Ka qenë një mbrëmje shprehjesh të ndryshme artistike që në thelb kanë pasur thirrjet për fuqizimin e gruas, por artistët e bërë bashkë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” s’e kanë harruar as Ukrainën. E ftuara speciale, kantautorja nga Belgjika, Ceylan Taci, ia ka dhënë ngjarjes ngjyrat e muzikës së saj unike, e një kapitull i veçantë ishte edhe prania e shkrimtares së njohur botërisht Elvira Dones, e cila ka thënë se gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur. Ka shpalosur kujtimet edhe për vizitën e parë në Kosovën e pasluftës
Nuk është shfaqje teatri, por kur krejt pjesët programore bëhen bashkë, del të jetë një shfaqje e konceptuar deri në detaje. Përmban prej rrëfimeve e deri te thirrjet për ndryshime. Në thelb ka lirinë. Jo veç për gratë, për çka në bazë është ideuar, por edhe për krejt kategoritë të cilave u mungon liria. Deri te populli ukrainas, që për më shumë se dhjetë ditë është duke u përballur me pushtimin rus.
“Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”, që është mbajtur të shtunën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, organizuar nga “Artpolis”, ka bërë bashkë artistë të ndryshëm që me artin e tyre ngrenë zërin kundër pabarazisë. Pozitë kanë qenë thelbi i ngjarjes që kërkon realizmin e të drejtave të grave. Por pikat e këndimit, vallëzimit e bisedat e kanë rrumbullakuar synimin.
Performanca muzikore “Mother and Child” e Alzan Gashit së bashku me interpretimin që Kaltrinë Zeneli me koleget e saj aktore i kanë bërë këngës “Unë vendos” të Hana Cakulit, kanë qenë intro e mbrëmjes.
Vargje me zërin e grave, jehona për liri e paqe
Poezitë e autorëve të ndryshëm, të huaj e vendorë, u kanë dhënë zë grave të cilat edhe në ditët e sotme nuk janë të lira të jetojnë siç duan.
Edhe
“Artpolisi” me poezi e muzikë për fuqinë e gruas
Kaltrinë Zeneli, Blerta Gubetini, Qëndresa Kajtazi e Zhaneta Xhemajli kanë sjellë poezitë e njohura botërisht si “Mora lule sot” nga Paulette Kelly, “Dhuna” nga Erich Fried, “Do të shkruaj letra” nga Vera Pavlova e “Mos fajësoni askënd” nga Pablo Nerudës.
Trupa artistike rezidente e “Artpolis” ka qëndruar në skenë, që për të pranishmit të interpretojë edhe këngët si “Ditë dimri” nga Aleksandër Gjoka e “Fëllënza” kompozuar nga Muharrem Gurra.
Në sfond, si rekuizitë e skenës mbi flamurin ukrainas ka qëndruar slogani “We stand with Ukraine”, përderisa fragmentet e veprave letrare janë interpretuar nga grupi i aktorëve. Përderisa Alzan Gashi ka vazhduar lojën në piano, nga skena ka filluar solidarizimi me Ukrainën.
e shkrimtari Shpëtim Selmani ka interpretuar dy poezi të tij të titulluara “Poezi pa emër”, përderisa Mikel Markaj i ka dhënë zë poezisë “Jam një yll” nga Herman Hesse e Edlir Gashi asaj “Në gji të nënës” nga Musine Kokalari.
Secila pikë programore ka ngjarë me një shfaqje më vete. Vallëzimi kontemporan i anëtarëve të “Noa Dance Theatre” nën koreografi të Robert Nuhës ka bërë që nëpërmjet lëvizjeve të jepet një tjetër version i rrëfimeve që vinin nëpërmjet poezive e këngëve.
Kantautorja nga Belgjika, Ceylan Taci, e cila ka prejardhje shqiptare, ka rrëfyer se si nisi të flasë shqip.
“Në Theth deri po ecja, bjeshka më bëri të flas”, ka thënë ajo midis të tjerash, para se të nisë interpretimin e këngëve “Kajti daja” e “Likura”. Qe veç njëra prej të ftuarave speciale.
Dones për librin që s’do të donte ta shkruante
Interpretimi i poezive të shkrimtares Elvira Dones nga aktorja Donikë Ahmeti ka bërë që mbrëmja të jetë edhe më përmbajtjesore. Janë poezitë e veprës “Yjet nuk veshën kështu”, libër ky që shpalos fatin e zi të vajzave shqiptare që ranë në kurth të kontrabandës e prostitucionit.
