Kulturë

“Rrëqebulli i Argjendtë” mbetet në Kosovë me veprën për ëndrrat

Kompozitori Ylli Daklani është shpallur fitues i dyfishtë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit, e cila të premten mbrëma ka mbyllur edicionin e tretë. Pos “Rrëqebullit të Argjendtë”, me “Wet Dreams” ka marrë edhe Çmimin e publikut. Gara e Kompozitorëve të Ballkanit, nuk i janë dashur më shumë se tri edicione që të shquhet si unike. Sivjet në finale kanë qenë veprat e 4 kompozitorëve nga 19 sa kishin garuar

Çmimi “Rrëqebulli i Argjendtë” këtë vit ka mbetur në vendin që e dhuron. Vepra për ansambël e titulluar “Wet Dreams”, kompozuar prej Ylli Daklanit, është fituesja e edicionit të tretë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Për të, nuk mjaftoi vetëm Çmimi i jurisë. Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve në Atelenë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, të premten mbrëma, mori edhe Çmimin e publikut. Është hera e parë që “Rrëqebullin...” e merr një kompozitor nga Kosova por Dakalani e kishte nisur mbarë me Garën, qysh në edicionin e parë më 2019.

Sivjet, për Çmimin kryesor në finale u futën katër vepra të cilat u luajtën në mbrëmjen finale nga “Nouvel Esemble Contemporan”. Antoine Françoise, Susanne Peters e Gregory Charette, ka qenë treshja e Jurisë. Pos tyre, veprat iu nënshtruan edhe vlerësimit të publikut, që në përbërje ka pasur edhe muzikantë me karrierë shumëvjeçare e të tillë që e njohin dhe e duan atë.

“Wet Dreams” u interpretua e fundit prej katërshes finaliste dhe është dalluar me dramaticitet e poetencë tek kulmon në thurje moderne. Koncertin e ka hapur “Thimsis” e Christos Ntovas nga Greqia. Vepra e tij, e interpretuar nga ansambli rezident i Garës për këtë vit, solli në skenë flaut, klarinetë, piano e trio harqesh nën dirigjimin e Antoine Françoise. Ndonëse një formacion i tillë nuk është i rrallë në këtë hapësirë, loja qe krejt ndryshe në stil. Vepra e dytë paraqet në dimensione të paprovuara më parë kompozitorin nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori. Ai njëkohësisht është kompozitori i parë nga Shqipëria që i bashkohet Garës së Kompozitorëve në Kosovë. Nis me tingull goditës, e qetësinë e saj e thyen shpesh me po të njëjtin tingull.

Ntovas nuk qe finalisti i vetëm nga Greqia. Konstatinos Chaliasas me veprën e tij të titulluar “Eros” preku po ashtu finalen. Mbrëmjes i dha ngjyrat ndryshe, kur në paraqitjen e veprës së tij skenë, ansamblit iu bashkua mezosopranoja, Anouk Molendijk. Interpretoi edhe pjesë që ngjasojnë me vargje poetike, për t’iu rikthyer bashkimit me melodinë.

Koncerti kulmoi me veprën e Ylli Daklanit, të cilit nuk iu desh shumë kohë që në skenë të ngjitet edhe për të marrë çmimin. Ndërmjetësimi i vetëm qe interpretimi i veprës “Randolph – Navigation” të John Menoud nga ansambli NEC në bashkëpunim me studentët e “DAMcademy”. Kjo qe edhe paraqitja përmbyllëse e Garës së Kompozitorëve për këtë vit.

“Besoj që po e vini re sa kemi nevojë për të tilla eksperienca. Sonte me të gjitha veprat, jo veç me këtë që fitoi, po besoj që do të dilni nga këtu me një tjetër energji, me një mendje, me një shpirt tjetër. Kjo s’është bërë vetëm nga vepra ime, por është bërë edhe nga veprat e tjera që ishin në kompeticion, e edhe nga vepra e fundit. Kështu që faleminderit shumë organizatorëve, muzikantëve dhe të gjithëve që po na i bëni ëndrrat realitet”, ka thënë Daklani, duke e potencuar rëndësinë e secilës vepër në këtë garë.

Ndonëse Çmimin e jurisë e mori për herë të parë këtë vit, atë të publikut e pati rrëmbyer edhe në edicionin e parë të kësaj gare. Çmimi i publikut përfshin edhe komisionimin e një vepre të re që do të jepet premierë në kuadër të edicionit të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në edicionin e ardhshëm që mbahet në vitin 2025.

Vendimi për fituesin e kësaj gare, juria ka thënë se nuk ka qenë i lehtë. Kishte diçka te vepra e kompozitorit nga Kosova që bëri që çmimi i këtij viti t’i përkiste atij.

“Është gjithmonë e vështirë që të zgjedhësh, sepse muzika nuk është garë sportesh, nuk duam fitues. Kur je duke marrë një vendim që të zgjedhësh më të mirin, shumë fakte të duhen për të zgjedhur. Ai është një kompozitor shumë i ri. Ne, kur kemi mbërritur këtu, disa instrumente në Kosovë nuk kanë ekzistuar. Kur ata i shihnin na lusnin që t’i fusnim në pjesët e tyre dhe pjesa ndryshonte paksa. Dhe kjo është më e mira, kur ne shohim se muzika është jetë për dikë. Këto janë të gjitha arsyet që ne kemi vendosur që t’ia japim atij çmimin”, ka thënë Antoine Françoise, që pos në rolin e jurisë, edhe dirigjoi veprat e secilit nga katër finalistët.

