“Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, është pagëzuar ngjarja që sjell “Artpolisi”. Do të mbahet sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me të shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, por s’ka të bëjë veç me të, sepse, siç shkruhet edhe në titullin e aktivitetit, “çdo ditë është 8 Mars”. S’ka veç poezi, që i jep zë zërit të gruas. Mysafire speciale është shkrimtarja e shquar Elvira Dones dhe jo vetëm.
“Me poezi të bukura dhe të fuqishme të interpretuara nga shkrimtaret/ët dhe artistet/ët tanë të mrekullueshëm, të kombinuara me tinguj të shkëlqyer muzikor, përmes artit shënojmë 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Poezi kushtuar grave me vargje fuqizuese dhe frymëzuese, për të na kujtuar ndikimin, qëndrueshmërinë dhe vlerën e ekzistencës së SAJ”, shkruhet në paralajmërimin e ngjarjes, në komunikatën për media të qendrës për art dhe komunitet, “Artpolis”. Sipas komunikatës, nën moderimin e Zana Hoxhës, regjisore profesionale e teatrit, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e “Artpolisit” dhe festivalit “FemArt”, kjo mbrëmje “do të sjellë para publikut shumë poezi e këngë të interpretuara nga Trupa Rezidente Artistike e Artpolis: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi, Shpetim Selmani dhe Zhaneta Xhemajli”.
“E ftuar speciale e kësaj mbrëmjeje do të jetë Elvira Dones, romanciere, skenariste dhe producente e filmave dokumentarë shqiptarë, e cila para publikut vjen në një bashkëbisedim me shkrimtaren dhe gazetaren Ilire Zajmi”, shkruhet në komunikatë tek paralajmërohet edhe pjesa muzikore. “Mbrëmjes do t’ia shtojë magjinë sopranoja Besa Llugiqi, e njohur për fuqinë e zërit dhe interpretimin brilant, si dhe ndjenjën e lindur të linjës muzikore dhe natyrore”, shkruhet aty. Mysafirë janë edhe këngëtarja e kantautorja me origjinë shqiptare nga Belgjika, Ceylan Taci, dhe aktori dhe poeti, Shpetim Selmani. “Ndërkaq para publikut do të sjellin vallëzimin kontemporan, kërcimtarët e ‘Noa Dance Theatre’ me koreograf Robert Nuhën”, shkruhet në komunikatë.
Mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”, sipas “Artpolisit” mëton të fuqizojë gratë mbijetuese të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë! “Andaj, paratë e mbledhura nga biletat do t’i dedikohen kësaj kategorie më të ndjeshme”, ka njoftuar “ArtPolisi”.