"Avengers: Endgame" është bërë filmi më i shitur në Internet i të gjitha kohërave në Britani të Madhe, me çfarë kjo aventurë shkencore e ka thyer edhe një rekord në vargun e rekordeve të shumta, raporton BBC News.
Ky film i Marvelit ishte në krye të top listës zyrtare filmike të mërkurën, me numrin më të madh të shkarkimeve në internet, shkruan KOHA Ditore. T’ju rikujtojmë, në korrik finalja e serisë për superheronjtë i arriti të ardhurat më të larta të të gjitha kohërave në arkat kinematografike.
Deri më tani 335,400 downloadime janë bërë në javën e parë, duke e thyer rekordin e mëparshëm që e mbante biopiku për Freddie Mercuryn, "Bohemian Rapsody". Filmi për frontmenin e bendit Queen hyri në histori në shkurt me 265,000 downloadime në javën e tij të parë.
Popullariteti i filmit “Endgame” me siguri do të jetë akoma më i madh kur filmi të jetë në dispozicion në DVD dhe Blu-ray.
Është interesante që filmi me siguri nuk do të shfaqet në shërbimet streaming si Netflix ose Amazon Prime, pasi që Disney këtë dimër me siguri do ta lansojë shërbimin e vet për streaming Disney Plus.