM dhe Rreze Kryeziu-Breznica, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit DAM, me qëllim që t’u japë mundësi kompozitorëve nga Ballkani që të punojnë me interpretues dhe ansamble muzikore evropiane e të nivelit botëror. Mundësia e aplikimit është e hapur prej ditës së 26-të të majit deri më 25 korrik. E juria do të jetë në përbërje të Klaas de Vries, kompozitor nga Holanda, Helen Bledsoe, flautiste që jeton midis SHBA-së dhe Gjermanisë dhe Ashkan Behzadi, kompozitor që jeton midis Iranit dhe Kanadasë.