Edhe
“Revoltë në kohë të vështirë” me butësinë e vargut fuqizon rezistencën
Në një bashkëbisedim me poeten e gazetaren Ilire Zajmi, shkrimtarja e njohur botërisht ka thënë se vepra e saj shpalos një anë të erret të fatit të vajzave nga Shqipëria, të cilat u dhunuan, keqtrajtuan dhe u vranë.
“Ka qenë i vetmi libër që unë do të kisha dashtë të mos e kisha shkruar, sepse ajo faqe e zezë e shoqërisë shqiptare, ajo anë e erret që doli pas ndryshimit të regjimit të Shqipërisë në ato vite që ishte me Qeveri e pa Qeveri e që nga ajo kohë filloi kriminaliteti”, ka thënë Dones. Ka treguar se vajzat shqiptare merreshin nga shkolla me gënjeshtra se do të punësoheshin në shtete si Italia e Franca.
“Këto vajza vinin nga familjet e varfra, disa prej tyre u tradhtuan nga të fejuarit, nga të dashurit, vëllezërit, baballarët. Prandaj se është një libër që nuk do ta kisha shkruar, sepse kisha dashur të mos kishte ndodhur ajo faqe e errët që ndodhi në Shqipëri”, ka thënë ajo. Dones, e cila, midis të tjerash, është edhe autore e romaneve “Hana” e “Më pas heshtja”, ka thënë se trazirat e vitit 1997 në Shqipëri kanë bërë që kriminaliteti të rritej edhe më. Sipas saj, gruaja shihej si objekt duke mos u vlerësuar nga vlerat e saj si njeri.
“Libri fillon në vitin 1997, në kohë luftë civile në Shqipëri. Personazhi kryesor i librit është Lejla, e cila kthehet në arkivol drejt Shqipërisë. Gruaja në Shqipëri mbetet gjithmonë si objekt i sharjes, sepse për shembull nuk është e bukur ose se është tepër e bukur”, ka thënë ajo. Ka kritikuar fort shoqërinë shqiptare. Ka thënë se bëhet fjalë për shoqëri burrash.
“Ata hapa që po bëjmë përpara janë shumë të vegjël për mendimin tim, sepse derisa ajo gruaja në veri të Shqipërisë të jetë më e lumtur në jetën e saj dhe të mos jetë nën thundrat e një burri, atëherë do të kemi arritur një përparim të gruas shqiptare”, ka thënë Dones. Ka folur për dhunën fizike e atë verbale. Ka bërë thirrje që gjërat të ndryshojnë edhe më shumë. Ka kritikuar edhe mediat.
“Shtypi shqiptar në vend që të fliste për atë grua kurajoze, të gjithë titujt ishin ‘ish-prostituta’. Ajo nuk ishte prostitutë, ajo ishte tradhtuar nga familja e saj. Ishte një nga rastet që të gjithë ata që e trafikuan i futi në burg dhe në fund kur u tradhtua nga autoriteti italian, ngase nuk ua bëri dokumentet italiane, Adelina ndihej e kërcënuar nga denoncimet e trafikantëve, prandaj them Adelina u vra dy herë, u vra nga mediat”, ka thënë ajo derisa ka folur për një nga personazhet e librit të saj.
Shkrimtarja, skenaristja e producentja ka treguar se lufta në Kosovë e kishte frymëzuar për librin “Luftë e vogël e përkorë”.
“Unë u ftova për herë të parë në Kosovë katër muaj pas luftës, kur Kosova ende ishte e rrënuar dhe vinte akoma erë lufte. Derisa shkruaja librin, Kosovën e vizitova edhe pesë herë të tjera. Për respekt ndaj viktimave të luftës doja që çdo pjesë e historisë të jetë edhe nga ana gazetareske, edhe nga ana kronologjike të ishte në vendin e vet”, ka thënë ajo.
Kronologjia ishte pjesë e mbrëmjes “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” kur janë renditur emrat e grave të vrara nga vitit 2015, kurse janë dhënë shifra edhe për vitet e mëhershme.
Edhe
“Poezi për fuqi” feston dy dekadat e aktivizmit me art
Sopranoja Besa Llugiqi ka ndërruar kursin e programit me interpretimin e “Për mue paska kenë kismet” nga Palokë Kurti e “N’at zaman t’njasaj furie” nga Çesk Zadeja.
Mbrëmja, e cila erdhi me qëllim që të ngrejë vetëdijen e t’i japë zë luftës kundër dhunës në baza gjinore, është përmbyllur me “French Cabaret” duke rrumbullakuar programin rreth dyorësh, ku vazhdimisht është bërë thirrje për liri të grupeve që nuk e gëzojnë atë.