Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Spider-Mani, megjithatë, mbetet në universin e Marvel

Shumë adhurues të filmave për superheronjtë u gëzuan kur Sony Pictures dhe Marvel e paralajmëruan filmin e tretë për Spider-Manin me Tom Holland dhe atë pasi që më parë kishin frikë se dy kompanitë do të pushonin së bashkëpunuari.

Në gusht, Sony tha se ishin të zhgënjyer që nuk do të punojnë me Disney në filmat e ardhshëm për Spider-Man, ndërsa supozohej se kishte dallime kreative rreth asaj se si të krijohej karakteri i këtij superheroi.

Megjithatë, ata hynë në marrëveshje bashkëpunimi më 26 shtator, dhe kjo u bë e ditur vetëm kohët e fundit për publikun, raporton Variety.

"Jam i emocionuar që udhëtimi i Spider-Manit në Marvel Cinematic Universe do të vazhdojë, ndërsa unë dhe të gjithë ne në Marvel Studios jemi shumë të entuziazmuar që do të vazhdojmë të punojmë në atë projekt", tha presidenti i Marvel Studios, Kevin Feige.

Feige e ka luajtur një rol të madh kreativ në dy filmat e fundit për Spider-Manin, duke e integruar me sukses personazhin e Tom Hollandit në universin e tij shumë-milionësh Marvel Cinematic Universe (MCU), shkruan KOHA Ditore. Robert Lawson nga Sony Pictures tha që ishin shumë të kënaqur që po bënin përparim së bashku.

Të drejtat e filmit të Spider-Manit janë në pronësi të Sonyt, por ky hero ka mundur të shfaqet në filmat si "Avengers: Endgame" për shkak të marrëveshjes midis Sonyt dhe Marvel Studios, e cila është në pronësi të Disney.

Variety shton se filmi i ri për Spider-Manin pritet në kinema më 16 korrik 2021.

Artikuj të ngjashëm