Me art pamor, artisti nga Kosova, Ramë Dardania, ia del ta shtyjë përpara përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Kësaj radhe, në “Arty Show” të La Chaux-de-Fonds ai bëhet artisti i parë shqiptar që merr pjesë në këtë ngjarje unike. Ky fakt e bën prezencën e tij më shumë se një ekspozitë individuale. Ajo kthehet në një simbol të hapjes së skenës kulturore zvicerane ndaj rrënjëve dhe gjuhëve të tjera, ndaj rrjeteve të migrimit dhe identitetit
Qyteti La Chaux‑de‑Fonds në Zvicër, që ndryshe njihet si qyteti i orëve – për shkak të shkallës së lartë të industrisë së prodhimit të orëve – do ta ndalë matjen e përditshme për disa javë, për t’i lënë vend një rrugëtimi me ngjyrë e refleksion.
Në zemër të Zvicrës frankofone, përmes festivalit “Arty Show”, vitrinat e dyqaneve, rrugët dhe qendrat historike janë shndërruar vazhdimisht në galeri të hapura, ku arti bashkon qytetin me publikun. Për edicionin e dhjetë të tij, ky festival i kthehet shtëpisë së vet prej 22 nëntorit deri më 20 dhjetor. Njëzet artistë do t’i transformojnë hapësirat urbane me krijime që nuk lypin muze ose galeri, por hasen në rrugë të thjeshta. E këtë rrugëtim e hap sefte piktori nga Kosova, Ramë Dardania.
Karriera e tij në pikturë kishte nisur më 2006 me t’u transferuar në qytetin e Gjenevës. Si artist në Evropë, puna e tij përmbledh ngjyra e forma që tejkalojnë çdo kufi të konformitetit. Me art pamor, artisti nga Kosova, ia del sërish ta shtyjë përpara përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Kësaj radhe, veprat e tij do të ekspozohen në dyqanin “Kiss the Ground”, në rrugën “Place du Marché 4”, e që është pikërisht vendi ku nis itinerari artistik i festivalit, duke i dhënë pozitë të privilegjuar punës së tij, për të vazhduar në 19 dyqane të tjera brenda qytetit, me veprat e 19 artistëve të tjerë nga bota. Dardania e ka konsideruar si një ndjenjë të bukur hapjen e edicionit me veprat e tij.
“Jam shumë i kënaqur që evenimenti nis me veprat e mia. Është ndjenjë shumë e bukur me qenë ajo që hap edicionin, me qenë pjesë që në fillim të ngjarjes. Njerëzit kanë mundësinë me i pa pikturat e mia nga afër, me i ndje dhe me kuptu pak botën time përmes tyre”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.

Festivali, që ka filluar me ide të thjeshta për ta sjellë artin pranë qytetarit, ka zhvilluar një formë të përhershme, ku vitrinat bëhen skenë, urbania bëhet audiencë, çdo kalim është takim me krijimin. Me këtë pjesëmarrje, krijuesi nga Kosova bëhet artisti i parë shqiptar që merr pjesë në “Arty Show” të La Chaux-de-Fonds. Ky fakt e bën prezencën e tij më shumë se një ekspozitë individuale; ajo kthehet në një simbol të hapjes së skenës kulturore zvicerane ndaj rrënjëve dhe gjuhëve të tjera, ndaj rrjeteve të migrimit dhe identitetit.
Dyqani ku ekspozon piktori Dardania kryesisht shet produkte organike dhe vetë vepra që ekspozohet aty, lidhet pikërisht me prodhimin e tyre. Sipas tij, nuk është rastësi përzgjedhja e dyqanit për të ekspozuar.
“Dyqani ku ekspozoj shet bimë dhe barna natyrore, prandaj veprat e mia lidhen shumë me atë frymë – me lindjen, me natyrën, me energjinë që vjen prej saj. Piktura kryesore do të jetë ajo me bletët, sepse ato përfaqësojnë lidhjen mes jetës, punës dhe natyrës në formën më të pastër. Nuk ka qenë rastësore. Dyqani vetë ka filozofi që lidhet me natyrën dhe me produktet organike, dhe kjo shkon shumë me temën time. Pikturat e mia janë një vazhdimësi e asaj ideje – me kujtu që çdo gjë e bukur fillon nga diçka e thjeshtë, e natyrshme”, ka treguar ai.
