Kompozitorë nga vendi e Shqipëria dhe ata nga Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia e Turqia inkurajohen të marrin pjesë me veprat e tyre të papublikuara më parë. Gara e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë organizohet “me synimin për t’u dhënë kompozitorëve të rinj nga vendet e Ballkanit mundësinë për të punuar me një ansambël të muzikës së re evropiane të klasit botëror”
Gara e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë tashmë ka hapur thirrjen dhe “Rrëqebulli i Argjendtë”, pret fituesin. Vepra që përfshijnë ansamble harqesh, të frymorëve, instrumentet me goditje e këngëtarë do të shpalosen për publikun në kuadër të festivalit “DAM” në natën përmbyllëse. Pos kësaj, programi i garës kulmon edhe me interpretimin e pjesës fituese nga anëtarët e “Nouvel Ensemble Contemporain – Le NEC” nga Zvicra të udhëhequr nga muzikanti Antoine Françoise.
“BCCP 2023” që mbahet prej 2 deri më 7 prill ka hapur dyert për garues nga gjithsej 12 shtete. Kompozitorë nga vendi e Shqipëria dhe ata nga Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia e Turqia inkurajohen të marrin pjesë me veprat e tyre të papublikuara më parë. Sipas thirrjes, pjesët duhet të jenë mes gjashtë deri në dhjetë minuta, për dallim nga edicioni i kaluar i mbajtur në vitin 2021 ku kriter ishte që vepra të zgjaste mes tri deri pesë minuta.
“Kompozitorët janë të lirë të shkruajnë edhe për nëngrup më të vogël të ansamblit për aq kohë sa pjesa përfshin të paktën pesë instrumente’, thuhet në thirrjen e Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë.
Themeluar prej Dardan Selimajt, drejtor artistik i festivalit “DAM”, drejtoresha e përgjithshme e këtij festivali, Rreze Kryeziu-Breznica dhe nga kompozitori e dirigjenti amerikan, Gregory Charette nga ansambli holandez “Oerknal”, Gara organizohet “me synimin për t’u dhënë kompozitorëve të rinj nga vendet e Ballkanit mundësinë për të punuar me një ansambël të muzikës së re evropiane të klasit botëror”.
Pos garës për çmimin e madh “Rrëqebullin e Argjendtë”, programi u mundëson kompozitorëve të përzgjedhur bashkëpunim me anëtarët e ansamblit bashkëkohor zviceran “Le NEC”. Bashkorganizatori i Garës, Dardan Selimaj, ka thënë se ajo ka për qëllim komunikimin midis kompozitorëve të rajonit me instrumentistë që veprojnë në skena ndërkombëtare me nam.

“Gara si format është e veçantë, sepse i jep mundësi komunikimit të drejtpërdrejt të kompozitorëve me ansamblin përkatës rezident e që këtë edicion është ‘NEC’ nga Zvicra”, ka thënë ai derisa ka njoftuar se finalja e Garës e përmbyll edicionin e 18-të të festivalit “DAM”, i cili këtë vit mbahet prej 17 marsit deri më 7 prill.
Ajo që në shqip do të thotë Ansambël i Ri Bashkëkohor (NEC) porosit dhe realizon vepra të reja të cilat pasurojnë repertorin e tyre dhe shtojnë kryevepra në repertorin modern e bashkëkohor. “NEC” bashkëpunon në projekte që ndërthurin muzikën, vallëzimin, teatrin, letërsinë, fotografinë, kinemanë, videon e artë të tjera.
“Nuk heziton të thyejë kufijtë e zhanreve muzikore duke bashkëpunuar me muzikantë të të gjitha horizonteve, nga baroku në elektronikën moderne, nëpërmjet muzikës folklorike”, shkruhet në prezantimin e grupit zviceran “Nouvel Ensamble Contemporain”.
“BCCP” inkurajon fuqimisht kompozimet e reja, por edhe ato të cilat nuk janë publikuar a regjistruar. Finalistët e Garës do të shpallen më 31 mars. Pos çmimit “Rrëqebulli i Argjendtë” për vendin e parë që është edhe simbol i Garës, çmime të tjera përfshijnë edhe performancën nga grupi “NEC” që regjistrohet dhe transmetohet në programin “Espace 2” të radios zvicerane “RTS”.
Fituesit e vendit të parë gjithashtu i jepet një shumë monetare në vlerë prej 500 eurosh dhe një komision për vepër të re që do të shfaqet premierë në edicionin e festivalit “DAM” në vitin 2025. Gjithashtu do të ndahet edhe Çmimi i Audiencës që përfshin komisionimin e një vepre të re që do të jepet premierë në kuadër të edicionit të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në edicionin e ardhshëm që mbahet në vitin 2025. Gara organizohet çdo dy vjet.
“BCCP” e mbajti edicionin e parë në vitin 2019, fitues të të cilit ishin kompozitorja e pianistja Anda Kryeziu dhe kompozitori serb Nemanja Radivojeviq me veprën “Tie – Change – Rate”. Angel Spirovski nga Maqedonia e Veriut kishte fituar Çmimin e Filarmonisë së Kosovës e Damjan Joviqi nga Serbia atë të festivalit “DAM”. I riu kosovar, Ylli Daklani, kishte fituar Çmimin e publikut. Fitues i edicionit të dytë ishte zgjedhur kroati Tomislav Oliver nga Kroacia me veprën e tij “Mixordia IV”. Pos që ishte shpërblyer me “Rrëqebullin...”, gjithashtu një vepër e re ishte porositur për edicionin e sivjetmë të festivalit “DAM”. Kompozitori Bardh Dubovci me veprën e tij “TAH – They are here”, kishte marrë Çmimin e Publikut i cili ishte përcaktuar nga votat elektronike dhe përfshinte një vepër të komisionuar për programin e sivjetmë të “BCCP”. Vepra ishte prezantuar në Prizren në koncertin e mbajtur në shtator të 2021-s. Gara vjen e njëjta në thelb edhe në edicionin e tretë.
“Është rikthyer pak a shumë mbi bazat në të cilat është themeluar. Pra tash kompozitorët kanë mundësi të shkruajnë për 5 deri në 11 interpretues derisa në edicionin e dytë e kemi kufizuar në vetëm një instrumentist për shkak të pandemisë”, ka thënë Selimaj në një përgjigje për KOHË-n.
Sipas Selimajt, qëllimi i Garës ka qenë që në fillim komunikimi i kompozitorëve ballanikë mes instrumentistëve përtej rajonit dhe stimulimi i tyre për të krijuar.
“Sot është e vështirë për të depërtuar në skenën evropiane dhe për t’u interpretuar veprat e kompozitorëve të rinj e gara e ka këtë qëllim”, ka thënë ai.
Kompozitorët do të kenë kohë për të paraqitur veprat e tyre deri më 27 mars në adresë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë.