Me edicionin e dytë të saj, Gara e Kompozitorëve të Ballkanit ka dyfishuar gjeografinë e vendeve, prej të cilave kompozitorët mund të konkurrojnë. “BCCP 2021” është vënë në kërkim të kompozitorëve nga 12 vende. Por ajo nuk është thjesht një garë. “DAM Festival” dhe ansambli “Oerknal” i Holandës ofrojnë edhe përvoja të reja sa i përket edukimit të kompozitorëve
Mundësia që kompozitorë nga 12 shtete të garojnë me vepra që të jenë fitues të “Rrëqebullit të Argjendtë” tashmë është e hapur. Gara e Kompozitorëve të Ballkanit sivjet shkon përtej herës së parë, kur u organizua para dy vjetësh.
Pos gjeografikisht, shtrirje më të madhe ka edhe sa u përket mundësive të tjera.
“BCCP 2021” nuk është thjesht një garë. “DAM Festival” dhe ansambli “Oerknal” i Holandës ofrojnë edhe përvoja të reja sa i përket edukimit të kompozitorëve.
“BCCP 2021” është vënë në kërkim të kompozitorëve nga 12 vende të Ballkanit, si Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Rumani, Serbi, Slloveni, Shqipëri dhe Turqi, të cilët mund të aplikojnë me vepra muzikore mes 3 dhe 5 minuta për flaut solo, pikolo, flaut alto ose flaut bas, pa elektronikë.
Sipas thirrjes, gjashtë kompozitorë do të përzgjidhen si finalistë, veprat e të cilëve do të interpretohen nga Susanne Peters, muzikante e përkushtuar e skenës së muzikës bashkëkohore, e cila ka punuar me një numër të konsiderueshëm të kompozitorëve dhe është aktive me paraqitjet e saj me ansamblet më eminente të muzikës së kohëve moderne që veprojnë aktualisht nëpër Evropë. Ajo aktualisht është flautiste e ansamblit “Oerknal” në Hagë, ansamblit “Contrechamps” në Gjenevë e po ashtu edhe në disa formacione të tjera. Interpretimet premierë me video dhe audio do të transmetohen online më 6 shtator të këtij viti.
Pos kësaj, sipas thirrjes, gjashtë finalistë do të kenë mundësinë të punojnë me Susannen në sesione online në javën e parë të gushtit. E pas performancave, juria ndërkombëtare do të përzgjedhë fituesin. Ai do të shpërblehet me Çmimin kryesor të garës “Rrëqebulli i Argjendtë” dhe vepra fituese do të interpretohet në koncertin i cili do të organizohet në Prizren më 10 shtator 2021.
“Fituesi po ashtu do të shpërblehet me shumën prej 500 eurosh dhe një vepër të komisionuar, e cila do të interpretohet si premierë në ‘DAM Festival 2023’”, shkruhet në thirrje.
Gara e Kompozitorëve të Ballkanit është themeluar në vitin 2019 nga Dardan Selimaj, themelues dhe drejtor i festivalit DAM dhe Rreze Kryeziu-Breznica, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit DAM, me qëllim që t’u japë mundësi kompozitorëve nga Ballkani që të punojnë me interpretues dhe ansamble muzikore evropiane e të nivelit botëror. Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit amerikan Gregory Charette, ky program u ofron disa kompozitorëve mundësi të punojnë direkt me anëtarë të ansamblit “Oerknal” përgjatë një jave me punëtori e prova në Prishtinë. Qëllimi qenësor i gjithë projektit është krijimi i marrëdhënieve përmbajtjesore mes kompozitorëve dhe institucioneve të muzikës në Ballkan dhe BE.
Mundësia e aplikimit është e hapur prej ditës së 26-të të këtij muaji deri më 25 korrik. E juria do të jetë në përbërje të Klaas de Vries, kompozitor nga Holanda, Helen Bledsoe, flautiste që jeton midis SHBA-së dhe Gjermanisë dhe Ashkan Behzadi, kompozitor që jeton midis Iranit dhe Kanadasë.
Dardan Selimaj, themeluesi i festivalit “DAM”, njëherësh bashkëthemelues i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit, ka thënë se e kanë themeluar këtë garë me edicionin e parë më 2019, pasi atë kohë e kanë parë si mundësi për të krijuar bashkëpunim e komunikim midis kompozitorëve të rajonit. Ka treguar se në të gjithë aktivitetin që e kanë ushtruar me festivalin “DAM”, në këta 15 vjet e kanë parë që komunikimi mes muzikantëve përtej Ballkanit është shumë më prezent sesa komunikimi me shtetet përreth.
“Një komunikim ndërkulturor rajonal besojmë se është i nevojshëm po aq sa me shtetet evropiane dhe më gjerë. Në të gjithë këta vjet ka munguar bashkëpunimi ta zëmë me muzikantë nga Greqia, Rumania, Mali i Zi, Bosnja derisa me muzikantë bullgarë, kroatë, sllovenë, serbë, turq ka ekzistuar në një përqindje relativisht të vogël”, ka thënë Selimaj. Ka treguar se gara e vitit 2019 u ka ndihmuar në shtrirjen e komunikimit me muzikantë me të cilët nuk kanë gjetur forma komunikimi nëpërmjet platformave dhe programeve që i kanë zhvilluar deri në atë kohë. “Ndryshe gara është unike, nuk ka të tilla e të këtij niveli në rajon”, ka thënë ai.
Më 2019, Anda Kryeziu dhe Nemanja Radivojeviq ishin fituesit e çmimit kryesor të edicionit të parë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Ata kanë fituar “Rrëqebullin e Argjendtë”. Ishin kualifikuar pesë kompozitorë ballkanikë. Angel Spirovski nga Maqedonia e Veriut kishte fituar Çmimin e Filarmonisë së Kosovës e Damjan Joviqi nga Serbia atë të festivalit “DAM”. I riu kosovar Ylli Daklani kishte fituar Çmimin e publikut.
Sa i përket rritjes së numrit të shteteve prej nga mund të aplikohet, Selimaj ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i kërkesës nga kompozitorë të vendeve që nuk janë pjesë e bllokut të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, prej nga mund të konkurrohej në edicionin e parë. Sipas tij, rritja e mundësisë që të aplikohet nga 12 shtete është parë si mundësi shtesë për rritjen e konkurrencës e rrjedhimisht edhe të kualitetit të garës, por edhe popullaritetit të saj.
“Këtë vit kemi shkuar me opsionin e kompozimeve për solo flaut – nuk e kemi menduar kështu në fillim – sepse ideja fillestare ka qenë që t’u ofrojmë mundësi në realizimin e interpretimit të veprave të shkruara për ansambël - mirëpo duke qenë se pavarësisht përmirësimit të gjendjes me pandeminë do të ishte risk që të shkojmë me opsionin e një ansambli sikurse në edicionin e parë – formatin për instrument solo e kemi parë si opsionin i cili mund të funksionojë, pavarësisht përkeqësimit ose jo me pandeminë”, ka thënë Selimaj.
Ka treguar se ndryshe nga edicioni i parë, kur çmimi i publikut është bërë nga publiku i pranishëm në sallë – këtë vit mundësi për të votuar do të ketë edhe publiku nga vendet e tjera. Kjo, sipas tij, do t’i shtojë vizibilitet garës dhe do të përfshijë më shumë pjesëmarrës. Ka thënë se Ballkani ka një gjeneratë të dalluar të kompozitorëve të rinj dhe mendojnë se kjo garë në të ardhmen mund të shndërrohet në garën më të rëndësishme në rajon edhe sepse është unike në llojin e vet.
