Pas prezantimeve në më të madhin panair botëror të artit, në “Art Basel” dhe në Galerinë Kombëtare të Artit Bashkëkohor në Berlin, veprat e artistes Selma Selman do të ekspozohen në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Suedi. Arti i saj njihet edhe në Kosovë dhe aktualisht prezantohet në “Autostrada Biennale” në Prizren
Selma Selman, artiste nga Bosnjë-Hercegovina e njohur ndërkombëtarisht, kohëve të fundit ka pasur disa prezantime të jashtëzakonshme e aktualisht po qëndron në Kosovë me rastin e hapjes së “Autostrada Biennales”, ku është ekspozuar njëra prej veprave të saj të fundit.
Pas ekspozitës në “Rijksakademi” në Amsterdam, në gjysmën e dytë të qershorit, veprat e saj janë prezantuar në panairin më të madh të artit në botë, në “Art Basel”, në programin e veçantë “Unlimited”, në të cilin janë ekspozuar vepra monumentale të artistëve të ftuar.
Njëkohësisht “Hamburger Bahnhof”, galeri kombëtare e artit bashkëkohor në Berlin, ka prezantuar një ekspozitë madhore të veprave të reja me “Nationalgalerie. Eine Sammlung für das 21. Jahrhundert” (Galeri Kombëtare: Koleksioni për shekullin 21) ku është shfaqur edhe seria e veprave të porositura të Selmanit.
Selmanin në periudhën që vjen e presin ekspozita personale e performanca në Itali (Centrale Fies Trento), në Gjermani (Gropius Bau Berlin, Kunsthalle Frankfurt), Zvicër (Shedhalle Zurich) dhe Suedi (Konsthall Geteborg).
Selman qe në qendër të vëmendjes ndërkombëtare fillimisht me ekspozitën personale në “Fredericianum Museum” më 2021 e më pas edhe me pjesëmarrjen në “Documenta” në Kassel më 2022, ngjarja më prestigjioze globale në të cilën çdo pesë vjet ekspozojnë artistët më të shquar botërorë.
“Documenta 15” do të hapej me performancën e Selmanit para mijëra profesionistëve nga të katër anët e botës e ekspozitën e saj të dytë në “Friedricianum”, vendin qendror të “Documentas”, do ta shihnin 700 mijë vizitorë.
Prezantimin e saj në “Documenta” e përcollën mediat më të shquara të artit si: “Art in America”, “Frieze”, “Artforum”, “Monopol”, “Moussei” e të tjera.
Pas “Documentas”, Selman mori pjesë në bienalen ndërkombëtare të artit “Manifesta 14” që vjet u mbajt në Prishtinë e në “Vienna Contemporary” mori çmimin “Bildrechts SOLO Award” për ekspozitën më me peshë në kontekstin ndërkombëtar.
Në të njëjtën periudhë hapi ekspozita në “Kunstraum Insbruck” në Innsbruck (Austri), në “Mo Museum”, Vilnius (Estoni), “Centrale Fies”, Trento (Itali), “TanzFabrik”, Berlin (Gjermani).
Publiku në Bosnjë-Hercegovinë u takua për herë të parë me Selma Selmanin në vitin 2014, kur mori çmimin “Zvono” (Zilja) për artisten më të mirë të re të Bosnjë-Hercegovinës e opusi i saj u shfaq në ekspozitën madhore personale në Galerinë e Arteve në Sarajevë më 2021. Realizuar prej Galerisë dhe ekipit të Studios të Selma Selmanit, për këtë ekspozitë u realizuan më shumë se 60 vepra të reja.
Selma Selman jeton dhe punon midis Amsterdamit, New Yorkut dhe Bihaqit, ku u lind. Diplomoi për pikturë në Akademinë e Arteve në Banjallukë më 2014 dhe më 2018 magjistroi në media të reja në “Syracuse University” në New York.
Është fituese e programit të njohur rezidencial të “Rijksakademie Amsterdam” më 2021 – 2023 dhe ka hapur ekspozita personale në disa institucione ndërkombëtare.
Selma Selman është themeluese e programit “Get The Heck To School” që ka për qëllim fuqizimin e vajzave rome gjithandej botës nëpërmjet mentorimit dhe bursave. Shprehja e saj dalluese artistike është refleksion i kompleksitetit të identitetit të saj si një “tjetër” e përhershme – rome, emigrante dhe grua.
Duke tematizuar në pikturat e saj përvojat e rritës në komunitetin rom në Bihaq dhe duke përsëritur motivin e grumbullimit dhe riciklimit të skrapit, Selman bën thirrje që të vihen në dyshim mënyrat se si u japim vlerë objekteve, punës dhe njerëzve.
Marrë nga “Al Jazeera Balkans”. Përktheu: KOHA