Për faktin se është ndryshe nga veprat e tjera për nga natyra e të ekspozuarit, ai ka konsideruar se është një pjesëmarrje shumë e rëndësishme.
“Jo për madhësinë, por për faktin që është ndryshe. Nuk është galeri klasike, por një hapësirë e përditshme ku njerëzit vijnë për arsye të tjera dhe papritmas përballen me art. Ky spontanitet më pëlqen shumë”, ka shtuar piktori Dardania.
Është një rrugëtim që nis në shtëpi, në kujtimet e fëmijërisë dhe përvoja të mëvonshme, dhe arrin në Zvicër përmes një gjuhe që i përfshin ngjyrat, ritmin, penelatat e lira dhe hapësirat e menduara. Për publikun shqiptar, brenda dhe jashtë vendlindjes, kjo është një ftesë për ta përjetuar artin si pasqyrë të largësisë dhe afërsisë, si ndërthurje e identiteteve.
“Unë s’e kërkoj me zor me tregu ‘shqiptarizmin’, por ai del vetvetiu. Është në mënyrën si e shoh botën, në kujtimet e mia, në ngjyrat dhe materialet që përdor. Për mua, shqiptarizmi nuk është flamur që e mbaj në dorë, por rrënjë që s’e heq dot, edhe kur punoj diçka universale”, është shprehur ai.
Në këtë kontekst, krijimet e tij interpretohen si ndërthurje mes kujtesës dhe ëndrrës, mes rrënjëve shqiptare dhe lëvizjes drejt hapësirave ndërkombëtare. Stili i tij përmban kontraste të shprehura: forca dhe qetësia bashkë, shpresa dhe mallëngjimi në një dialog vizual që nuk e pikturon realitetin siç është, por siç ndihet.
Pjesëmarrja e Dardanisë në edicionin e dhjetë të festivalit “Arty Show” është më shumë se një tablo në hapësirë publike. Është një urë mes dy kulturash, një ftesë për t’u ndalur dhe për të reflektuar, dhe një moment për artin shqiptar në skenën ndërkombëtare. Në dritaret e qytetit zviceran, një frymë e veçantë gjallon: ajo që vjen nga një zemër shqiptare.
Në shtator, Muzeu dhe Galeria e Artit Bashkëkohor “Dan Gerbo” në Mulhouse të Francës e kishte mikpritur artistin Dardania, i cili e kishte prezantuar punën e tij me një ekspozitë personale. Atëbotë, ishte përqendruar në eksplorimin e imazheve dhe emocioneve, duke i përdorur fytyrat dhe format abstrakte si gjuhë artistike për të transmetuar mesazhe të thella dhe universale.
Prezenca e tij në nëntor në qytetin zviceran mund të përshkruhet jo si rastësi, por si rezultat i një rrugëtimi të qëllimshëm, një qasje që ëndërron ta kthejë origjinën në fuqi krijuese, dhe hapësirën ndërkombëtare në arenë përtej kontekstit vendës. Pas saj, ai do ta paraqesë edhe një ekspozitë në Gjenevë dhe një tjetër në Selanik, duke e përfaqësuar veten dhe në njëfarë forme edhe Kosovën me artin e tij.
“Pas kësaj, menjëherë në fillim të vitit do të kem ekspozitën personale me ciklin e ri të punimeve në ‘The House of Art’ në Gjenevë dhe vazhdoj mandej përmes ‘Foundation Art Way’ në Selanik të Greqisë, do të prezantoj punën time para studentëve dhe do të marr pjesë në një ekspozitë po në hapësirat e Universitetit të Arteve”, ka përfunduar Dardania.
Si artist shumëdimensional, ai zhvillon një praktikë të veçantë që e përfshin pikturën, performancën dhe videon. Dialogu mes së kaluarës dhe së tashmes e inspiron artistin, i cili zakonisht përdor fytyra, emocione e personazhe lojërash për t’i trajtuar temat e vuajtjes, shpresës dhe gëzimit, duke ndërtuar kështu një univers të hapur dhe të ndjeshëm. Është shquar në skena të ndryshme ndërkombëtare, nga Franca deri në Shtetet e Bashkuara dhe ka fituar disa çmime për krijimet e tij.