Njëra prej platformave kryesore në botë për artin bashkëkohor, “Frieze” e Londrës, e ka renditur edicionin e sivjetmë të “Manifestas” në Prishtinë në mesin e top-10 ekspozitat më të mira evropiane për vitin 2022. Në listën e dhjetëshes të revistës me të njëjtin emër, gjenden prej kthimit triumfues të Cyprien Galliard në Paris e deri në debutimin e Bruno Zhu në Barcelonë, si dhe përzgjedhjes së një sërë muzesh të njohur evropianë si “Kunstmuseum Basel & Gropius Bau” në Bazel të Zvicrës, galeria “Cordova” në Barcelonë të Spanjës, galeria “Nordenhake” në Stockholm të Suedisë, “PinchukArtCentre” në Kiev të Ukrainës e të tjera. “Manifesta 14” që u mbajt prej 22 korrikut deri më 30 tetor në kryeqytet renditet e katërta, përderisa në ballinë të artikullit është imazhi i kukullave të famshme të artistit të Kosovës, Dardan Zhegrova, ekspozuar në 100-ditëshin e “Manifestas”. Bëhet fjalë për “personazhet” e veprës së tij “Your enthusiasm to tell a story”.
Në përmbledhjen e shkurtër për “Manifesta 14”, revista e platforma “Frieze” bën të ditur se si ajo i kishte intervistuar disa artistë të Ballkanit Perëndimor ende pa u bërë të ditura disa gjëra.
“Përpara edicionit të 14-të të ‘Manifestas’, i cili u mbajt këtë verë në Prishtinë, ‘Frieze’ mblodhi një grup artistësh e autorësh nga Ballkani Perëndimor për të diskutuar mbi përfitimet dhe kurthet e mundshme të organizimit të Bienales nomade në Kosovë. Disa pjesëmarrës, përfshirë Šejla Kamerić, shpresuan që në qendër të vëmendjes të jenë artistët rajonalë. Dëshira e saj u realizua kur u zbulua se më shumë se gjysma e artistëve ekspozues ishin nga rajoni”, thuhet në artikullin e “Frizes”
Ndërkaq te përzgjedhja e ekspozitave të hapura në kuadër të “Manifestas”, ajo është ndalur shkurtimisht në veprat e dy artistëve: Artan Hajrullahu nga Kosova dhe Selma Selmani nga Bosnjë-Hercegovina.
“Pikat kryesore të ‘Manifestas’ përfshinin vizatimet ‘provokuese’ dhe ‘të çuditshme’ të formatit të vogël, të punuara me ngjyra lapsi nga artisti kosovar Artan Hajrullahu, si dhe Selma Selman, një artiste e lindur në Bosnjë-Hercegovinë, e cila ka origjinë rome. ‘Mercedes Matrixi’ (2019) i Selmanit 'pasqyron artisten dhe familjen e saj, të cilët merren me grumbullimin e hekurishteve, duke shkatërruar një ‘Mercedes Benz' në një përpjekje për të ‘zbërthyer dhe shkatërruar imazhin stereotip të romëve’”, ka përfunduar “Frieze”.
Edhe
“Autostrada Biennale” në dhjetëshen e ekspozitave më të mira në Evropë
“Frieze” është platforma kryesore në botë për artin modern dhe bashkëkohor, dedikuar artistëve, galerive, koleksionistëve dhe artdashësve. U themelua në vitin 1991 nga Amanda Sharp, Matthew Slotover dhe Tom Gidley me lansimin e revistës “Frieze”, revistë kryesore e artit dhe kulturës bashkëkohore. Më pas, në vitin 2003, Sharp dhe Slotover themeluan “Frieze London”, një nga panairet më me ndikim të artit bashkëkohor në botë, i cili zhvillohet çdo tetor në “The Regent’s Park”, Londër.
“Frieze” përfshin tri botime, revistën “Frieze”, revistën “Frieze Masters” dhe “Frieze Week”; katër panaire ndërkombëtare të artit, Frieze London, Frieze LA, Frieze New York, Frieze Seoul dhe Frieze Masters; Cork Street Nr.9, një hapësirë e përhershme galerie në zemër të Londrës, bisedime dhe samite të rregullta të udhëhequra nga redaktorët e “Frieze” dhe frieze.com - burimi përfundimtar për artin dhe kulturën bashkëkohore.