Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Marvel nuk planifikon “Avengers” të ri në të ardhmen e afërt

Marvel Cinematic Universe është ndoshta më së shumti i njohur për Avengers, përkatësisht filmat që deri më tani kanë bashkuar heronj të ndryshëm nga tregime të tjera. Gjykuar nga informacionet e fundit, një film i këtij lloji ndoshta nuk do të ndodhë në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Pasi që “Avengers: Endgame” arriti sukses fantastik dhe u bë filmi më i suksesshëm i të gjitha kohërave sipas të ardhurave (2.7 miliardë dollarë) në Marvel kanë vendosur ta ngadalësojnë ritmin dhe t’u kthehen përsëri rrënjëve të tyre, kështu që tani na presin filmat e pavarur për superheronjtë tanë të rinj të preferuar, shkruan KOHA Ditore. Njëra nga producentet e Endgame dhe filmave të tjerë të Marvel, Trinh Tran, për portalin CinemaBlend, zbuloi se në fazën 4 fokusi është tek filmat e pavarur, dhe jo në realizimin e ri epik çfarë e solli Endgame i lartpërmendur.

"Aktualisht jemi të përqendruar që në Fazën 4 të sigurojmë filma të rinj, emocionues, të ndryshëm të cilët shikuesit do të jenë në gjendje t'i identifikojnë ashtu si dikur. 10 vjet më parë, ëndrra jonë ishte të bënim diçka në nivelin e Infinity War ose Endgame. Natyrisht, në fillim as që kemi mundur të ëndërronim se do t’i bënim të gjitha, por është e mahnitshme që ia dolëm ta arrinim. Tani duam të kthehemi në nivelin e 10 vjetëve më parë, kështu që qëllimi ynë është të vazhdojmë ta ndërtojmë MCU-në", tha ajo.

Tran shtoi gjithashtu se brenda dhjetë vjetëve apo më shumë mund të jetë përsëri interesante të bëhet ndonjë film që do t’i ndërthurte filmat dhe seritë e ardhshme që arrijnë në Disney+ (Hawkeye, Scarlet Witch dhe Winter Soldier janë disa nga personazhet që do t’i kenë serialet e pavarura), pasi që përsëri do të ketë mjaft “brumë” për t'i bashkuar të gjithë në një Endgame të ri epik: por kjo sigurisht nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt.