New York, 29 prill – Hiti më i ri filmik i “Marvel Studios”, “Avengers: Endgame” ka nisur me thyerjen e rekordeve në arkat filmike. Tashmë ka lënë prapa konkurrencën me shikueshmëri e të hyra vetëm disa ditë pas premierës. Siç ka njoftuar kompania “Walt Disney”, ky film dy ditë të shfaqjes, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka fituar 156.7 milionë dollarë, duke lënë bindshëm prapa ata që deri më tash mbanin rekorde të tilla si “Star Wars: The Force Awakens” me 119 dollarë në vitin 2015 dhe “Avengers: Infinity War” më 106 milionë dollarë sa inkasoi për periudhë të njëjtë kohore më 2018. Edhe në tregun global të filmit, siç ka raportuar “Associated Press”, “Avengers: Endgame” ka shënuar rekord me fundjavën më fitimprurëse duke fituar 644 milionë dollarë dhe ka tejkaluar edhe “Avengers: Infinity War”, që kishte fituar 641 milionë dollarë.
“Avengers: Endgame” është finalja e madhe e botës së superheronjve të “Marvelit” e cila nisi me “Iron Man” në vitin 2008. Kritikët që e kanë vlerësuar pozitivisht këtë film, e cilësojnë si një “super-spektakël” treorësh dhe një përfundim të denjë të serisë së famshme. Ata që e kritikojnë filmin nën regji të Anthony Russos e cilësojnë si barrë të panevojshme. Studiot filmike “Disney” dhe “Marvel” sa i përket filmit të ri, sipas kritikës së këtij krahu, kanë prodhuar disa sekuenca që të bëjnë të shkrihesh gazi dhe disa çaste lotësh zemre, por jo një film që do të mbahet mend si kryevepër në kinematografi.
“Arritjet e ‘Disney’ dhe ‘Marvel’ do të mbesin në anale të tregtisë, dhe do të studiohen gjatë viteve të ardhshme”, shkruan “The New York Times” për filmin ku midis tjerësh luajnë edhe: Robert Downey Jr., Chris Evans, Mark Ruffalo, Chris Hemsworth e Scarlett Johansson.
Pas fundit të tensionuar të “Avengers: Infinity War”, në të cilin zotëruesi i galaksisë, Thanosi, gjysmën e jetës në tokë e bën pluhur, pjesa e radhës dhe e fundit, “Avengers: Endgame” i bën tok të gjithë superheronjtë e universit të “Marvelit” në luftën kundër të plotfuqishmit, Titan.