“Sa i përket veprës së Ylli Daklanit, mund të them se ishte e mbushur me fantazi. Secili instrumentist kishte shumë kënaqësi të ishte pjesë e saj. Ishte një kënaqësi individuale e secilit dhe një e tillë e përgjithshme. Është një vepër e cila flet shumë. Menduam se është vepra më e kompletuar e këtij edicioni. Si vepër e një kompozitori të ri, është goxha mirë e punuar dhe do të jetë një vepër e shkëlqyer në karrierën e tij”, ka thënë ai.

Në publik ka qenë Lirije Halili-Koshi, njëherësh edhe profesoreshë e Daklanit.

“Çka të them për festivalin ‘DAM’. Edhe Evropa po flet për të. Dikur isha edhe vetë pjesëmarrëse me Korin, tani janë këta studentë. Dikur e kisha Ylli Daklanin nxënës, kështu që nuk është për t’u befasuar shumë për çmimin e publikut dhe të jurisë, sepse ai filloi si 9 vjeç kompozimin pikërisht tek unë, e pastaj edhe te kompozitorët e tjerë me nam. Dua të them që kjo nuk është rastësi. Ylli ka filluar që në fëmijëri të kompozojë”, ka thënë ajo.

E mira e krejt këtij organizimit sipas saj, kalon edhe më tutje duke u bërë një mundësi e artë për pasurimin e literaturës muzikore në vend e jashtë.

“Literatura dihet që është në mangësi, si në Kosovë, ashtu edhe në nivelin ballkanik. Por vite me radhë, po besoj që do të pasurohet literatura e të dëgjohet me ëndje. Këtu sonte patëm një muzikë madhështore të mbushur përplot. Kështu që duhet të fillojmë të dëgjojmë muzikë të mirë”, ka thënë Halili-Koshi.

Image
“Faleminderit shumë organizatorëve, muzikantëve dhe të gjithëve që po na i bëni ëndrrat realitet”, ka thënë Ylli Daklani pasi ka marrë “Rrëqebullin e Argjendtë”

Rrugëtimi njëjavor i edicionit të tretë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit solli para publikut vepra më ndryshe se rëndom sjellin koncertet e festivalet.

“Zakonisht asnjëri nga aktivitetet e sidomos të këtij lloji, të rralla në të gjithë Ballkanin, nuk janë pak sfiduese. Por që përfundime si këto natyrisht që na bëjnë të ndihemi shumë mirë. Sot edhe shumë krenarë, sepse si rezultat i votës së jurisë, e edhe të publikut për herë të parë deri tek edicioni i tretë, shpërblimi i audiencës dhe ai kryesor iu nda një kompozitori tonë të ri, shumë premtues, siç është Ylli Daklani” ka thënë Rreze Kryeziu-Breznica, drejtoreshë e DAM Festivalit, që e organizon Garën.

Ndonëse gara mbahet çdo dy vjet, secili që vjen sjell një motiv dhe entuziazëm për t’i rritur kapacitetet dhe përfaqësimin në to. Kryeziu-Breznica përtej saj, ka edhe një dëshirë: në garë të ketë prezencë të kompozitoreve.

“Gara është mbyllur sonte me një fjali shumë domethënëse nga vetë drejtuesi i ansamblit NEC të cilin kemi pasur fatin ta kemi pjesë, që tha se muzika është ajo e cila duhet të ndahet me të tjerët, të transmetojë emocion dhe më së paku është një garë. Gara padyshim që i shërben motivimit tutje të krijuesve, të cilët pse jo, përmes garave të tilla të zgjerojnë njohjen edhe literaturën që e krijojnë në mbarë globin”, ka thënë ajo.

“BCCP 2023” sivjet kishte hapur dyert për garues nga gjithsej 12 shtete. Kompozitorë nga vendi e Shqipëria dhe ata nga Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia e Turqia kanë pasur të drejtë konkurrimi.

Themeluar prej Dardan Selimajt, drejtor artistik i festivalit “DAM”, drejtoresha e përgjithshme e këtij festivali, Rreze Kryeziu-Breznica dhe nga kompozitori e dirigjenti amerikan, Gregory Charette nga ansambli holandez, “Oerknal”, Gara organizohet “me synimin për t’u dhënë kompozitorëve të rinj nga vendet e Ballkanit mundësinë për të punuar me një ansambël të muzikës së re evropiane të klasit botëror”.

Në edicionin e parë, fitues ishin kompozitorja e pianistja Anda Kryeziu dhe kompozitori serb Nemanja Radivojeviq me veprën “Tie – Change – Rate”. Angel Spirovski nga Maqedonia e Veriut kishte fituar Çmimin e Filarmonisë së Kosovës e Damjan Joviqi nga Serbia atë të festivalit “DAM”, kur Ylli Daklani, kishte fituar Çmimin e publikut. Fitues i edicionit të dytë ishte zgjedhur kroati Tomislav Oliver nga Kroacia me veprën e tij “Mixordia IV”. Pos që ishte shpërblyer me “Rrëqebullin...”, gjithashtu një vepër e re ishte porositur për edicionin e sivjetmë të festivalit “DAM”. Kompozitori Bardh Dubovci me veprën e tij “TAH – They are here”, kishte marrë Çmimin e Publikut i cili ishte përcaktuar nga votat elektronike dhe përfshinte një vepër të komisionuar për programin e “BCCP” që ishte prezantuar në Prizren në koncertin e mbajtur në shtator të 2021-s.